Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko ka nënshkruar ndryshimet në Kodin Penal që parashikon dënimin me vdekje për ata që planifikojnë akte terroriste.

Ligji i ri parashikon dënimin me vdekje për ata që përgatitin akte terroriste ndërkombëtare, veçanërisht kundër përfaqësuesve të një shteti të huaj ose organizatave ndërkombëtare. Kjo kategori përfshin gjithashtu aktet e terrorizmit të kryera nga grupe të organizuara, ose me përdorimin e termocentraleve bërthamore, substancave të fuqishme, toksike radioaktive, kimike ose biologjike, ose të lidhura me krimin e vrasjes, si dhe vrasjen e zyrtarëve shtetërorë ose figurave publike, të kryera në lidhje me veprimtari politike ose publike.

Deri më tani në Bjellorusi dënimi me vdekje nuk zbatohej për përgatitjen e këtyre akteve. Ligji i ri do të hyjë në fuqi 10 ditë pas publikimit zyrtar.

Projektligji ishte miratuar më parë nga të dyja dhomat e parlamentit bjellorus, shpjegon agjencia Ria Novosti, duke shtuar se shërbimi për shtyp i dhomës së ulët të parlamentit bjellorus kishte theksuar se “ligji ishte përgatitur për të ushtruar një efekt parandalues, si dhe për të demonstruar luftën e vendosur të shtetit kundër aktiviteteve terroriste”.

(Tgcom24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb