Presidenti i Biznes Albania Luan Bregasi e cilëson një koncesion korruptiv kontratën koncesionare të kompanisë SICPA-s për prodhimin e pullave fiskale, e cila ka përfunduar prej 2 muajsh dhe i kërkon qeverisë që të gjejë sa më shpejt një zgjidhje për furnizimin e bizneseve të cilat janë subjekte akcizë dhe përdorin pulla fiskale. Edhe pse pati kohë për të ngritur infrastrukturën e nevojshme, ministria e Financave dhe Shtypshkronja e Letrave me Vlerë dështoi duke mos arritur dot të prodhojë pullat fiskale.

Kjo situatë, sipas Bregasit ka krijuar dhe do të vazhdojë të krijojë një kosto financiare për biznesin, për të cilat duhet të përgjigjet shteti.

“Përfundoi një koncesion super korruptiv mbi 12-vjeçarë që i mori shqiptarëve dhe biznesit miliona euro në mënyrë të padrejtë.Duhet zgjidhur ky ngerc që ka ndodhur tani. Shteti duhet të ishte përgatitur sepse ata e dinin se kur mbaron afati i koncesionarit. Ka krijuar një stres të madh tek kompanitë e prodhimit të produketve që marrin pullë fiskale. Ministria e financave nuk duhet të ‘flej gjumë’ për këtë gjë. Në rast se ne do të kemi një kosto për këtë shkak shteti të përgatitet të paguaj faturat e biznesit sepse është përgjegjësi e tyre që nuk po i organizojnë punën për të funksionuar në mënyrë normale sistemi i pullave fiskale“, tha Bregasi.

Presidenti i Biznes Albania thotë se duhet të përcaktohet sa më shpejt një kohë se kur do të prodhohen këto pulla fiskale, në të kundërt shteti duhet të penalizojë shoqërinë aksionere të “Shtypshronjës së Letrave me Vlerë”.

“Zgjidhja është shumë e thjeshtë, të marrin përgjegjësinë që kanë, të thirret shtypshkronja që ka marrë përgjegjësi dhe ka kontratën, t’u vihen afatet kohore se kur do fillojë nga puna dhe në rast se gjatë kësaj kohe nuk e plotësojnë, shteti të penalizojë kompaninë që nuk e bën dhe kompanitë private të penalizojnë shtetin që nuk e realizon këtë mision. Janë të gjithë në stres nuk ka arsye që shteti të vendosë në stres biznesin. Përgjegjësitë e biznesit janë të puno,j të prodhoj, të paguaj taksa dhe tatime. Përgjegjësia e shtetit janë të organizojë të gjithë infrastrukturën juridike, ligjore që biznesi të funksionojë në mënyrë normale. Na ka krijuar një shqetësim shumë të madh, mundësia është të bëhet“, u shpreh kreu i Biznes Albania.

Bizneset kërkojnë të pajisen sa më shpejt me pulla fiskale pasi e kanë të pamundur të importojnë produkte dhe t’i tregtojnë ato për shkak të mungesës së pullave fiskale e cila ka sjellë një dëm ekonomik shumë të madh dhe që aktualisht po cenon kontratat ekzistuese që bizneset kanë me palë kontraktore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb