Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të vijojë betejën ligjore kundër reformës territoriale, e cila u miratua një ditë më parë në Kuvend me votat e Partisë Socialiste, ndërsa PD ishte kundër. Në një dalje për mediat, Berisha njoftoi se ka nisur mbledhja e firmave për referendum dhe se nuk përjashtohet asnjë mundësi ligjore, përfshirë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Berisha akuzoi deputetët që votuan reformën se vendimmarrja e tyre është diktuar nga interesa personale dhe familjare, ndërsa e cilësoi votimin e zhvilluar gjatë natës si një akt të paprecedentë.

“Deputetët, nuk bëhet fjalë për nder dhe dinjitet, por bëhet fjalë për interesa të tyre vetjake dhe familjare. S’ka ndodhur kurrë një gjë e tillë, më inkriminuese sesa mbrëmë, nga ora 1 e 30 e natës. Duke dënuar këtë akt, PD deklaron se do të vazhdojë çdo betejë ligjore kundër ekzekutimit të vendimit të 15 bashkive. Kemi nisur mbledhjen e firmave për referendum. Do të studiojmë të gjitha modalitetet e referendumeve lokale dhe kombëtare.

Kemi bindjen më të thellë se mbrojmë interesat e qytetarëve shqiptarë nga një bandë, nga një organizatë kriminale që quhet parlament. Nuk përjashtohet asnjë mundësi ligjore për të çuar padi në Kushtetuese. Ne bëmë avokatinë e qytetarëve në 15 bashki, në 14 orë. Paraqitëm çdo argument në interes të qytetarëve, por u shumëzuan me zero për interesa elektorale të padrinos dhe partisë së tij. Çdo hapësirë ligjore për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve do ta shfrytëzojmë.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: