Analisti Mentor Nazarko komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, zhvillimet brenda Partisë Demokratike, duke u shprehur se “beteja Basha-Berisha mund ta bëjë copë e çik partinë”.

Më tej, analisti Nazarko renditi disa parashikime lidhur me faktin nëse do të mblidhet ose jo Kuvendi Kombëtar i PD, ndërsa solli në vëmendje edhe barrierat që mund të përdoren, nëse beteja shkon në gjykatë.

“Basha po përpiqet të fitojë simpati publike, përmes iniciativave si vettingu i politikanëve, apo t’ reagojë Berishës gjë që nuk e kishte bërë më parë. Së pari, duke parë statutin e PD, ne kemi parashikime për mbledhjen e Kuvendit, që i njohin kompetencë ekskluzive kryetarit apo kryesisë dhe përdoret fjala “mund” për ¼ e anëtarëve. Kuvendi e dimë që ka përmasa kineze, me rreth 7 mijë veta. Po ashtu, parashikohet se kush e menaxhon këtë masën kineze, që të marrë vendime, dhe që është pikërisht një kryesi prej 5 anëtarësh, që i zgjedh kryetari. Kjo është barriera e dytë.

Barriera e tretë është gjithashtu juridike, konceptuale. Basha është zgjedhur me parimin një anëtar, një votë pra nga anëtarësia, por Kushtetuta e partisë e parashikon një mekanizëm, kur me mocion të Kuvendit ai shkarkohet. Elementi i fundit është vërtetësia e firmave. Ky ishte rrafshi juridik i të gjithë elementëve të mundshëm që do të përdoren, nëse beteja shkon në gjykatë.

Ka një këndvështrim tjetër, raporti i forcave brenda kuvendit apo partisë. Dikush thotë se para se të fillonte “foltorja”, Basha ishte më popullor në anëtarësinë e PD, por me aktivizimin e Berishës, balanca kaloi në favor të tij. Ky është një sondazh i bërë kur Basha ishte pasiv, por tani ai ka filluar të flasë. Duhet kuptuar se Basha i ka ruajtur disa municione në ditë të vështirë si kjo, ndaj do duhet një sondazh tjetër për të kuptuar si qëndron sot raporti i forcës.

Kjo është një betejë që mund ta bëjë copë e çik partinë. Është e vërtetë që kjo që po bën Berisha i ka dhënë një dinamizëm të ri partisë. Por, ku ishte Berisha vetëm dy javë më parë, kur Harxhi, Kadilli, Nishani, Imami e të tjerë kërkuan ndihmë? Ai u ktheu kurrizin. Sot, Berisha po bën një betejë që të largojë Bashën, që nuk e mbrojti, dhe të zgjedhë dikë ose veten, pra t’i dalë përballë Amerikës, dhe kjo është një gjest trimërie i Berishës, por është një gjest përplasjeje me SHBA; ose mund të zgjidhet dikush tjetër, që ta mbrojë Berishën ndaj Amerikës”, u shpreh Nazarko, duke shtuar se “SHBA nuk e percaktuan Berishën non grata që ai të perfundonte të bëhej kryetar i PD sërish”.

Duke u ndalur shkurtimisht te mazhoranca, analisti theksoi se “Shumica është e lodhur nga qeverisja, është e prekur nga probleme të tilla, si lodhja, mungesa e energjisë, kriminalizimi i lidhjeve me ekonominë, si grupe kriminale në terren, si dhe po vendoset në sfidë të përgjithshme botërore, si energjia. Mazhoranca është e interesuar që fuqia partiake që ka përballë të ketë probleme të brendshme. Basha ngjan i përzgjedhuri i perëndimit. Basha nuk ka media, ndërsa Berisha ka mediat e veta dhe mbështetjen e mediave që më së shumti mbeshtesin Ramën dhe sot sulmojnë Bashën! Rama është dikushi që do të lërë jo gjurmë të vogla apo të mesme, por gjurmë të mëdha dhe do donte që Basha të jetë i dobët, mundësisht edhe Berisha të jetë përqark, që ta sfidojë, që të realizojë idenë e tij megalomaniake të Vizionit 2030!

Nazarko komentoi gjithashtu edhe propozimin e Bashës për vettingun e politikanëve, duke e cilësuar atë një iniciativë populiste dhe të nxituar. Por, sipas analistit, pikëpyetja më e madhe është se çfarë qëndrimi do të mbajë ambasada e SHBA lidhur me këtë propozim të Bashës.

“Kjo është një iniciativë populiste e Bashës, sepse në gjykimin tim provokon, shkel, përplaset me kuadrin e të drejtave kushtetuese, të drejtën për t’u zgjedhur të politikanëve. Ky është një kuadër ndërkombëtar. Në këtë këndvështrim propozimi i Bashës është i tepruar, i ekzagjeruar. Me të drejtë, Berisha thotë se nuk mund t’i kërkosh SPAK të verifikojë ndershmërinë e politikanit. Basha po përpiqet të fitojë kuota popullariteti, por edhe të provokojë të dy palët, edhe Berishën, edhe Ramën, që ta kundërshtojnë të dy, e ai t’i tregojë me gisht se ata janë kundër. Pra, ai do të tregojë se ai është lojtari kryesor, për moshën që ka, që do ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni, ku e mbajnë Berisha e Rama. Pra, Basha në situatën ku vetëm në këto dy muaj është kryetar real i opozitës do të bëjë gjeste fuqie si këto. Nuk dua të them që këto 8 vite ai ka bërë gjithçka duke pyetur Berishën, pasi ky i fundit e ka lejuar të funksionojë gradualisht në mënyrë të pavarur, ama, e donte ta përdorte në një moment kyç si ky, – populli thotë “të desha në ditë të zezë”. Mu në këtë ditë të zezë ata të dy u ndanë. Tani pikëpyetja më e madhe është se çfarë qëndrimi do të mbajë SHBA ndaj propozimeve të Bashës, që mua më duken të nxituara”, përfundoi Nazarko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb