TIRANË– Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24, duke folur për protestën e 20 shkurtit të opozitës, tha se demonstrata dha shenja pozitive për bashkimin e opozitës. Murati shtoi se sidoqoftë ka shumë punë për bashkimin e spektrit opozitar.

‘Për protestën, vetë Berisha tha se do të ndodhë përmbysja e regjimit, siç tha ai, por nuk ndodhi kështu. Por ishte një protestë, ku populli demonstroi pakënaqësi. Meta, Kryemadhi dhe Idrizi munguan në Federatën e Opozitës së Bashkuar. Berisha është simpantizant i protestës, shumica e njerëzve dolën në shesh pas thirrjes së Sali Berishës. Protesta ishte një hap drejt bashkimit, por ka ende punë. Protesta kishte risi dhe gjuha e Berishës ishte disi më e lëmuar, nuk ishte e vrazhdë. Berisha apo liderët e opozitës duhet të bëjnë për vetë edhe ata njerëz, që janë të pakënaqur dhe që jo domosdoshmërisht janë me PD-në. Berisha ishte i ndërgjegjshëm që i fliste një mase më të madhe, jo vetëm besnikëve të tij. Opozita duhet të ketë emra të rinj për zgjedhjet e vitit 2025. Duhen politikanë, që fjalët e tyre përputhen me veprat’, tha Murati.

Erl Murati theksoi se ish-kryeministri Sali Berisha duhet të reflektojë për tërheqjen e tij të mundshme nga politika. Sipas Muratit, opozita e bashkuar duhet që të ketë një tjetër emër si kandidat për kryeministër dhe jo Berishën.

‘Opozita ka disa probleme. Kodi Zgjedhor nuk e favorizon një opozitë të ndarë. Përçarja nuk e favorizon opozitën. Ka nevojë për reformim të PD-së dhe të opozitës në tërësi. Asnjë kryetar i asnjë partie, qoftë dhe partitë e vogla, nuk dhanë dorëheqje, edhe pas humbjes në zgjedhje. Berisha duhet të ketë reflektim për tërheqjen e tij. Opozita duhet të jetë e vetëdijshme se duhet të shkojë në zgjedhje me emër të ri për kryeministër. Berisha është dhe në arrest shtëpie e nuk arrin të bëjë as fushatë. Pavarësisht për rolin pozitiv për shtrëngimin e radhëve që ka Berisha, unë besoj se do ishte pozitive për Federatën e Opozitës, nëse do kishte figurë politike, që bashkon opozitarët’, u shpreh Erl Murati.

Në lidhje me ligjin për amnistinë penale, Murati vlerësoi se ky ligj iu shërben partive të mëdha politike në vend dhe jo popullit shqiptar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb