Bizneset të cilat janë subjekte akcize dhe përdorin pulla fiskale po përballen me një situatë të paprecedentë në doganë, për shkak se mungojnë pullat fiskale. Një situatë e tillë po dëmton bizneset të cilat thonë se nuk fusin dot në treg mallin për konsum, ndërkohë që po cenohen kontratat ekzistuese me furnitorët jashtë vendit. Bizneset kërkojnë të pajisen sa më shpejt me pulla fiskale në mënyrë që të vijojnë aktivitetin ekonomik dhe dëmet në të ardhura të mos shtohen në vijim.
Por pas heshtjes 2 mujore, sot Ministria e Financave reagoi lidhur me këtë situatë, përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat. MF shprehet se pullat fiskale do të jenë gati në muajin mars, kur shoqëria e re të nisë aktivitetin, por nuk ka një datë të saktë.
Po ashtu, institucioni nuk sqaron se si do të mbulohen kostot dhe humbjet që i janë shkaktuar biznesit gjatë 2 muajve bllokim të mallrave në dogana.
Njoftimi i Ministrisë së Financave
Ministria e Financave ka ndjekur me kujdes dhe në mënyrë të vazhdueshme shqetësimet e ngritura nga biznesi në lidhje me prodhimin e pullave fiskale, ndaj nëpërmjet këtij njoftimi, dëshirojmë të sqarojmë në mënyrë të plotë dhe shterruese se:
Prodhimi i pullave fiskale deri më datë 31.12.2024 është kryer nga shoqëria koncesionare sipas kontratës së koncesionit “Për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave” të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave, si Autoritet Kontraktues dhe shoqërive “SICPA Security Solutions S.A” dhe “SICPA Security Solutions Albania sh.p.k” të miratuar me ligjin nr. 10381, datë 24.02.2011, i ndryshuar me ligjin nr. 17, datë 16.02.2023.
Me përfundimin e kësaj kontrate, si dhe me qëllim forcimin e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare për prodhimin dhe kontrollin e pullave fiskale nëpërmjet shoqërive shtetërore, gjatë vitit 2024 u ndërmorën ndryshimet e nevojshme ligjore për ngarkimin e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë, që vetë, ose nëpërmjet një shoqërie të krijuar prej saj, të mund të kryejë prodhimin dhe kontrollin e pullave fiskale.
Për këtë qëllim, në zbatim edhe të ligjit nr. 145/2020 “Për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Bashkëpunimin Ekonomik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, një nga iniciativat më të rëndësishme të ndërmarra nga Ministria e Financave, po punohet për krijimin e një shoqërie të re, që do të funksionojë nën administrimin e Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë (SHLV), me qëllim fuqizimin e kapaciteteve të saj në menaxhimin e proceseve të prodhimit dhe shpërndarjes së pullave fiskale.
Kjo shoqëri do të zbatojë teknologji moderne dhe procese të avancuara, me mbështjetjen edhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e besueshmërisë ndaj sistemit të pullave fiskale.
Shoqëria e re do të fillojë veprimtarinë gjatë muajit Mars 2025, duke siguruar një sistem të sigurt, si dhe një cilësi të lartë në procesin e prodhimit e kontrollit të pullave fiskale.
Ministria e Financave dëshiron të sjellë në vemendje se periudha tranzitore nga përfundimi i kontratës së Koncesionit, deri në fillimin e prodhimit të pullave fiskale nga shoqëria, mbulohet nga neni 109, pika 9, e ligjit “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”, që ka parashikuar të drejtën e përdorimit të pullave të porositura, deri me datë 31 mars 2025.
Ministria e Financave shpreh bindjen e plotë se përmirësimi i efikasitetit të sistemit të pullave fiskale do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të procesve tregtare që garantojnë bashkëpunimin ndërkombëtar.
Pse lindi problemi i mungesës së pullave fiskale?
Në maj të vitit të kaluar, qeveria lajmëroi se do të përfundonte koncesionin e pullave fiskale me kompaninë SICPA-s duke e rikthyer shërbimin në pronësi të shtetit. Në atë kohë, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim të posaçëm, që autorizonte shoqërinë shtetërore “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, sh.a., pёr prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale.
Më pas në datën 5 shkurt të vitit 2025 është bërë një ndryshim në këtë vendim ku pas fjalëve “përvec shtypshkronjës së letrave me vlerë” shtohet edhe “vetë ose nëpërmjet një shoqërie të krijuar prej saj”.
(BalkanWeb)