TIRANE- Deputeti kritik i PSsë, Ben Blushi, de klaroi dje në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në TV Klan përballë një paneli analistësh se kjo qeveri është e keqe dhe se në PS ka një mediokritet elitar.
Nëse z.Rama do t ’ ju kishte përfshirë në kabinetin e tij, a do flisnit ju. A do kishit të njëjtat kritika?
Këto lloj pyetjesh janë gjithmonë hipotetike. Por unë kam një provë. Çdo njeri pret të them “po”. Në vitin 2003, kur unë kam qenë ministër i PS-së, qeveria jonë ngeli me 3 zv/ ministra dhe u pasua me një konflikt me themelimin e LSI dhe qeveria s’kishte numra për të kaluar ministrat e rinj. Kam shkuar dhe i kam thënë kryeministrit të kohës jep dorëheqjen. Dhe këtë nuk e kam thënë unë. E ka thënë vetë kryeministri Nano, në një takim, në Vlorë. I kam thënë që s’ke numrat për të kaluar ministrat në parlament. Duhet të japësh dorëheqjen. E thashë këtë për të thënë që nuk ka lidhje fare nëse jam apo jo në qeveri. Ka lidhje me faktin që Shqipëria nuk po qeveriset siç duhet në 3 vite dhe premtimet nuk po mbahen. T’i heqësh një trupi politik zgjedhjet është njësoj si t’i heqësh sytë një njeriu. Sepse zgjedhjet janë karburanti, rrota e një partie. Këto janë pak a shumë kontestimet e mia.

Flet ndryshe në parti, flet ndryshe në publik…(Shfaqet video e fjalës së Taulant Ballës në Elbasan)
A ishte parti atje ku isha unë? Shumë njerëz më kërkojnë të reagoj kur flasin… në çdo parti ka edhe ballistë, edhe partizanë. Unë për fat nuk hyj te ballistët. Ai (Balla) për vete ende nuk e ka kuptuar se çfarë është. Unë flas në çdo vend njësoj, në grup parlamentar, në Asamble, në mbledhje të ngushta. Flas gjithmonë njësoj. Këto janë banalitete, të cilat unë nuk kam arsye të replikoj.
Paska ballistë në PS?
Jemi mësuar ne të kemi këtë ndarje folklorike prej 70 vitesh.
Kush është pushtuesi në PS?
Unë i quaj kolaboracionistë. Unë bëra një metaforë dhe brezi im është rritur me këto metafora. Çfarë, t’i kthej përgjigje?
Argumentet e tua, që ngjajnë disi me opozitën. Ju thoni që grupi është i kriminalizuar, këtë e thotë edhe opozita?
Opozita po merr disa nga gjërat që them unë. Mua nuk më thotë asgjë që meqë i thotë opozita, s’duhet t’i them unë. Nëse sot është e enjte dhe unë them është e enjte, kjo s’ka lidhje. Unë them gjëra që besoj dhe nuk kam pse druhem. Unë mund të isha pak më i matur brenda një partie që respekton rregullat. Kjo është një parti që nuk bën zgjedhje. Ky thotë po fyen socialistët. Cilët socialistë po fyej unë? Unë po them që në grupin parlamentar ka deputetë me precedentë penalë. Unë duhet të them që s’ka. Edi Rama del e thotë më gjeni një kriminel.
Armando Prenga ka thënë që kam ngrënë bukë me Blushin…
E para, buka nuk i përmendet askujt në Shqipëri. E dyta, ka ndodhur para dy muajsh, si të them unë që s’ka ndodhur? Nëse unë nesër çmendem dhe për një konflikt banal, marr një pistoletë dhe i gjuaj. Si të them unë që s’është krim?! PS kërkon që unë të mos e them se paskam ngrënë një drekë. Nxirrni kabllogramet e ambasadës amerikane dhe shihni çfarë kam thënë unë në vitin 2009. Unë kam kryesuar një listë në Elbasan ku është edhe ky, që s’di është ballist apo partizan, (për Taulant Ballën) dhe nuk kishte asnjë me precedentë penalë. Nëse PS në variantin e saj zyrtar nuk ka asnjë me precedentë penalë, edhe SHBA, John Kerry erdhi dhe tha keni bërë mirë me dekriminalizimin. Për çfarë u bë ligji për dekriminalizimin? U bë se ka njerëz me precedentë penalë të verifikuar.
Ju nuk i dinit?
Nga ta dija?! Sigurisht nuk e dija, nuk e bëj unë listën e kandidatëve.
Ju kishit mundësi ta kundërshtonit këtë listë?
Unë nuk dija asnjë nga rekordet e kandidatëve. Në listën e Elbasanit nuk ka asnjë që mund t’i vihet kjo damkë.
Ky është një lloj rebelizmi që ka filluar, çfarë ju lidh ju me PS, kur keni 7 vite që e kundërshtoni këtë pati. Ju nuk e keni gjetur veten në PS?
Ku e dini ju që kam qenë në minorancë? Unë nuk kam qenë në minorancë dhe kjo është e provuar. Unë po kërkoj të di kush ka më shumë vota për gjërat që kërkon.
Pse nuk ikën në një parti tjetër?
Ku të iki? Te PD-ja?!
Krijoni një part i tjetër…
Pse të iki në një parti tjetër. Kjo është një parti që nuk votohet dhe për këtë e kam fajin unë?! Në 2013 zgjedhjet i fitoi Edi Rama.. Nuk i ka fituar Edi Rama në asnjë ditë, i fitoi koalicioni. Po partia ka një frymëzim dhe ishte Edi Rama?
Frymëzimi është personal, jo partiak.
Jeni në “autobusin” e PS dhe po lëvizni në “autobus”?
Nëse kërkon të zbres nga autobusi se autobusi po shkon në greminë, këtë do ta bëj kur ai të bjerë. Por unë jam duke u përpjekur ta ndaloj të shkojë në greminë.
Pse po shkon drejt greminës?
Për fat të keq po qeveris shumë keq PS-ja.
Për çfarë jeni prishur ju me Edi Ramën? Çfarë ndodhi mes jush? A ka pasur një pazar të prishur mes jush?
Nuk ka pasur pazare. Unë nuk bëj pazare me asnjeri. PS ka raste evidente të pazarllëkut. Unë nuk jam pjesë e kësaj. Ka pasur vetëm një raport miqësor për të drejtuar PS dhe Shqipërinë më mirë dhe shumë më mirë. Këto janë gjëra që nuk po ndodhin. Degradim të PS dhe privatizim absolut të një njeriu. E dini ju pse bëhen zgjedhjet? Zgjedhjet bëhen për nesër, jo për dje. Unë kërkoj zgjedhje në PS, jo vetëm sepse është normë dhe askush të mos më japë arsye që nuk kemi zgjedhje se kemi fituar. Edi Rama thotë unë jam zgjedhur dje, pse duhet të zgjidhem për nesër. Unë ditën që autobusi do privatizohet, nuk shkoj në një autobus privat.
Ke dalë në fushatë dhe ke thënë ja ku është kandidati për kryeministër?
Rama thotë që Blushi e përdor si alibi për të rrëzuar qeverinë… Në PS kërkoj zgjedhje për kryetar të PS, jo për kryeministër.
Pse s’bëre një mocion në 2013 dhe të kërkoje zgjedhje për Ramën?
E para, biem dakord me parimin se në çdo republikë parlamentare zgjedhjet i fiton një grup, një parti apo një koalicion. Çfarë qeverie po kërkoj të rrëzoj unë? Unë nuk kandidoj për këtë gjë. Unë kandidoj për kryetar të PS.
Nëse ju kandidoni për kryetar dhe f i toni , atëherë bëheni kryeministër.
Mos e frikësoni Edi Ramën, se është shumë i frikësuar. Mos ia krijoni këtë paranojë se e pashë kur erdhi tek ty para një jave dhe dridhej.
Pse Rama nuk u është kthyer asnjëherë me të njëjtën ashpërsi që flisni ju?
E ka hedhur Rama gotën me ujë në mbledhje? Edi Rama në atë mbledhje u mbyt në një gotë ujë. Kjo mënyrë është mënyrë për t’i ikur debatit. Për të thënë që ky debat nuk është, por ky debat është themelor. Nuk mund të pretendojmë që po ndërtojmë një shoqëri demokratike nëse nuk kemi demokraci. Edi Rama është dhunuesi më i madh i demokracisë. Partinë që drejton që nuk e ka të vetën, 7 vitet pa zgjedhje dhe ju thoni pse të votohet.
E vendos Kongresi..
Kongresi nuk mund të vendosë nëse ka apo jo zgjedhje. Një kongres që merr vendimin që s’ka zgjedhje, ka falimentuar. Nuk ka të drejtë kongresi ta marrë këtë vendim. Statuti i ri që do miratohet nuk ka fuqi prapavepruese. Kjo është një marrëzi e lindur nga nevoja e një njeriu që ka frikë të votohet. Pse ka frikë të votohet?
Se mund të thotë se kam qeverisur mirë. Kam ulur varfërinë, kam marrë më pak borxh… Unë të isha në vend të Ramës, të kisha kaq bilanc pozitiv, do thosha që sonte të votohem. Ky është kryeministri i vetëm në botë që ndan më shumë tesera se sa vende pune. Në Elbasan ju fishkëllyen.. Ajo ishte një bandë e sponsorizuar. Ishte një bandë prej 20 vetash, nuk ishte forum.
A mendoni se i provokuat ata njerëz atje, duke i quajtur banditë?
Ti mendon se unë shkova dhe shava veten time? Hyrja në sallë e një njeriu si puna ime, deputet në atë qytet. Në momentin që hyj, më rrethojnë 10 veta. Ajo çfarë kam thënë unë atje, ishte pasoja. Unë kam reaguar dhe u kam thënë banditë, sepse disa prej tyre janë me precedentë. Keni parë që Edi Rama të thotë që distancohem nga ata banditë. Ky është fat i keq, që PS po inkurajon dhunën. PS po nxit jo vetëm dhunë, jo vetëm futi kriminelët në parlament, por po nxit mediokritetin elitar. Sot në PS ka mediokritet elitar. PS-së nuk i falet të stimulojë këtë lloj mediokriteti.
“Je bërë si çiftja e jevgut…”, keni thënë në Elbasan..
Kjo është një batutë, nëse ka njerëz nga komuniteti rom që janë ofenduar, u kërkoj ndjesë. Por ishte një moment, iu drejtova një njeriu që ishte i denatyruar. A i keni kërkuar ju të ishin pjesë e qeverisë Ramës?
Nuk i kam bërë kurrë një bisedë të tillë. Unë nuk hyj kurrë në qeveri me Edi Ramën. Pse nuk hyni në qeveri me Ramën? A është paragjykim? Nuk jam aq mediokër sa të hyj në këtë qeveri me ministra mediokër. Po qeverisin Shqipërinë në mënyrë mediokre. Ky njeri është mediokër. Edhe Edi Rama? Po, absolutisht. Kjo është një qeveri e keqe, sepse nuk po krijon vende pune, korrupsioni nuk po zbutet. Po u rrit faturën sociale shqiptarëve.
Pse i keni votuar nismat e kësaj qeverie në parlament?
Asnjë nismë s’ka ardhur në parlament. E kam votuar duke mbyllur hundët. Ta them përse. Që metoda se si po qeveris kjo qeveri duhet të ndryshojë, në këtë kuptim thashë rrëzim, se nuk jam për të marrë armët dhe për t’ia dhënë pushtetin PD. Duhet të rrëzohet si metodë autokratike, që shpërndan më shumë tesera se sa vende pune.
Nëse kongresi vendos që Rama të mos zgjidhet, ju do vazhdoni të rrini më në PS?
Në radhë të parë nëse Edi Rama, se kongresi s’ka asnjë faj. Aty në atë kongres nuk do ketë votim të mbyllur dhe një numër delegatësh janë vartës të kryeministrit. Një ditë, më merr në telefon një miku im, më tha dua të më bësh një nder. Patjetër, i them unë. Nuk po fus dot djalin në punë. Ti e sheh që unë s’kam asnjë mundësi, i thashë. Këtë e di – tha – po dua të më bësh një nder tjetër. Ty më tha të përgjohet telefoni. I thashë nuk e besoj, po kjo s’ka pikë rëndësie. Unë kam vetëm një mundësi të më marrin me sy të mirë. Më merr në telefon dhe unë do të kundërshtoj. Duke të të sharë ty në telefon, biografia ime ndryshon. Nëse dikush shkon në këtë degradim dhe besoj se e vetmja meritë është kjo gjë, që përmes përgjimit të telefonit tim, ai të më kundërshtojë mua, duke qenë miku im, kjo është katastrofë.
Do vazhdoni të jeni pjesë e PS-së?
E para, unë jam i bindur çfarë do ndodh në kongres. Kongresi do mblidhet dhe nuk do pranojë të ketë zgjedhje me parimin “një anëtar-një votë”. E dyta, me shumë gjasë ky kongres do marrë parasysh një llastim të Edi Ramës për referendum. Ç’ka është llastim? Kjo është e padrejtë komplet. Qytetari i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, është çështje apo person? Unë e di për person. Ku ndryshon zgjedhja nga referendumi? Kur ka zgjedhje, kandidoj unë me Fevziun; kur ka referendum shkohet për çështje. Ky që quhet kryetari i partisë nuk ka mandat. I ka skaduar në 2013- ën. Si do reagoni ju nëse kongresi vendos siç parashikuat ju? Unë jam në një dilemë të madhe. Nuk lidhet personalisht me mua. A është një parti normale nëse nuk bën zgjedhje dhe qeveris kaq keq. Sigurisht nuk kam një arsye të marr një vendim ditën e kongresit, ku do vendoset të shkohet në një referendum të marrësh. Kush do i numërojë këto vota? Unë kam marrë një vendim me veten time që të them çdo ditë të vërtetën. Do rri në PS apo jo, nuk e them këtë. Nëse padrejtësia në PS kthehet në normë, në banalitet si në Elbasan, unë flas. Do vazhdoj ta bëj. A është ky projekt? Sigurisht që do kem një projekt. Bindja ime është kjo Shqipëria sot më shumë pas një viti, pas dy vjetësh, sepse asgjë nuk ka gjasë të shkojë mirë me mënyrën se si po qeverisin partitë në Shqipëri, përsa kohë parashikoj që me këtë sistem që kemi, me këtë mediokritet elitar, me këtë shkallë për 5 vite, ndoshta edhe për një dekadë gjërat në Shqipëri nuk do shkojnë mirë. Për këto arsye me apo pa mua, me ndihmën time apo pa asnjë mundësi për një vit, apo dy vite, për tri vite në këtë vend do krijohet një parti tjetër, një fuqi tjetër. Kush do e bëjë, opozita që është një fundërrinë. Ky vend do gjejë shpejt mënyrën për të reaguar. Kongresi kështu do jetë një gjyq për mua. Nuk i tremben këtij gjyqi. Ky vend do gjejë frymëzimin për ta ndryshuar Shqipërinë. Pse jam kaq i revoltuar dhe i pakënaqur, sepse e gjithë inercia e shpresa që u grumbullua në 2011, 2012, 2013 u abortua, avulloi. Unë nuk dua ta rrëzoj këtë qeveri. Unë nuk dua që PS të dalë në opozitë. Ky nuk është projekti im. Ky është i këtyre që kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Aty ka ministra që s’duhet të jenë as arsimtarë shkolle. Unë nuk kam kërkuar zgjedhje të parakohshme.
A doni të bëheni kryeministër?
E para, kjo nuk është çështje gallate. Për sa kohë ka një garë, ajo duhet të ndodhë. Në bazë të rezultateve të asaj gare, unë mund të jap përgjigje. Nëse ka garë për kryetar.
Statuti i PS thotë që ka garë për kryetar. Statuti i PS thotë që kryetari i PS është njëkohësisht edhe kryeministër…
Thuaji Ramës, do jetë kryeministër deri në 2017, pa asnjë diskutim zgjidhem apo jo unë kryetar i PS-së. Do shkelni statutin? Kjo është zgjedhja e tij dhe e PS-së. Unë them që kjo garë është për këtë punë, garë për kryetar të PS-së. Natyrisht, disa mediokër do t’i hiqja nga aty dhe do i bëhej qejfi Shqipërisë. Ka shumë ministra mediokër, që nuk e meritojnë të jenë aty.
Mendoni që Rama e humb garën për kryetar partie?
Unë them që po.
Pse s’keni akses në “Facebook”?
Unë nuk kam një llogari në “Facebook”, apo në rrjetet sociale, sepse konsideroj komunikim fals. “Instagram”- in e partisë sime e përdorim këta partizanët e partisë sime për të parë sa të bukur janë. Nuk kam një kompleks të hap, kjo është false. Unë jam rob i mendimeve të mia, jo i fotografive të mia. Unë nuk kërkoj vota me “Instagram”, me “Facebook” dhe “Twitter”.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: