Deputetja Flutura Açka ka reaguar në lidhje me emërimin e Blendi Gonxhes në krye të Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit.

Në një postim në rrjetet sociale, Açka u shpreh se vetëm po ta kuptosh kulturën si biznes, mund ta bësh këtë kombinim.

Ajo ka shtuar se ky është hapi i parë për privatizimin e plotë të kulturës shqiptare, ndërsa tha se shpreson që ky të mos jetë një vendim anti-shqiptar.

Postimi i plotë:

Hiq bimsë e mbill “pemën e dyzet frutave“
Për kulturën, këtë bankë të heshtur të rilindasve
“Pema e dyzet frutave” është shpikje e njëfarë Sam Van Aken, i cili pasi krasiti e krasiti e krasiti e krasiti një pemë, ia doli më në fund të kishte një trung frutor që prodhonte plot dyzet fruta të ndryshme.
M’u kujtua kjo pemë e kjo zeje krasitjesh me qëllim për të prodhuar më shumë e me larmi, kur dëgjova për emërimin e Blendi Gonxhes si ministër Edhe i Kulturës, duke e hequr ministren Margariti, e cila, ç’është e vërteta, e bëri me shumë devotshmëri rolin e bimsës në kulturën shqiptare.
Mjafton t’ju kujtoj:
Grabitjen e Butrintit
Shembjen e Tetrit Kombëtar
Procedurën antiligjore të kinse Teatrit të Ri Kombëtar
Cilësinë e rikonstruksionit të Teatrit Kombëtar të Baletit
Operetën e rikonstruksionit të Muzeut Historik Kombëtar
Kishat shqiptare të rikonstruktuara në dy mandatet të cilat i kanë humbur nishanet shqiptare dhe kanë marrë pamje greke
Nuk ka përzierje vajuthull më të rrezikshme se sa të vësh në krye të Ministrisë së Kulturës ideatorin e pyllit orbital të Tiranës.
Projektet dhe postet nëpër të cilat ka kërcyer i zgjedhuri për ministrër i kulturës, janë banka të fshehura, të cilave zor iu bie radha për t’u kontrolluar, ngaqë kanë filluar të fosilizohen dhe zullumi është më i dukshëm tjetërkund.
Vetëm po ta kuptosh kulturën si biznes, mund ta bësh këtë kombinim, ose nga nevoja e ngutshme për ta shuar tërësisht edhe atë fije kulturë që merr frymë.
Ky është hapi i parë për privatizimin e plotë të kulturës shqiptare.
U hoq apo e hoqën Margaritin?
Gaboi apo fitoi Margariti?
U ndëshkua apo u shpërblye Margariti?
Do ta tregojë shpejt me detaje visoren dhe prapaskenat vendimi i pritshëm i Gjykatës Kushtetuese mbi Butrintin.
Luz Zotin të mos jetë një vendim antishqiptar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb