Kandidati i PS në Shkodër Benet Beci ka publikuar një video me rrëfime të qytetarëve lidhur me investimet që janë bërë nga projektet që ai ka drejtuar në vend prej shumë vitesh.

Ndërsa thotë se përvoja e tij është mbështetur te njerëzit, tek ajo që ata dinë, duan e kanë nevojë, Beci shkruan se të njëjtin parim po ndjek edhe në përfshirjen në politikë.

“Unë jam Benet Beci, menaxher e drejtues i projekteve të zhvillimit në vend prej shumë vitesh. E gjithë përvoja ime është mbështetur te njerëzit, tek ajo që ata dinë, duan e kanë nevojë. Të njëjtin parim po ndjek edhe në këtë rrugë të re të përfshirjes sime në politikë.
Prandaj fushata që ndërtuam me skuadrën time, jo vetëm në terren, por edhe mediatikisht, ka në qendër njerëzit në qarkun e Shkodrës. Dua t’ju falenderoj të gjithëve, që vullnetarisht u bëtë protagonistë të saj. Disa prej jush gjatë këtyre viteve të ndërhyrjeve në qarkun Shkodër, kanë qenë nxitës, mbështetës, indiferentë, dyshues apo edhe kundërshtarë, por që sot janë dëshmitarë sesi zhvillohet zona ku jetojnë, kur bashkëpunimi bëhet motori i zhvillimit dhe puna është kryefjala.
Disa të tjerë po presin me shpresën që t’i shohin të realizuara punët që kemi nisur e që do të vijojmë në këtë qark. Të gjithëve na bashkon dashuria për Shkodrën dhe nevoja e ngutshme që ajo të zhvillohet ekonomikisht dhe jeta e çdo banori të saj të përmirësohet. Më duhet mbështetja juaj që ne ta bëjmë shpejt këtë gjë, sepse ky është katër vjeçari për Shkodrën! Çdo votë e secilit prej jush, është përgjegjësia ime”, shkruan Beci.

“Ky është 4-vjecari për Shkodrën prandaj duam besimin tuaj” thotë ai në video.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb