Kurban Bajrami është një nga festat më të rëndësishme në besimin mysliman dhe festohet nga miliona besimtarë në mbarë botën.
Ditën e sotme në Shqipëri Kurban Bajrami u festua në të gjithë vendin ku besimtarët uruan për më shumë paqe, mirësi e begati.
Imami i xhamisë së Et’hem Bej, Elton Karaj në një intervistë në “News24”, foli për këtë festë të rëndësishme të besimit mysliman. Gjatë intervistës në studio, Imami Elton Karaj u shpreh se Kurban Bajrami është një festë përkushtimi ndaj Zotit.
“Kurban Bajrami është një festë përkushtimi ndaj Zotit. Një përkushtim i sinqertë, në thelb është adhurimi ndaj Zotit. Fjala Kurban do të thotë që t’i të afrohesh me Zotin të fitosh një respekt. Kjo si aktivitet në kuptimin e sakrificës është e lashtë sa vetë njeriut”, i shpreh ai, duke shtuar: “Kjo është një festë shumë e njohur dhe e përhapur. Namazi i Bajramit ngjan me namazet e tjera ditore, por ka disa shtesa. Dhe kjo bën një diferencim të vogël nga faljet e tjera, por në thelb nuk ka një ndryshim të madh. Festa bëhet më e gëzueshme kur të gjithë njerëzit bëhen bashkë”.
Një nga traditat kryesore të kësaj dite është therja e kurbanit, zakonisht një dele, dhi ose kafshë tjetër e lejuar. Mishi ndahet me familjen, të afërmit dhe sidomos me njerëzit në nevojë. Kjo simbolizon bamirësinë, ndihmën dhe kujdesin për njëri-tjetrin.
Festa shërben gjithashtu si një moment reflektimi për faljen, dashurinë dhe forcimin e lidhjeve shoqërore e familjare.
