Besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë mëngjesin e së mërkurës iu drejtuan xhamive të qyteteve për faljen e Kurban Bajramit. Teksa kujtuan sakrificën sublime të Hazret Ibrahimit besimtarët dërguan përmes tekbireve falënderime për Krijuesin e Gjithësisë.
Në Shkodër përpara faljes së namazit, ku ishin mbledhur qindra besimtarë, Myftiu Muhamed Sytari në këtë ditë të sakrificës dhe përkushtimit ndaj tjetrit u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë pranë familjeve të tyre dhe të pamundurve, duke e cilësuar emigrimin si plagë të shoqërisë sonë.
Besimtarët në Elbasan u mblodhën për të falur namazin në e Kurban Bajramit përpara sheshit të Kalasë, kurse Hytbja e rastit u mbajt nga Myftiu i Elbasanit Agim Duka.
Në Fier namazin e Kurban Bajramit besimtarët në sheshin e qytetit, ndërsa falja u drejtua nga Myftiu i Fierit, Mikel Hazizolli. Myftiu i Lushnjës, Gramoz Blliku drejtoi lutje për paqe.
Edhe në qytetin e Durrësit besimtarët myslimanë falën namazin e Kurban Bajramit në Xhaminë e Madhe, kurse besimtarët shkëmbyen me njëri-tjetrin urime për shëndet dhe begati në familje.
Falja e namazit për Kurban Bajramin në Berat u mbajt në pedonalen e qytetit dhe u drejtua nga Myftiu Bilbil Talla, i cili iu bëri thirrje besimtarëve të tregohen më solidarë.
Besimtarët myslimanë në Korçë iu drejtuan xhamisë historike “Iliaz Bej Mirahori” për të falur namazin e Kurban Bajramit. Ata u lutën për shëndetin e njëri-tjetrit dhe për harmoni në familje.
Në këtë ditë sakrifice, Myftiu i Gjirokastrës Ermin Gjana, teksa drejtoi faljen e namazit u bëri thirrje besimtarëve të ndarjë sofrat e tyre me ata që kanë më pak mundësi.
Në Kavajë qindra besimtarë u mblodhën në sheshin e qytetit për të kryer faljen e Kurban Bajramit. Falja u drejtua nga imami Gentian Nela, kurse besimtarët uruan njëri-tjetrin për ditë më të mira.
Në Pukë falja e namazit të Kurban Bajramit u krye në xhaminë historike të Kodër Hanit, kurse rituali u udhëhoq nga Myftiu Gëzim Kopani
Në Kukës imami përcolli urime për paqe, solidaritet dhe mirësi për të gjithë besimtarët, kurse falja e namazit u bë në xhaminë e qytetit.
Në Sarandë falja e namazit u drejtua nga myftiu Bledar Mullaj, i cili uroi besimtarët për më shumë dashuri dhe mirësi në familjet e tyre.
Pas faljes së namazit, besimtarët bëjnë kurban dhe mblidhen në një drekë familjare dhe një vëmendje e veçantë iu kushtohet njerëzve në nevojë.
