Analisti, Mentor Nazarko i ftuar në ‘News24’ foli për zhvillimet  politike në vend.

Nazarko komentoi deklaratat e presidentit Ilir Meta, të cilat kishin në objektiv kreun e PD, Lulzim Basha.

Për analistin, ishte Meta që u provokua nga kryedemokrati Basha.

“Ai u provokua nga vetë Basha. Reagimi nuk është vetëm i tij, si pasojë e sulmeve të zotit Basha. Basha bëri një lloj diferencimi duke e dalluar nga LSI kur tha se 2 javët e fundit të fushatës ku Presidenti ishte i përfshirë  agresivisht ishte njeri ndër faktorët që solli edhe humbjen e opozitës. Por duhet kuptuar se edhe Basha që kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve edhe Meta që e plotësoi atë kërkesë kishin nga pak të drejtë”, tha Nazarko.

I pyetur nëse mund të ketë një opozitë të ardhshme Berisha-Meta, Nazarko tha se kjo mund të duket diçka e besueshme. Ai konsideroi si të besueshme një hipotezë, sipas të cilës qëllimi më i largët i ish-kryeministrit Sali Berisha nuk duket të jetë ai i kryesimit të PD.

“Kjo ngjan e besueshme, sepse ka zëra që thonë se Berisha nuk ka objektiv kryesimin e PD dhe kandidimin për kryeministër. Çka është e sigurt: Berisha po zhvillon një betejë që tenton tëpastron imazhin e tij brenda vendit, dhe në kuadër të betejës për dinjitet po hakmerret edhe ndaj tij që duhet të ishte njeriu më besnik, por edhe hapjen e rrugës. Në fund të fundit, kjo që po shohim ngjan si një lloj energjizimi i opozitës, por nuk po sjell fuqizimin e saj së jashtmi, kundrejt kundërshtarit”, tha ai. Gjatë bisedës në studio, Nazarko gjithashtu  tha se po krijohet një dialektikë e re e opozitës.

I pyetur se cilën prej të vërtetave beson, më shumë,- thëna nga Basha, Berisha, Meta, Nazarko pohoi: “Besoj më shumë të vërtetat e Metës, pra versionin që ai ka dhënë për zhvillimin e ngjarjeve të ndërlidhura me mandatet apo zgjedhjet. Besoj, se nuk është i njohur si gënjeshtar i madh, brenda marzhit të gënjeshtrave që thonë të gjithë politikanët kudo që ndodhen. Ai për shkak të rolit të tij ka pasur më shumë kontakt me ndërkombëtarët dhe ka kuptuar se cila ka qenë ndjeshmëria e tyre në lidhje me shmangien e një skenari destabilizues. Meta ndërkohë rregullisht, është i orientuar saktë taktikisht, me përjashtim të momenteve kur humb qetësinë. Nuk i besoj versionit të Berishës kur thotë se vendimi për djegien e mandateve ishte ekskluziv i Bashës, por besoj që Basha mund të ketë keqinterpretuar një lloj kriticizmi që vinte nga kristiandemokratët gjermanë, si inkurajim për të krijuar situatë revolucionare, që do të çonte në zgjedhje të parakohshme, për të vendosur ekulibër të ri. Ndoshta zbardhja e vendimit të  Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale, do të mund të përcaktojë një rol të veçantë të presidentit Meta, fakt që mund të shërbejë si provë për procesin tjetër të kësaj Gjykate në janar, kur do të diskutohet për shkarkimin e tij nga parlamenti.

Duke ju referuar zhvillimeve brenda opozitës, ai tha se sot ka rëndësi fakti që PD nuk po mund të tresë një krizë që e ka krijuar vetë, në krizën e saj është përfshirë krejt opozita dhe madje dhe presidenti, dhe mjerisht i mungojnë figurat përbashkuese. Në gjithë këtë situatë kësisoj, Rama është duke fërkuar duart, dhe është i qetë . Në emër vendimit të rëndësishëm të çeljes së negociatave, bashkësia ndërkombëtare do qetësi në Shqipëri, dhe ky është faktor plotësues që kontribuon në qetësinë e tij dhe në mungesën e një shpërthimi të madh brenda opozitës që do të reflektohet së jashtmi.

I ndalur tek  thirrja e Kuvendit nga ana e ish-kryeministrit,  Sali Berisha dhe nga kreu i PD-së Lulzim Basha, analisti tha se pritet që të kemi dy grumbullime, në datat e thirrura.

“Në 11 mund të kemi një grumbullim që do të paraqitet nga organizatorët si Kuvendi Kombëtar i PD,  dhe askush nuk mund të verifikojë besueshmërisht në kohë reale nëse janë vërtet anëtarët. Në datën 18 do të zhvillohet po ashtu një tubim ku udhëheqësia aktuale e PD do ta quajë legjitim. Kjo përplasje në kufijtë e absurdit, e paparashikuar në asnjëlloj statuti, do të përfundojë në gjykatë.  Natyrisht mund të ketë një zhvillim që është duke u konsumuar jashtë vëmendjes së publikut, ku disa figura që kanë dhënë firma për  mbledhjen në datë 11 ti japin firmat edhe për Kuvendin tjetër. Askush nuk mund të verifikojë privatisht autenticitetin e mijëra firmave. Pra do të kemi dy grumbullime.

I pyetur si i sheh ai dy opozitat që mund të konfirmohen, ai tha, se asnjë nga të dy opozitat nuk është frymëzuese, nuk kanë brenda ndonjë risi. Basha në 8 vite nuk arriti të afirmojë një grup të fuqishëm me ndikim të figurave të reja. Madje një pjesë e tyre, që ai i mori si prikë politike, madje duke i promovuar më shumë sesa vetë Berisha, e kanë tradhëtuar duke kaluar nga Berisha. Basha me gjasë e kërkon konfliktin tani, sipas parimit kinez- turbullo që të sqarohet, në mënyrë që të orientohet pastaj tek një kahje tjetër, hapëse, bashkuese, etj. Le le të shpresojmë që ai do ta hapë partinë për figura të reja. Besoj që tashmë që është i lirë nga hipoteka e së kaluarës, ka më shumë mundësi ta demokratizojë atë”, tha më tej Nazarko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb