Pas transferimit gjatë verës te Tirana, Bernard Berisha ka shfrytëzuar hapësirën e krijuar nga angazhimet e kombëtares për t’u rikthyer në Rusi, aty ku ka kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij. Sulmuesi anësor ka udhëtuar drejt Groznit, ku është pritur nga ish-klubi i tij, Akhmat Grozni.
Klubi rus ka publikuar edhe një video nga vizita e Berishës, duke rikujtuar lidhjen e veçantë që lojtari ka krijuar me skuadrën gjatë viteve të tij në Premier Ligën ruse. Gjatë qëndrimit në ambientet e klubit, Berisha është përfshirë edhe në një aktivitet ku ka përzgjedhur formacionin më të mirë me futbollistët me të cilët ka luajtur gjatë periudhës së tij te Akhmat Grozni. Berisha ka qenë një prej futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës ruse, ku ka zhvilluar gjithsej 199 ndeshje.
Në këto paraqitje, ai ka arritur të shënojë 28 gola dhe të regjistrojë 23 asistime, duke lënë gjurmë në historinë e klubit. Aktualisht, 34-vjeçari është pjesë e Tiranës dhe ka kontratë me klubin kryeqytetas deri në përfundim të sezonit 2026-2027.
