Një zjarr i përmasave të rrezikshme ka përfshirë zonën e Kodër Krastës në periferi të Elbasanit, duke iu afruar banesave.
Flakët rrezikuan drejtpërdrejt dy banesa, duke alarmuar banorët dhe kërkuar ndërhyrje të menjëhershme të shërbimit zjarrfikës. Tre mjete zjarrfikëse dhe 12 zjarrfikës u angazhuan në terren, ndërsa beteja me flakët zgjati rreth dy orë.
Ndërhyrja në kohë bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e zjarrit, duke shmangur përhapjen e tij drejt banesave dhe djegien e tyre.
Njoftimi i policisë
Elbasan
Zjarr pranë banesave në Kodër Krastë në periferi të qytetit të Elbasanit , ndërhyrja e zjarrfikësve parandalon përhapjen e flakëve drejt banesave.
Një vatër zjarri është konstatuar mesditën e kësaj të diele pas Kodrës së Krastës, në Elbasan, duke krijuar rrezik për përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.
Zjarri është shfaqur në afërsi të banesave, ndërsa situata ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme të shërbimit zjarrfikës, pasi dy banesa u rrezikuan drejtpërdrejt nga përparimi i flakëve.
Për përballimin e situatës u angazhuan 3 mjete zjarrfikëse dhe 12 zjarrfikës, të cilët ndërhynë në terren për izolimin e vatrës dhe shuarjen e flakëve. Ndërhyrja në kohë bëri të mundur frenimin e përhapjes së zjarrit dhe shmangien e një situate më të rënduar pranë banesave.Beteja me flakët zgjati rreth dy orë dhe fatmirësisht situata u vu nën kontroll të plotë duke evituar djegien e banesave.
Operacioni u përqendrua veçanërisht në neutralizimin e vatrave dhe krijimin e një perimetri sigurie, me qëllim që flakët të mos përparonin drejt objekteve të banimit.
Rreziku për zjarre në qarkun e Elbasanit si kudo mbetet ende i lartë gjatë kësaj periudhe, për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve që favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve. Në zona pranë banesave, hapësirave të gjelbra dhe sipërfaqeve me bimësi të thatë, edhe një vatër e vogël mund të kthehet në një situatë të rrezikshme brenda pak minutash.
Shërbimi zjarrfikës i Elbasanit në mënyrë të përsëritur çdo ditë u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe përgjegjshmëri, duke shmangur ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.
Veçanërisht në ditët me temperatura të larta, mbetjet e ndezshme, hedhja e pakujdesshme e cigareve apo përdorimi i zjarrit pranë zonave me bimësi të thatë mund të shkaktojnë pasoja serioze për banesat, pronën dhe mjedisin.Zjarret e shumta të kësaj vere kanë shkaktuar dëme me vlera të jashtëzakonshme në zonat rurale dhe ato urbane .
