NGA OLA MITRE
TIRANE- Kufiri doganor për blerjet online që kalojnë vlerën 20 mijë lekë duhet të rritet, me qëllim favorizimin e tyre si dhe lehtësimin e klientëve”. Kërkesa vjen nga drejtori i Posta Shqiptare, Majlind Lazimi, i cili i referohet trendit në rritje të kësaj mënyre të bleri. Ndryshimi i fundit është bërë në maj të vitit 2014, kur Këshilli i Ministrave vendosi rritjen e kufirit të shpenzimeve për blerjet online, nga 10.000 lekë në 20.000 lekë, çka do të thotë se për blerjet me vlerë deri në 20 000 lekë nuk aplikohen taksa doganore. Në rast të kundër, taksat variojnë nga 2-15% sipas llojit të mallit blerë plus TVSH-në prej 20% e vlerës së mallit. Ndërkaq, përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Lazimi bën me dije së vetëm gjatë vitit 2014 pati një rritje me 80% të blerjeve online, ndërsa fundviti shënon dhe ‘kulmin’ e tyre.
Z. Lazimi, prej vitesh flitet për blerjet online, si një nga zgjedhjet e shumë shqiptarëve. Si po shkon trendi i tyre në vendin tonë?
Për shkak të tarifave tona shumë të ulëta, ne shënojmë dhe numrin më të lartë për dërgesat online. Unë mund të them që për vitin 2014, që ne e kemi të kolauduar në aspektin financiar, kishte rreth 80% më shumë blerje online, që janë përmes Postës Shqiptare. Kjo do të thotë që dikush ka blerë veshmbathje apo kozmetikë dhe ka zgjedhur pikërisht këtë institucion për të bërë transportin. Kjo është zgjedhje e vetë individëve, por mesa duket, individët e sidomos ata që bëjnë blerje të shpeshta, duan të fusin në konsideratë tarifën dhe tarifa jonë është disa fish më e lirë se çdo tarifë e çdo operatori privat.
Çfarë risish pritet të futen në këtë drejtim nga institucioni që ju drejtoni?
Përveç faktit se kemi futur shërbimin e njoftimit me sms në momentin që mbërrin pakoja, ajo çka duam të bëjmë më shumë është tregtia online. Nga individë që blejnë për konsum të përditshëm apo për konsumin e tyre, ta kalojmë në kompani të vogla dhe të mesme, të cilat blejnë online dhe zgjedhin Postën Shqiptare që të bëjnë transportin logjistik të këtyre mallrave. Ky është një trend rritës në rajon dhe në botë, ndaj ne duam që këtë burim të ardhurash ta shtojmë në të ardhmen. Jemi në fazën që po rinovojmë flotën tonë të makinave, por edhe motorëve, në mënyrë që t’i vijmë sa më afër klientit. Por, kjo besoj do të jetë e ardhmja dhe një nga burimet e reja dhe të rritjes së Posta Shqiptare.
Kur flasim për tarifa, ka një përjashtim nga taksat doganore për mallra nën 20 mijë lekë. Mendoni se ka nevojë për një ndryshim të tyre?
Për çdo produkt apo mall që kalon një vlerë që aktualisht është 20 mijë lekë, që është përcaktuar nga vetë autoriteti i doganës, pra jo nga ne. Por padyshim që në zyrat tona të tranzitit, ku bëhet edhe kalimi i pakove, ka një zyrë doganore ku bëhet edhe skanimi i këtyre objekteve. Unë do të rezervohesha të thosha tarifat ekzakte, por ajo çka ne kemi pasur një histori suksesi me doganën është fakti që për ne do të ishte shumë më e volitshme që ky të rritej edhe më tepër, sepse do i shërbente kostos finale të klientit. Ne jemi shumë dakord që kjo tarifë të rishikohej, pse jo të rritej, ashtu sikurse ndodhi që nga 10 mijë lekë u bë 20 mijë lekë, por ky është një diskutim që mund ta bëjë vetë dogana, sepse ka edhe impakte doganore. Kjo do të thotë më pak tarifa doganore, por ne si postë jemi të predispozuar që sa më i lartë të jetë përjashtimi doganor, aq më shumë do ketë blerje online dhe individët do të kursejnë për të paguar tarifa doganore. Por kjo i takon doganës.
E keni propozuar?
E kemi diskutuar, por nuk është një iniciativë që ne mund të bëjmë vlerësimin final për të parë çfarë impakti do të kishte në të ardhura nëse rritet ky tavan. Nga ana jonë, ne parashikojmë që nëse tavani do rritej, do kishte fluks më të madh blerjesh dhe padyshim ndihmon qytetarin, por edhe ne si postë.
Në rastin kur kemi të bëjmë me një pako dhuratë, a përjashtohet ajo nga tarifat doganore?
Gjithçka është në varësi të vlerës të mallit. Pra, nuk bën përjashtim destinacioni apo qëllimi i mallit. Në momentin që vlera kalon 20 mijë lekë, do të trajtohet si diçka që ka tarifë doganore.
Kur flasim për blerje online, ka një periudhë që karakterizohet nga një fluks më i madh?
Përgjithësisht ka gjatë gjithë vitit, por në fundvit ka një rritje që vihet re. Kjo nga shifrat e vjetshme, por edhe sivjet po vëmë re që ka një tendencë në rritje, sepse kuptohet që shtohen ofertat online, ka shumë ide nëpër dyqanet online dhe në raste festash ka më shumë interes nga qytetari shqiptar. Por ajo që vihet re është fakti se po shtohen individët, që realisht kërkojnë këtë mënyrë blerjesh online dhe për ne padyshim që është pozitive, pasi reflektohet në të ardhurat tona.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
