TIRANE
Një libër për nënën dhe një kohë të errët ku ngërthehet tradita patriarkale dhe një politikë autoritare që shënjon jetët e banorëve në veri. Novela “Bija e vjetër e nënës së re” e Preç Zogajt, bazohet mbi rrëfimin e një gruaje në fundin e jetës, si një rrekje për të shkundër ndërgjegjet dhe për të gjetur paqen, duke ritakuar, imazhin dhe kujtimet e së ëmës dhe një traumë rinie.

“Vjen si një sintezë e një ngjarje që është tronditëse dhe që ka të bëjë me një thyerje të zakoneve, e një virtyti që është në ashtin e racës e njerëzimit nga ndërhyrja e një aksidenti të historisë që është lufta e klasave. Unë temës së historisë nuk i kthehem me qëllim. Për të marrë hakun e padrejtësive e absurditeteve në fund të fundit nuk ka tjetër, veç letërsisë. Milan Kundera thotë se te ndreqja- asgjë s’do jetë e ndrequr, por e harruar. Ndreqja i mbetet harrimit- është e tmerrshme”-thotë Zogaj.

Vitet kur Shqipëria ngryset nën grinë komuniste ndërthuren me fatet njerëzore që papritur përballen me habinë se si një sistem shenjon familjet dhe zhbën traditat, pa e çliruar gruan gjithsesi as në kontesktin familjar, as atë shoqëror ndërsa traditat e Mirditës e Lezhës janë shtrati artistik i veprës.

“Unë mendoj që letërsia duhet të mallëngjejë e të prekë. Me të vërtetë është një libër që e dua, e kam shkruar me frymëzim. Është një libër për nënën, dhe tema e nënës është një temë qendrore edhe në poezinë time” përfundon Zogaj.

Poet e shkrimtar, Zogaj ka sjell në letërsi një histori të afërme duke i veshur trille letrare për të rrëfyer një peng dhe për t’i blatuar nënës një vepër që bëhet më e dashura mes shumë syresh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb