Në janar të këtij viti, kryetari i PDIU-s, Shpëtim Idrizi  paralajmëroi shqiptarët për fondet e pista që hidheshin në media e portale kundër çështjes Çame e pro interesave greke, nga Fondi Sekret i Ministrisë së Jashtme greke.

“Unë e di shumë mirë që influenca e Greqisë  është e madhe edhe në mediat shqiptare. Shqipëria sot dhe çdo ditë do të jetë akoma dhe më e fortë, e mos u mbani tek ata që tradhëtojnë interesat e Shqipërisë,” thoshte Idrizi para disa muajsh.

Botimi “bombë” që bëri pak ditë më parë gazetari grek Dhimitris Takis në gazetën elektronike iefimerida.gr shkruante se Ministria e jashtme greke financonte me fonde sekrete media dhe gazetarë në Shqipëri “për të siguruar publikime pozitive rreth Greqisë, për krijimin e lobit të gazetarëve shqiptarë ne vend, si dhe që kokat e medias të mbështesin interesat e Greqisë”.

Po sipas gazetës, me këtë fakt ka lidhje edhe debati i ashpër mes Panos Kamenos ministër i Mbrojtjes dhe Nikos Kotzias tashmë ish-ministër i Jashtëm, në mbledhjen e këshillit ministror pak ditë më parë, debat që shkaktoi dorëheqjen e ministrit Kotzias.

Për sa iu përket shumave për median në Shqipëri, në reportazh theksohet se deputetëve iu dha shpjegimi: “për të siguruar publikime pozitive për imazhin e Greqisë e krijimin e lobit të gazetarëve shqiptarë ne vend, si dhe kokat e medias të mbështesin interesat e Greqisë”.

Ministria e Jashtme e Greqisë nuk ka përcaktuar se ku konkretisht janë shpërndarë këto para ne Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb