Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar me tone të ashpra reformën e re territoriale që pritet të votohet në Kuvend, duke akuzuar mazhorancën se po shkrin bashki për interesa elektorale.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha u bëri thirrje deputetëve që të mos votojnë reformën dhe të mbrojnë interesat e qytetarëve që përfaqësojnë. Ai akuzoi qeverinë për presion ndaj deputetëve dhe tha se bëhen pazare për miratimin e hartës së re territoriale.
Berisha theksoi se të gjitha bashkitë nesër duhet të ngrenë “shtyllat e turpit” dhe do të vendosin me gërma të zeza emrat e atyre që tradhtuan zgjedhësit e tyre. Në veçanti, ai kundërshtoi ndryshimet që prekin zona si Fushë-Arrëzi, Puka, Divjaka, Klosi dhe disa njësi të Durrësit, duke deklaruar se reforma po u mohon qytetarëve të drejtën e vetëqeverisjes.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha në Kuvend
Të dashur qytetarë dhe qytetare!
Ndërkohë që zhvillohet ky debat, njeriu me 5 mbiemra këtu në parlament, që ka porosi të vrasjeve, që është i implikuar me tre kartele droge, bën presion mbi deputetët dhe bën pazare për t’i detyruar që të votojnë.
U bëj thirrje përfaqësuesve të Fushë-Arrëzit dhe të Pukës, përfaqësuesve të zonave të tjera të zgjedhin dinjitetin, karakterin, nderin dhe përfaqësimin e qytetarëve, pa u dorëzuar para Edi Ramës dhe pazareve të tyre të pista.
Dënoj me forcën më të madhe dhunën, terrorin nga narkopolicia e Skënder Ballukut dhe Edi Ramës ndaj kryetarit të Bashkisë të Memaliajt.
Hakmarrje primitive ndaj tij për faktin se qytetarët e Memaliajt refuzuan Edi Ramën. I propozoj Bashkisë Divjakë, Bashkisë së Durrësit, i propozoj të gjitha bashkive, të ngrenë që nesër shtyllat e turpit për të shkruar me gërma të zeza emrat e këtyre tradhtarëve të zgjedhësve të tyre që dalin këtu dhe na thonë se Divjaka aty do mbetet, se Klosi nuk lëviz.
Çfarë jeni këtu mor ju, çfarë jeni ju?
A keni ju, a keni turp nga vetja juaj që flisni në këtë mënyrë?
Si mund të zbrisni në zero?
Hë, edhe ky i Kodrës së Kuajve, erdhi këtu. Që edhe ky foli.
Atëherë shkoje atje ti. Shkoje ti, do ta them unë ty. Po po, deputeti i Kodrës së Kuajve.
Dëgjoni këtu!
Manza, Sukthi, Rrushbualli, Ishmi, janë 105 mijë banorë. Janë 105 mijë banorë dhe u mohojnë vetëqeverisjen në mënyrën më kriminale vetëm për qëllime elektorale.
Pra, absolutisht nesër po të dalim në pushtet do ngremë shtyllat e turpit për ju.
