Blog

Nga dekori Kuq e Zi, te numri i delegatëve, mbahet sot Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë

27 Prill, 2024 07:51

Meta Konventa

Madhësia e tekstit:

Balkanweb app Download on Apple StoreGet it on Google Play

Mbahet sot Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë. Ashtu siç është përcaktuar, Konventa do të nisë në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve. Mësohet se në Konventë do të jenë të pranishëm 931 delegatë dhe mbi 2000 të ftuar.

Dekori në organizmin do të jetë Kuq e Zi dhe do të nisë me himnin kombëtar të flamurit.

Sot kreu i PL-së, Ilir Meta postoi një mesazh në “Facebook”, ku ka treguar se ka marrë përshëndetjen e parë nga Vlora për organizimin e Konventës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa:

VIDEO/ Dhjetëra tornado godasin shtetet qendrore të SHBA, pritet që fenomeni natyror të prekë dhe…

27 Prill, 2024 07:28

tornado

Madhësia e tekstit:

Balkanweb app Download on Apple StoreGet it on Google Play

Dhjetëra tornado goditën qendrën e SHBA-së të premten, duke shkaktuar dëme të rënda dhe duke plagosur të paktën tre persona, sipas autoriteteve. Më shumë se 70 tornado u regjistruan në të gjithë vendin, sipas Shërbimit të Motit të SHBA (NWS), kryesisht rreth qytetit Omaha në Nebraska dhe afër Iowa-s. Pamjet e publikuara në mediat sociale tregojnë tornado të mëdhenj të zinj që fshijnë qiellin, duke fryrë pluhur, papastërti dhe çdo gjë tjetër në rrugën e tyre.

Dhjetëra ndërtesa u dëmtuan, trenat dolën nga shinat dhe linjat e energjisë elektrike u ndërprenë. Në Elkhorn, një periferi e Omahas, fotot tregojnë shtëpi të rrafshuara, çati të hedhura në erë dhe pemë të zhveshura nga gjethet. “Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të kontrollojnë banesat e prekura dhe të ofrojnë ndihmë për çdo të lënduar”, tha policia e Omaha në një deklaratë. Më në jug, afër qytetit të Lincoln, një tornado goditi një strehë industriale e cila u shemb. Rreth 70 persona ishin në të dhe arritën të largoheshin, por tre prej tyre pësuan lëndime të lehta, thanë autoritetet e Lancaster County.

NWS lëshoi ​​disa paralajmërime për tornado për shtete të ndryshme të SHBA dje. Ai parashikon gjithashtu se fenomeni do të vazhdojë edhe sot dhe do të arrijë deri në Teksas. Tornadot, një fenomen spektakolar i motit që është i vështirë të parashikohet, janë relativisht të zakonshme në SHBA, veçanërisht në pjesët qendrore dhe jugore të vendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa:

Hamasi shqyrton kundërpropozimin e Izraelit për kushtet e arritjes së armëpushimit në Rripin e Gazës

27 Prill, 2024 07:18

Hamasi

Madhësia e tekstit:

Balkanweb app Download on Apple StoreGet it on Google Play

Lëvizja islamike palestineze Hamas njoftoi në orët e para të së shtunës se po shqyrtonte një kundërpropozim nga Izraeli në lidhje me kushtet për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve.

“Sot Hamasi mori nga forcat pushtuese sioniste përgjigjen e tyre zyrtare ndaj qëndrimit tonë, e cila iu dorëzua ndërmjetësuesve nga Egjipti dhe Katari më 13 prill. Lëvizja do ta studiojë këtë propozim dhe do të japë përgjigje sapo të përfundojë studimi i saj”, tha Khalil al-Haya, nënkryetari i zyrës politike të Hamasit në Rripin e Gazës.

Dje zyrtarët izraelitë u thanë homologëve të tyre egjiptianë se Izraeli është gati t’u japë negociatave “një shans të fundit” për të arritur një marrëveshje me Hamasin për lirimin e pengjeve përpara se të vazhdojë me operacionin e tij tokësor në Rafah. “Izraeli i ka thënë Egjiptit se është serioz në përgatitjet për operacionin Rafah dhe nuk do të lejojë Hamasin të pengojë”, citohet të ketë thënë një nga burimet.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Botuesi: Si u përpoqa që të ndihmoja Trumpin të fitonte zgjedhjet në vitin 2016

27 Prill, 2024 07:13

Trump

Madhësia e tekstit:

Balkanweb app Download on Apple StoreGet it on Google Play

Ish-botuesi i revistave tabloid David Pecker i tha jurisë në gjyqin penal në Nju Jork të ish-presidentit Donald Trump se i pati paguar 150 mijë dollarë një modeleje të revistës Playboy për të blerë të drejtën e publikimit të pretendimit të saj për një marrëdhënie njëmujore me zotin Trump. Ai tha se synonte ta eliminonte këtë histori “për të ndihmuar kandidatin për president” në zgjedhjet e vitit 2016, i cili ishte njëkohësisht edhe një mik i hershëm i tij. Gjatë pyetje-përgjigjjeve që zgjatën mbi tre orë, avokati i ish-presidentit Trump, Emil Bove, u përpoq të ngrinte dyshime rreth kujtesës së zotit Pecker për mënyrën se si e ndihmoi zotin Trump.

Zoti Pecker, dikur botues i revistës “The National Enquirer”, pranoi disa herë se dëshmia e tij e dhënë gjatë katër ditëve të marrjes në pyetje këtë javë, nuk dallonte shumë nga intervistat që pati me hetuesit disa vite më parë. Në shumicën e rasteve sidoqoftë, zoti Pecker refuzoi kritikat që i bëheshin nga avokati Bove. Por zoti Pecker u shpreh dakort me qëndrimin e avokatit Bove se pagesa për Karen McDougal, e shpallur Modele e Vitit 1998 e Revistës Playboy, ishte më shumë se një përpjekje për të siguruar heshtjen e saj për marrëdhënien me zotin Trump për ta fshehur këtë informacion nga votuesit tetë vite më parë.

Kompania American Media Inc., kompania mëmë e revistës Enquirer, publikoi 65 artikuj të zonjës McDougal në lidhje me shëndetin, që ishin shkruar në fakt nga persona të tjerë dhe që u reklamuan në faqet e para të revistave të kësaj kompanie. Kur avokati mbrojtës përfundoi pyetjet për zotin Pecker, 72-vjeç, prokurori Joshua Steinglass përmendi me shpejtësi marrëveshjen e nënshkruar nga kompania American Media me autoritetet federale për të shmangur ngritje akuzash për shkelje të ligjeve për financimin e fushatave nëpërmjet pagesave për zonjën McDougal. Në marrëveshje thuhet se “qëllimi kryesor” kishte qenë “heshtja e historisë së modeles që të shmangej kështu ndikimi tek zgjedhjet”.

Zoti Pecker ishte shprehur gjatë dëshmive të tij katërditore se shfaqja e artikujve në revistat në pronësi të kompanisë American Media ishte “për të mbuluar qëllimin e vërtetë. Qëllimi real ishte të merreshin të drejtat përgjithnjë për historinë e saj, në mënyrë që të mos publikohej” ndonjëherë. Zoti Pecker i pati thënë të enjten jurisë me 12 anëtarë se e besonte historinë e zonjës McDougal për lidhjen me zotin Trump, megjithëse ai e ka mohuar këtë. Zoti Pecker tha në dëshminë e tij se zoti Trump dëshironte ta mbante larg votuesve historinë me të dhëna të dëmshme përpara kandidimit të tij të suksesshëm për president në vitin 2016.

Zoti Pecker dëshmoi se ai i pati thënë zotit Trump se duhet “ta blinte historinë dhe ta hiqte nga tregu”, por se revista e realizoi këtë në vend të tij. Zoti Pecker tha se revista mendonte se do të rimbursohej për këtë, por se kjo nuk ndodhi ndonjëherë. Një tjetër dëshmitare ishte Rhona Graff, ndihmëse e hershme ekzekutive e zotit Trump në kompaninë e pronave të patundshme “Trump Organization”. Ajo u tha anëtarëve të jurisë se e kishte parë njëherë zonjën Daniels në katin e 26-të të Kullës Trump, ku gjendet zyra e zotit Trump. Zonja Graff, në moshën 34-vjeçare, konfirmoi për prokurorët se emri i zonjës McDougal dhe emri “Stormy” ishin në regjistrat e hyrjeve në kompani.

Pas dëshmisë së saj të shkurtër, zoti Trump u ngrit nga vendi i tij tek tavolina ku qëndron i akuzuari dhe e përshëndeti zonjën Graff ndërsa ajo po largohej nga salla, duke i dhënë shkurtimisht edhe dorën. Ndërsa gjyqi po mbyllej për këtë javë, prokurorja Rebecca Mangold filloi të marrë në pyetje një dëshmitar të tretë, Gary Farro, një bankier që thotë se ndihmoi Michael Cohen-in, ish-avokat dhe ish-ndërmjetës i zotit Trump, që të hapte një llogari bankare për të lehtësuar bërjen e pagesave për zonjën Daniels. Zoti Farro tha se zoti Cohen transferoi para nga fondet e tij për të bërë pagesat. Prokurorët thanë se zoti Cohen u rimbursua në vazhdim nga zoti Trump në vitin 2017, pasi ishte bërë president. Këto janë edhe transfertat në thelbin e akuzave të ngritura ndaj ish-presidentit.

Zoti Trump ka mohuar versionin e zonjës McDougal dhe të 34 akuzat me të cilat përballet në çështjen penale në Nju Jork, që është një ndër katër çështjet gjyqësore të çelura për herë të parë në histori ndaj një ish-presidenti amerikan. Zoti Trump ka mohuar edhe të 54 akuzat e tjera ndaj tij, por çështja gjyqësore e Nju Jorkut është ndoshta çështja e vetme që mund të përmbushet përpara zgjedhjeve për president që mbahen më 5 nëntor. Sipas anketimeve në rang kombëtar, disa prej mbështetësve të zotit Trump mund të ndryshojnë qëndrim në rast se ai dënohet.

Nëse gjendet fajtor në Nju Jork, zoti Trump mund të dënohet me kusht, apo deri edhe me katër vite burg. Zoti Pecker tha se gjatë një bisede në vitin 2016, zoti Trump e kishte përshkruar zonjën McDougal si “një vajzë e mirë”, duke i krijuar përshtypjen se “e njihte atë”. Një vit më vonë, kur zoti Trump, ishte bërë tashmë president, zoti Pecker tha se zoti Trump e kishte pyetur ndërsa ecnin në Shtëpinë e Bardhë se “si është Karen?”. Zoti Pecker tha se iu përgjigj se ajo ishte mirë. “Po qëndron urtë”, kujtoi ai t’i ketë thënë ish-presidentit Trump./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Të gjithë në Kushtetuese, sa shanse ka të rrëzohet ligji për tatimin mbi të ardhurat

27 Prill, 2024 07:10

Taksa Buxhet Tatime

Madhësia e tekstit:

Balkanweb app Download on Apple StoreGet it on Google Play

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” konsiderohet antikushtetues dhe u padit 3 herë në Gjykatën Kushtetuese. Nismëtarët e ankimimeve vlerësojnë se ligji cenon barazinë mes tatimpaguesve, parimet e shtetit të së drejtës, të sigurisë juridike dhe shkel konkurrencën. Në rast të mosshfuqizimit të tij nga Kushtetuesja nga juristët, kontabilistët dhe ekspertë të tjerë paralajmërohen efekte të menjëhershme, që do të ndihen që me rritjen artificiale të tarifave për shërbimet e ofruara nga profesionistët e lirë, evazion, mbyllje të bizneseve dhe emigrim të shtresës së mesme.

Përveç debateve të shumta që po shkakton zbatimi i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” te bizneset e profesioneve të lira, në Gjykatën Kushtetuese vijojnë të shtohen ankimimet për shfuqizimin e tij.

Nismës së avokatit Lulzim Alushaj, për moszbatimin e ligjit si antikushtetues, në një padi të tretë më 19 Prill depozituar në Gjykatën Kushtetuese, iu bashkuan masivisht 400 profesionistë, si: avokat, përkthyes, financierë, agjentë të shitjeve të pronave etj., si dhe shoqata biznesi.

Në Gjykatën Kushtetuese janë depozituar edhe dy padi të tjera për shfuqizimin e ligjit. Në muajin shkurt 2024, për herë të parë, shfuqizimi i ligjit nga Gjykata Kushtetuese u kërkua nga 37 deputetë të grupit parlamentar të PD-së.

Ndërsa në muajin mars u dërgua një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEKA).

Nga përfaqësuesit e 3 padive, ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” që takson profesionet e lira në norma 15 deri në 23% konsiderohet antikushtetues, pasi cenon barazinë mes tatimpaguesve, parimet e shtetit të së drejtës dhe shkel konkurrencën mes bizneseve me efekt rritjen artificiale të tarifave për shërbimet e ofruara nga profesionistët e lirë.

 

Pse kërkohet masivisht nga profesionistët e lirë të fushave të ndryshme?

Nismës së avokatit Lulzim Alushaj, për shfuqizimin nga Kushtetuesja të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” iu bashkuan rreth 151 profesionistë të lirë të fushave të ndryshme (padia u firmos nga 151 profesionistë. Në total u regjistruan 400 profesionistë të lirë në mbështetje të padisë) dhe Shoqata e Biznesmenëve Italianë në Shqipëri (A.I.I.A.) dhe Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve.

Avokat Alushaj tha për “Monitor” se arsyeja kryesore e dërgimit të kërkesës për shfuqizimin e ligjit është antikushtetutshmëria, duke marrë në konsideratë cenimin e barazisë, së profesionit, të shtetit të së drejtës apo dhe të konkurrencës.

“Ligji i cituar më sipër është antikushtetues dhe për këtë arsye i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetues me kërkesën urgjente të pezullimit të efekteve të nenit 12, pika 1, nenit 24, pika 2, nenit 69, pika 1, shkronja “dh” dhe shkronja “ë” të Ligjit nr. 29/2023 dhe nenit 4 të VKM nr. 753, datë 20.12.2023, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi.

Ligjit dhe VKM-së së kundërshtuar iu është bërë një ekzaminim substancial në një Kërkesë që së bashku me provat e aktet e përfaqësimit shkojnë në 660 faqe, kryesisht janë marrë në konsideratë: Cenimi i parimit të barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit;

Cenimi i lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe profesionit;

Cenimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike – Parimet e  sigurisë juridike dhe mbrojtja e pritshmërisë së ligjshme; Paragjykimi i hyrjes në profesionet e lira dhe rëndësinë e vazhdueshmërisë së profesioneve të rregulluara (ose jo); Cenimi i drejtpërdrejtë i konkurrencës dhe ngritja artificiale e çmimeve të shërbimeve, arsyetimi mbi pasojat që sjell aplikimi i Ligjit dhe pezullimin e pjesshëm të tij etj.”, nënvizon avokat Alushaj.

Ai tha se në kërkesën e depozituar nga të gjithë kërkuesit arsyetohen përplasjet reale që ky Ligj sjell në krahasim me disa të drejta kushtetuese që individët dhe subjektet kanë dhe duhen mbrojtur.

“Gjykata Kushtetuese i ka të gjitha elementet e duhura dhe lartësinë e rolit kushtetues që të pezullojë efektet e disa neneve të këtij Ligji dhe t’i shfuqizojë ato si në kundërshtim me Kushtetutën, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, GJEDNJ, GJED”, pohon ai.

 

 

Argumentet e padisë së grupit parlamentar të opozitës

Për herë të parë, në muajin shkurt 2024, shfuqizimi i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” u kërkua në Gjykatën Kushtetuese nga 37 deputetë të grupit parlamentar të PD-së. Deputetja Jorida Tabaku tha për “Monitor” se nga grupi parlamentar u kërkua shfuqizimi i ligjit pasi cenon parimin e sigurisë juridike, parimin e barazisë para ligjit.

Sipas znj. Tabaku, ndryshimet e taksimit vijnë pas vështirësive ekonomike të ndikuara nga tërmeti i 2019-s dhe pandemisë së Covid-19.

“Ne gjykojmë se ligji që taton profesionistët e lirë ka cenuar parimin e sigurisë juridike që garantohet në Kushtetutën e Shqipërisë, ku është e sanksionuar siguria juridike që do të thotë, ndër të tjera, se qytetarët duhet të sigurohen për pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara më parë.

Kjo do të thotë që një qytetar nuk ka përse jeton me frikën se shteti mund t’i imponojë atij ndryshime të vazhdueshme që ia bëjnë të vështirë jetesën dhe zhvillimin. Në rastin konkret, vendosja e këtij tatimi mbi profesionistët e lirë dhe aplikimi i tij për këtë vit është në të vërtetë një ofertë pasigurie juridike që i imponohet profesionistëve të lirë.

Nga ana tjetër, ne kemi argumentuar në padinë tonë, që këto ndryshime vijnë në një moment ku ekonomia jonë është goditur nga tërmeti, por edhe Covid-19. Në të vërtetë, siç është paraqitur dhe në padinë tonë, ne kemi evidentuar disa raste, ku vetë qeveria socialiste ka paraqitur situatën e rënduar të biznesit për të ndërmarrë ajo disa nisma ekonomike, në ndihmë të biznesit.

Ndaj është shumë e palogjikshme që në këto kushte dhe në këto momente ku shohim që rritja ekonomike nuk është ajo e pritura dhe as afër pritshmërive, të ndërmerren masa të tilla fiskale që ngarkojnë me një barrë të rëndë fiskale profesionistët e lirë.

Së dyti, ne kemi gjykuar dhe ngritur në padi shqetësimin se këto ndryshime cenojnë parimin e barazisë përpara ligjit. Një nga shkaqet e diskriminimit lidhet edhe me gjendjen ekonomike, çka nënkupton të ardhurat që mund të gjenerojë një person fizik apo juridik gjatë një kohe të caktuar.

Kushtetuta është treguar shumë e qartë se askush nuk mund të diskriminohet për gjendjen ekonomike, përveçse kur ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive. Kjo, në rastin tonë, përkthehet në trajtimin me dopio standard të profesionistëve të lirë, në raport me bizneset e tjera.

Pasi sipas ligjit të ri, bizneseve të tjera u jepet një kohë për t’u adaptuar me një normë të re fiskale, ndërkohë që profesionistëve të lirë kjo kohë nuk i është dhënë, duke shkelur kështu barazinë përpara ligjit që është në themel të Kushtetutës.

Ky parim i pabarazisë mund ta ketë frymëzimin te Ferma e Kafshëve, por asnjëherë nuk mund të gjejë vend në një demokraci dhe shtet të së drejtës”, pohoi ajo.

 

Arsyet që edhe kontabilistët paditën në Kushtetuese ligjin

Edhe kontabilistët kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese ankimimin për rrëzimin e ligjit, pasi krijon pabarazi mes tatimpaguesve. Ankimi u depozitua më 20 Mars 2024 në Gjykatën Kushtetuese nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA).

Drejtues të IKM pohuan më herët për “Monitor” se pretendimet në lidhje me shkeljet kushtetuese janë:

1.Cenimi i parimit të barazisë para ligjit;

2.Shkelja e së drejtës themelore të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe të profesionit;

3.Cenimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike; 4.Cenimi i parimit të rezervës ligjore në fushën tatimore dhe hierarkisë së normave.

Ligji i ri parashikon zbatim në dy periudha. Pas zbritjes së shpenzimeve, fitimet e të vetëpunësuarve, personave fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira nga 1 janari 2024 taksohen me normat 15% dhe 23%.

Ndërsa bizneset e tjera të vogla do të vijojnë të kenë tatim zero deri më 31 dhjetor 2029.

Për shkak të trajtimit të pabarabartë tatimor që u bëhet kategorive të bizneseve në padinë e depozituar nga kontabilistët kërkohet shfuqizimi i nenit 69, që përcakton përjashtimin e bizneseve të tjera nga taksimi dhe të listës së shërbimeve të profesioneve të lira që u përfshinë në taksimin e ri.

“Shfuqizimi i pjesshëm i nenit 3, paragrafi 5; nenit 12, paragrafi 1, germa “ç”; dhe nenit 69, paragrafi 1, germa “dh”, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar.

Shfuqizimi i nenit 4, paragrafi 1 “lista e shërbimeve objekt tatimi nga 1 Janari 2024” dhe i tabelës Analitike nr. 2, nënndarja 69, i VKM nr. 753, datë 20.12.2023, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për pjesën që u referohet profesioneve të Kontabilistit të Miratuar dhe Audituesve Ligjorë”, citohet në kërkesën e depozituar në Kushtetuese.

 

Efektet e zbatimit të ligjit që nga rritja e çmimeve deri te mbyllja e bizneseve

Në rast se Gjykata Kushtetuese nuk do të marrë vendimin për shfuqizimin e ligjit nga juristët, kontabilistët dhe ekspertët, vlerësohet se efektet e zbatimit të tij do të jenë të shumta që me rritjen e çmimeve, shtimin e evazionit dhe mbylljen e bizneseve.

“Efektet janë të menjëhershme si rritja e çmimit te shërbimet, ulja e cilësisë, ulja e konkurrencës, dalja nga skema e tatimeve dhe më të vona si mbyllja e subjekteve, emigrimi i kësaj shtrese dhe humbja e interesit të brezit të ri ndaj këtyre profesioneve”, pohon avokat Lulzim Alushaj.

Deputetja Jorida Tabaku gjykon se të gjitha këto ndryshime ligjore abuzive do të shtrenjtojnë jetën e qytetarëve.

“Një shtrenjtim i kostos që vjen si pasojë e dështimit të administratës tatimore që s’mund të jetë shkaku që të vendoset një taksim i padrejtë dhe i pandershëm”, pohon ajo. Znj. Tabaku parashikon përsëritjen e rrethit vicioz të dëmshëm për ekonominë, me mbyllje biznesesh dhe shmangie të pagimit të taksave nëpërmjet shtigjeve ligjore.

“Disa do të mbyllin bizneset e tyre, duke gjetur formula të tjera si largimi nga vendi (Brain gain), disa të tjerë mund të nisin të gjejnë arnime ligjore dhe forma për t’i ikur (siç ka ndodhur le të themi kur qeveria nisi eksperimentet për biznesin e vogël), të tjerë do të hapin sipërmarrje në vende jashtë Shqipërisë, të tjerë do të rrisin çmimet e shërbimeve.

Imagjinoni një noter, në një qytet jashtë Tiranës, në Kukës ku ka dhe varfërinë më të madhe. Çmimet e shërbimeve të tyre do të rriten me dy apo tri herë dhe kjo do jetë kosto për qytetarin në qarkun më të varfër në Shqipëri.

Shërbimet do të shtrenjtojnë edhe çmimet e apartamenteve, apo shërbimeve që lidhen me noterinë e kështu me radhë. Kjo do të përkthehet në zinxhirin e shërbimeve dhe çmimeve, duke shtrenjtuar jetën për të gjithë qytetarët dhe duke inflacionuar ato çmime.

Imagjinoni një qytetar që do të duhet të paguajë më shtrenjtë për një prokurë, akt trashëgimie apo ndonjë akt tjetër noterial në shitblerje. Të gjitha kosto, në xhepin e shqiptarëve që kanë të ardhurat për frymë më të ulëtat në Europë dhe Ballkanin Perëndimor.

Sistemi i padrejtë i ngritur është kosto më e lartë për qytetarët, taksa të padrejta për shtresën e mesme dhe të gjitha shkojnë në buxhetin e qeverisë që shpërndahet me qoka”, thekson znj. Tabaku.

Edhe kryetari i Këshillit të Drejtimit të Institutit të Kontabilistëve të Miratuar, Prof. Dr. Sotiraq Dhamo, pohoi më herët se zbatimi i ligjit do të nxisë së tepërmi evazionin.

“Bizneset do të ulin xhiron, do të deklarojnë më pak. Shumë biznese do të kalojnë në të zezë. Edhe ligji aktual që i takson profesionet e lira nga 15 deri në 23% do të lërë rrugë për evazion dhe shtim informaliteti ashtu siç ndodhi edhe me ligjin e vjetër”, pohoi ai.

Në total, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në regjimin e ri tatimor do të përfshihen deri në 29 mijë biznese të profesioneve të lira. MFE llogarit se deri 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë) përfshihen në fashën e të ardhurave vjetore deri në 14 milionë lekë në vit, që do të tatohen me normë 15%.

 

 

Argumentet e padisë të profesionistëve të lirë

1.Cenohet konkurrenca;

2.Cilësia e shërbimeve dhe përqendrimi i tyre në vetëm disa persona si pasojë e dobësimit të konkurrencës;

3.Efektet që sjell në marrëdhëniet që tashmë ishin krijuar si dhënës shërbimesh, duke i ngarkuar me një shtesë që i prek drejtpërsëdrejti;

4.Nuk ka një raport midis vlerës reale që kategoria e profesioneve të lira ka derdhur në buxhetin e shtetit në vitet e fundit nëpërmjet TVSH-së (20%), kontributeve dhe punësimeve që vetë këta profesionistë kanë krijuar (ka persona fizikë apo subjekte me ortak të vetëm që punësojnë persona të tjerë) dhe ku lindi nevoja e taksimit me vlera 15 – 23%;

5.Paaftësia e Drejtorisë së Tatimeve për të identifikuar ish- punëmarrës që dolën nga skema e punësimit dhe hapën NUIS, si pasojë penalizimi në tërësi i sektorit të shërbimeve;

6.Premtimi elektoral i zgjedhjeve të fundit që deri në vitin 2029 tatimi për subjektet me xhiro deri në 14.000.000 lekë do të ishte i barabartë me 0;

 

Argumentet e padisë të IKM dhe IEKA

1.Cenimi i parimit të barazisë para ligjit;

2.Shkelja e së drejtës themelore të lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe të profesionit;

3.Cenimi i parimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike;

4.Cenimi i parimit të rezervës ligjore në fushën tatimore dhe hierarkisë së normave.

 

Argumentet e opozitës për efektet e ndryshimeve fiskale

1.Sistemi i ngritur nga qeveria socialiste është ai i një shteti të korruptuar që e ka kthyer buxhetin e shtetit në bankomatin personal. Sistemi i ngritur ka dy shtylla kryesore; sistemin e korrupsionit që shpërndan 40% të buxhetit të shtetit në kahun e shpenzimeve me Koncesione, tenderime publike dhe PPP-të (që kanë zë më vete).

Sistemi fiskal që është mbledhja e të ardhurave dhe arkitektura fiskale që është dekurajuese pasi barrën fiskale dhe taksat i detyron t’i paguajë shtresa e mesme dhe shumica e qytetarëve. Kjo arkitekturë fiskale vendos përjashtime tatimore për ndërtuesit (që janë njëkohësisht përfituesit e koncesioneve/PPP/tenderëve) e investimeve strategjike, ndërkohë që ngarkon me taksa nga hiçi (siç është rasti i Profesionistëve të Lirë) një grup të vogël.

2.Qeveria dhe KM i fton qytetarët të rikthehen në vend se Shqipëria ka kafe të mira dhe motin e mirë. Ka një arsye përse shqiptarët sakrifikojnë motin dhe diellin e Shqipërisë dhe ky është sistemi i kalbur dhe i korruptuar që po gërryen shoqërinë dhe xhepat e shqiptarëve.

3.Norma e informalitetit është rritur dhe asnjë nga masat e qeverisë nuk ka funksionuar. Raportet e Bankës Botërore flasin për një normë informaliteti sa 40% e ekonomisë që është me gjasë shifra më e lartë në rajon.

4.Sistemi i korruptuar dhe i padrejtë i taksimit ka krijuar një kënetë që po kalbet dhe ka rrezik të zërë Shqipërinë. Kostot e shtrenjta të jetesës do të rëndohen më shumë, sepse qeveria vendos taksa abuzive që shtrenjtojnë artificialisht jetën e shqiptarëve. Çmimi i naftës ndikohet në shtrenjtim sa nga tregu i kapur aq edhe nga taksat që zënë 60% të çmimit. Kush përfiton nga kjo? Jo qytetarët!

5.Mos mendoni që qeveria shqiptare nuk e ka të qartë. Shihni se si ajo tanimë luan me skemat për të ulur TAP, tatimin mbi të ardhurat personale, për ata që paguajnë 23%. E bën këtë lëvizje përpara zgjedhjeve elektorale, pasi do të gënjejë qytetarët që nuk po i mbitakson.

Pastaj historia përsëritet, siç ka ndodhur në 2017 dhe 2021, sa mbarojnë zgjedhjet, ajo ndërron marshin, duke vazhduar taksimin socialist; takso 95% të shqiptarëve dhe falu benefite 5% të një oligarkie.

6.Propozimi i PD mbetet Kodi Fiskal që duhet të jetë ABC-ja e qeverisë së djathtë. Le ta nisim nga Kodi Fiskal, na duhet siguri juridike dhe jo pasiguri që vijnë nga ky sistem i pandershëm që furnizon vetëm bankomatin qeveritar.

7.Më pas le të ndërtojmë një nënkomision (drejtuar nga opozita) për shqyrtimin e kontratave koncesionare dhe PPP-ve, por edhe tenderave publikë në kuvend. Na takon ne që të mbajmë nën kontroll dhe kërkesë llogarie qeverinë, ndaj duhet të jetë opozita ajo që kontrollon këtë nënkomision.

8.Ne na duhet një sistem i thjeshtë fiskal, një sistem i taksës së sheshtë dhe një taksimi të ndershëm dhe të drejtë që secili paguan një taksë fikse për atë që fiton.

9.Ky është një sistem që takson punën më shumë se sa kapitalin. Takson me 23% sipërmarrjen dhe me 8% dividentin…a mos po zhvillohet Shqipëria më shumë nga dividenti apo nga sipërmarrja? Kjo është ekonomia me kokëposhtë!

Sistemi me kokëposhtë që ngrihet mbi oligopolet, tregun e kapur dhe sistemin e padrejtë fiskal./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Horoskopi për ditën e sotme, 27 prill 2024

27 Prill, 2024 07:00

Horoskop 3 768x698

Madhësia e tekstit:

Balkanweb app Download on Apple StoreGet it on Google Play

Dashi

Sot duhet të bëni shumë më shumë përpjekje për ta bërë jetën tuaj më të bukur dhe për të siguruar të ardhmen. Nëse jeni beqarë ju presin momente për të kaluar në shkujdesje absolute. Në punë vetëm me durim, këmbëngulje dhe përkushtim do mund të arrini atje ku dëshironi. Në planin financiar do ju dalin plot të papritura dhe do ju duhet të shpenzoni më tepër.

Demi

Mundohuni të mos kritikoni dhe të pranoni gabimet sot pasi vetëm kështu gjithçka do ju ecë mirë. Nëse jeni beqarë, tashmë e dini se ku të shkoni; ju vetëm duhet të pranoni ndjenjat tuaja të vërteta, sepse koha e duhur ka kaluar prej kohësh: që tani e tutje këshillohet të filloni të dëgjoni zemrën tuaj. Në punë priten ndryshime shumë të mëdha të cilat do ua ndryshojnë rrjedhën e jetës. Në planin financiar duhet të merrni disa masa në mënyrë që të siguroni edhe një të ardhme të ndritur.

Binjakët

Mundohuni ta lini veten të lirë sot, të mos stresoheni për gjërat që do ndodhin e të mendoni pozitivisht. Xhelozitë e së shkuarës do të jenë vetëm një kujtim: tani e tutje do të kaloni kohë të qeta së bashku me ata që doni. Në punë do keni konkurrentë dashakeqës kështu që bëjini sytë katër në çdo moment. Në planin financiar do i kaloni vështirësitë menjëherë dhe do bëni edhe investime afatgjata.

Gaforrja

Hëna do ju bëjë shumë më kreative dhe të logjikshëm sot. Do mendoni vetëm si e si ta zbukuroni çdo çast dhe do mbani larg problemet. Ndjenjat në plan të parë. Buxheti do ketë përmirësimet e para pas disa arritjeve në planin profesional. Me pak më shumë këmbëngulje do arrini edhe më tepër.

Luani

Me siguri do të jetë një ditë shumë pozitive, gjatë së cilës më në fund do të jeni në gjendje ta lini plotësisht veten drejt dëshirave të fshehura. Hiqni dorë nga frika dhe pasiguritë që ju pengojnë, duke u hapur ndaj botës dhe mundësive që ajo ju ofron, për të qenë të lumtur. Puna do ecë më së miri, madje pritet edhe ndonjë rritje page. Shefat do kenë më tepër besim tek ju. Në planin financiar do bëni të pamundurën që të ruani ekuilibrin.

Virgjëresha

Ditë më e qetë, më e bukur dhe më pozitive do jetë kjo e sotmja. Inatet e vjetra do i lini pas krahëve njëherë e mirë. Nëse jeni beqarë, Hëna mund t’ju bëjë melankolikë dhe reflektues. Në punë do jeni plot energji dhe do arrini më shpejt sesa kishit menduar objektivin kryesor. Shpenzimet do dini si t’i kryeni gjithë kohës në mënyrë që gjendja të mbetet e kënaqshme.

Peshorja

Sot do jeni të logjikshëm dhe do bëni përpjekjet e duhura për ta shndërruar çdo moment në mënyrë fantastike. Stresin dhe lodhjen do e kaloni më lehtësisht. Ju që keni një lidhje shprehini ndjenjat sa më shumë që të mundni sepse partneri do ketë tejet nevojë. Në këtë mënyrë do e përforconi edhe më tepër lidhjen. Në planin financiar do ketë veçse përmirësime. Përfitoni nga kjo gjë për të hequr disa para mënjanë.

Akrepi

Në fushën sentimentale, me Venusin dhe Jupiterin, lidhja e çiftit do të jetë e papërshkueshme. Nëse jeni beqarë, do të keni një përmirësim shumë të qartë të humorit dhe situatës. Në planin profesional do keni gjatë gjithë kohës mbështetjen e kolegëve dhe shefave prandaj do i bëni gjërat me qetësi. Në planin financiar do jeni tej mase ambiciozë dhe do bëni të pamundurën që ta përmirësoni gjendjen. Për këtë mundet edhe të rrezikoni.

Shigjetari

Gjatë kësaj dite mund të kaloni edhe disa sfida, por gjithsesi çdo gjë do përfundojë si duhet. Hëna paraqitet si një roje e ëmbël dhe delikate e ndjenjave tuaja, duke ndriçuar rrugën tuaj me një shkëlqim romantik dhe mikpritës. Në punë do bëni çfarëdo lloj lëvizjeje që të arrini atje ku dëshironi. Do i mahnitni të gjithë me arritjet tuaja. Në planin financiar Venusi dhe Urani do ju ndihmojnë të ruani gjithë kohës ekuilibrin.

Bricjapi

Asgjë e keqe nuk do ju ndodhë gjatë kësaj dite sepse planetët do i keni gjithmonë në krah me mbështetje të fortë. Në dashuri do të thithni ajrin e pasionit dhe harmonisë, duke krijuar momente të paharrueshme me partnerin. Do të ndjeni dëshirën për të shprehur dashurinë tuaj në mënyra të reja dhe krijuese, duke forcuar kështu lidhjen mes jush. Gjendja financiare do jetë shumë e mirë.

Ujori

Perspektiva tregon një ditë relativisht të qetë dhe paqësore për shumicën prej jush. Në frontin sentimental, energjia e Hënës në gaforre do të ofrojë mbështetje të mirë për shumë prej jush. Do të keni lirinë për të ndërmarrë iniciativa dhe ndoshta do t’u jepni jetë projekteve që i keni për zemër. Gjendja e financave ka për të qenë gjatë gjithë kohës e mirë. Mund të kryeni edhe ndonjë investim pa ju dridhur dora.

Peshqit

Vetëm një hap do ju ndajë nga problemet gjatë kësaj dite prandaj duhet të tregoheni sa më të kujdesshëm. Shumë prej jush, të trazuar, por plot imagjinatë, mund të ndikohen nga atmosfera romantike për t’iu dorëzuar dashurisë. Financat do jenë delikate dhe kjo do ju pengojë të kryeni edhe shpenzimet më të domosdoshme

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Dëshmi të torturave në varrezat masive të Gazës

27 Prill, 2024 06:00

Ekran Resmi 2024 04 25 171533

Madhësia e tekstit:

Balkanweb app Download on Apple StoreGet it on Google Play

Autoritetet palestineze thonë se varret masive të gjetura në Gaza tregojnë se viktimat e sulmeve ushtarake izraelite në spitale ishin torturuar deri në vdekje. Kombet e Bashkuara kanë kërkuar një hetim të pavarur.

Punonjësit e mbrojtjes civile kanë zbuluar qindra trupa që ata thonë se janë torturuar dhe vrarë nga forcat okupuese izraelite gjatë sulmeve ushtarake të regjimit ndaj spitaleve në Gaza, disa prej të cilave ishin nën rrethim për javë të tëra.

Autoritetet palestineze thonë se viktimave, duke përfshirë gra, fëmijë, pacientë dhe personel spitalor, i kishin lidhur duart, ishin zhveshur dhe kishin shenja të dukshme torture.

Ndër spitalet nën qendër të vëmendjes janë Kompleksi Mjekësor Nasser në qytetin qendror jugor të Khan Younis, ku numri i trupave të zhvarrosur deri më tani ka arritur në afro 400 dhe Spitali al-Shifa në veri të Gazës, ku raportet sugjerojnë se qindra trupa janë gjetur gjithashtu.

Ushtria izraelite i dha fund pushtimit të Khan Younis më 7 prill, pas katër muajsh operacione ushtarake në rajon që përfshinin trupa, të mbështetur nga tanke që rrethonin Spitalin Nasser.

Sipas ReliefWeb, një shërbim informacioni humanitar i ofruar nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, tanket dhe snajperët izraelitë sulmuan spitalin në më shumë se një rast.

Më 22 shkurt, forcat izraelite pushtuese u tërhoqën nga spitali pasi e bastisën atë për një javë, vetëm për të sulmuar kompleksin mjekësor për herë të dytë në të njëjtin muaj.

Muajin e kaluar, dëshmitarët okularë, përfshirë mjekët, folën për abuzimin e përhapur nga trupat izraelite që arrestuan qindra njerëz në kompleksin mjekësor.

Autoritetet palestineze kanë hedhur poshtë pretendimet e Izraelit se vendasit kishin përdorur terrenin e spitalit për të varrosur të vdekurit (nga sulmet izraelite), duke thënë se trupat e identifikuar në varrezat masive nga familjet e tyre ishin gjallë përpara se forcat izraelite të sulmonin spitalin dhe tani po zbulohen thellë nën terren.

Stephane Dujarric, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, tha se organizata ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar. I pyetur se si do të ndodhte kjo duke marrë parasysh bllokadën izraelite të enklavës, Dujarric theksoi se “hetuesit nga kudo që vijnë do të duhet të kenë akses në Gaza”.

Zëvendës-zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, la të kuptohet se prania e OKB-së dhe organeve ndërkombëtare në terren nuk kanë burimet e nevojshme për të mbikëqyrur një hetim, duke theksuar se “një hetim i pavarur, efektiv dhe transparent për vdekjet në Nasser dhe Spitalet al-Shifa duhet të kryhen”.

Amnesty International ka vënë në dukje se “mungesa e ekspertëve mjeko-ligjorë dhe shkatërrimi i sektorit mjekësor të Gazës si rezultat i luftës dhe bllokadës mizore të Izraelit, së bashku me mungesën e disponueshmërisë së burimeve të nevojshme për identifikimin e trupave si testimi i ADN-së, janë pengesa të mëdha”.

Në fillim të kësaj jave, zyra e të drejtave të OKB-së tha se ishte “e tmerruar” nga zbulimet, duke deklaruar se “raportet shqetësuese vazhdojnë të dalin në lidhje me varret masive në Gaza, në të cilat viktimat palestineze thuhet se u gjetën të zhveshura lakuriq me duar të lidhura, duke shkaktuar shqetësime të përtërirë për të mundshme krimet e luftës”.

Zyra e të drejtave të OKB-së theksoi gjithashtu nevojën për një hetim pas gjetjes së qindra trupave “të varrosur thellë në tokë dhe të mbuluara me mbeturina” në spitalet Nasser dhe al-Shifa.

“Në mesin e të vdekurve dyshohet se kishte njerëz të moshuar, gra dhe të plagosur, ndërsa të tjerët u gjetën të lidhur me duar…të lidhur dhe të zhveshur nga rrobat e tyre”, tha Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Zëdhënësi i organit të OKB-së shprehu gjithashtu shqetësim të thellë për trupat palestinezë të varrosur në dy varre në oborrin e spitalit al-Shifa në qytetin e Gazës.

“Ka raportime se disa prej këtyre trupave u janë lidhur edhe duart”, tha Shamdasani, duke shtuar se mund të ketë edhe “shumë të tjera” viktima.

Monitoruesi Euro-Mesdhetar i të Drejtave të Njeriut thotë se anëtarët e tij në terren në Gaza kanë qenë dëshmitarë të mjekëve që kanë zhvarrosur qindra trupa në afërsi të spitalit al-Shifa, shumë prej të cilëve iu nënshtruan “vrasjeve me paramendim si dhe ekzekutimeve arbitrare dhe jashtëgjyqësore ndërsa ishin të ndaluar dhe pranga”.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze thotë se një tjetër varr masiv në afërsi të spitalit Kamal Adwan në Gazën veriore mund të përmbajë gjithashtu qindra civilë palestinezë të vrarë dhe të varrosur nga ushtria izraelite.

Ndërsa zbulohen më shumë kufoma, një numër në rritje vendesh dhe organesh ndërkombëtare kanë kërkuar gjithashtu një hetim të pavarur dhe transparent.

Afrika e Jugut, e cila ka udhëhequr çështjen kundër gjenocidit në Gaza në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, tha se është “e tmerruar nga zbulimi i zymtë i fundit i një varri masiv që përmban eshtrat e civilëve palestinezë në Spitalin Nasser në Gaza”.

“Këto gjetje të zymta kërkojnë hetime të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse për të siguruar drejtësi dhe llogaridhënie”, shtoi Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit të Afrikës së Jugut.

Amnesty International paralajmëroi se “zbulimi torturues i këtyre varreve masive nënvizon urgjencën e sigurimit të aksesit të menjëhershëm për hetuesit e të drejtave të njeriut, përfshirë ekspertët mjeko-ligjorë, në Rripin e pushtuar të Gazës për të siguruar ruajtjen e provave dhe kryerjen e hetimeve të pavarura dhe transparente për të garantuar përgjegjësinë. për çdo shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Zbulimi i varreve masive në spitale të ndryshme në veri dhe jug të Rripit të Gazës tregon fuqishëm se njësi të shumta të ushtrisë izraelite janë të përfshira sistematikisht në praktika të tilla të tmerrshme.

 

 (A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Gaza po përballet me rrezik epidemie pasi vala e të nxehtit po përkeqëson kushtet në kampe

27 Prill, 2024 05:00

Thumbs B C 8ffa1ab5fbed48a32cbadd55ae77cc73

Madhësia e tekstit:

Balkanweb app Download on Apple StoreGet it on Google Play

Agjencia e Mbrojtjes Civile të Gazës ka paralajmëruar për përhapjen e epidemive dhe sëmundjeve në kampet e zhvendosjes në pjesën jugore të enklavës për shkak të valës së të nxehtit. “Vuajtjet e njerëzve të zhvendosur në kampet e zhvendosjes në rajonet jugore të Gazës duket se po rriten me intensifikimin e valëve të të nxehtit”, tha agjencia. Agjencia theksoi se kjo situatë paralajmëron për “përhapjen në rritje të epidemive dhe sëmundjeve midis tyre, veçanërisht midis fëmijëve dhe grave shtatzëna”.

Po ashtu agjencia palestineze i bëri thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) “të ndërmarrë urgjentisht veprime për të shpëtuar jetën e qindra mijëra refugjatëve palestinezë dhe për të gjetur vende alternative për tendat mes valëve të të nxehtit të fuqishëm në ditët në vijim”. Gaza po përjeton një valë të fortë të të nxehtit, me temperaturat që dje arritën në rreth 37 gradë Celsius gjatë orëve të ditës. Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës, Izraeli ka zhvendosur me forcë banorët e enklavës drejt jugut, duke pretenduar se është një “zonë e sigurt”.

Por, granatimet, shkatërrimet dhe mizoritë izraelite kanë prekur të gjitha zonat, sipas zyrtarëve të qeverisë në Gaza, duke çuar në bllokimin e rreth 1.3 milionë nga 2.3 milionë banorët e Rripit të Gazës vetëm në qytetin Rafah.

Izraeli ka kryer një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor, për të cilin Tel Avivi thotë se vrau afro 1.200 njerëz.

Të paktën 34.300 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe rreth 77.300 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.

Më shumë se gjashtë muaj pas luftës izraelite, sipas OKB-së, ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

 

 (A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Tunizia dhe Franca diskutojnë për migracionin e parregullt dhe Gazën

27 Prill, 2024 04:00

Thumbs B C 4b9327ef3623e642fa9db783cb88673f

Madhësia e tekstit:

Balkanweb app Download on Apple StoreGet it on Google Play

Presidenti i Tunizisë, Kais Saied dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron diskutuan për migracionin e parregullt dhe sulmet e Izraelit ndaj Gazës.

Në një deklaratë nga Presidenca tuniziane bëhet e ditur se Saied zhvilloi bisedë telefonike me Macronin. Në deklaratë thuhet se dy liderët gjatë bisedës theksuan “valën e migrimit të paligjshëm (në Evropë) që po përkeqësohet çdo ditë e më shumë”.

“Ajo që po ndodhë në Tunizi me fluksin e emigrantëve të parregullt nga Afrika Sub-Sahariane (për të shkuar në Evropë) nuk janë të natyrshme. Duhet të bashkohen përpjekjet për të eliminuar rrjetet kriminale që trafikojnë njerëz dhe organe”, tha Saied.

Në bisedën ku u trajtuan edhe sulmet e Izraelit ndaj Gazës, dy presidentët diskutuan për “nevojën për të ndaluar luftën gjenocidale me të cilën po përballet populli i Palestinës në Gaza dhe ndalimin e menjëhershëm të kësaj lufte”.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Ministria e Shëndetësisë: Gjeneratorët e spitaleve të Gazës do të mbeten pa karburant

27 Prill, 2024 03:00

Thumbs B C 53f8e82ab531db137612e108d237c8b1

Madhësia e tekstit:

Balkanweb app Download on Apple StoreGet it on Google Play

Ministria e Shëndetësisë e Rripit të Gazës ka paralajmëruar se gjeneratorët elektrik në spitale do të pushojnë së funksionuari për shkak të mungesës së karburantit, “Ne u bëjmë thirrje OKB-së dhe institucioneve humanitare që të ofrojnë sa më shpejt karburantin e nevojshëm për të garantuar ofrimin e vazhdueshëm të shërbimeve për pacientët për të ruajtur jetën e tyre”, tha ministria palestineze.

Izraeli ka nisur një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afro 1.200 njerëz. Të paktën 34.300 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe më shumë se 77.300 të tjerë janë plagosur në mes të një rrethimi të vendosur nga Izraeli, i cili la të gjithë popullsinë, veçanërisht banorët e Gazës veriore, në prag të urisë. Disa spitale janë jashtë shërbimit në të gjithë enklavën e rrethuar për shkak të sulmeve dhe kufizimeve izraelite.

Tlaleng Mofokeng, raportuesi i posaçëm i OKB-së për të drejtën për shëndet, tha se lufta në Gaza ka “fshirë plotësisht” sistemin shëndetësor atje dhe e drejta për shëndet është shkatërruar në “çdo nivel”. Sipas OKB-së, më shumë se gjashtë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në gërmadha, duke çuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

 

 (A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Frika e vjedhjes së organeve nga ushtria izraelite në spitalin Nasser të Gazës

27 Prill, 2024 02:20

Aa 20240426 34383607 34383603 Palestinians Continue Exhuming Bodies From Mass Grave Discovered In Nasser Hospital Scaled E1714145128459

Madhësia e tekstit:

Balkanweb app Download on Apple StoreGet it on Google Play

Mjekët dhe ekipet e shpëtimit të përfshirë në gjetjen e trupave të civilëve nga varret masive në Kompleksin Mjekësor Nasser në Khan Yunis, që ndodhet në Rripin jugor të Gazës, kanë ngritur shqetësime rreth vjedhjes së mundshme të organeve nga forcat izraelite.

Pas tërheqjes së forcave izraelite nga qyteti Khan Yunis, tre varre masive me të paktën 392 trupa u zbuluan në Kompleksin Mjekësor Nasser.

Sipas agjencisë së lajmeve Wafa , 165 prej këtyre trupave mbeten të paidentifikuar për shkak të shpërfytyrimit.

Videot dhe fotot e viktimave tregojnë shenja torture të dukshme në trupat e tyre, me disa viktima të gjetura të lidhura me kapëse plastike. Mjekët dhe ekipet e shpëtimit raportuan se zbuluan trupa me duar të lidhura dhe plagë të qepura në bark në një mënyrë të papajtueshme me praktikat mjekësore, duke çuar në dyshime për vjedhje organesh.

Për më tepër, ekipet e shpëtimit raportuan se kishin gjetur trupin e gjymtuar të një vajze të re të veshur me një fustan duke ngritur shqetësimin se ajo mund të ishte varrosur e gjallë. Një tjetër viktimë, gjithashtu me fustan, u gjet në rrethana të ngjashme, duke shtuar më tej dyshimet.

Disa viktima u gjetën edhe me plagë me armë zjarri në kokë, gjë që çoi në dyshime për ekzekutime në terren.

Shumë trupa ishin të mbështjellë me qefine të zeza dhe blu të bëra prej plastike dhe najloni, ndryshe nga ngjyrat tipike të qefinit të përdorura në Gaza, të cilat ngritën dyshime se Forcat pushtuese izraelite synonin të rrisnin temperaturën e trupit për të përshpejtuar dekompozimin dhe për të fshehur provat.

Viktimat u varrosën më shumë se tre metra nën tokë, me trupa të grumbulluar njëri mbi tjetrin, raportoi Wafa .

Bazuar në provat e mbledhura, ekipet i panë këto veprime si tregues të krimeve kundër njerëzimit dhe ekzekutimeve në terren të kryera nga Forcat pushtuese brenda Kompleksit Mjekësor Nasser.

Kjo vjen pasi dhjetëra trupa u zbuluan gjithashtu në varreza masive në Kompleksin Mjekësor Al-Shifa në qytetin e Gazës dhe spitalin Kamal Adwan në Rripin verior të Gazës pas tërheqjes së Forcave pushtuese.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Franca kanë kërkuar të gjitha një hetim të pavarur për këto varre masive.

 

 (A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Përfshihet nga zjarri një hotel në qytetin Porto Alegre në Brazilin jugor, 10 të vdekur dhe 13 të plagosur

27 Prill, 2024 02:00

Whatsapp Image 2024 04 26 At 23.37.10

Madhësia e tekstit:

Balkanweb app Download on Apple StoreGet it on Google Play

Të paktën 10 persona humbën jetën pasi një zjarr shpërtheu në një hotel i cili shërbente si një strehë e improvizuar për të pastrehët në qytetin e Porto Alegre në Brazilin jugor, thanë zyrtarët.

Autoritetet shëndetësore thanë se të paktën 13 të tjerë u plagosën nga zjarri dhe u dërguan në spitalet lokale, disa në gjendje kritike.

Strehëza nuk kishte një leje funksionimi apo plan parandalimi nga zjarri, tha departamenti i zjarrfikësve për shtetin Rio Grande do Sul, kryeqyteti i të cilit është Porto Alegre.

“Ndodhi shumë shpejt. Njerëzit bërtisnin “zjarr!” Kur e pashë, dola me vrap sa më shpejt që munda, sepse tashmë kishte shumë tym”, tha një banor i paidentifikuar i ndërtesës për faqen e lajmeve G1.

Zjarrfikësve iu deshën rreth tre orë për ta vënë atë nën kontroll.

“Ekspertët mjeko-ligjorë ndodhen në vendngjarje për të identifikuar viktimat dhe për të hetuar shkakun”, thuhet në një deklaratë të zjarrfikësve.

Imazhet në mediat braziliane treguan se ndërtesa ishte përfshirë nga flakët ndërsa zjarrfikësit po luftonin për t’i shuar ato.

Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva dërgoi ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, duke thënë se tragjedia e la atë “të pikëlluar”, në një mesazh në X, dikur Twitter.

Kryebashkiaku i Porto Alegre Sebastiao Melo shpalli tre ditë zie zyrtare në qytet.

Guvernatori i shtetit Eduardo Leite tha se ishte “thellësisht i tronditur” nga fatkeqësia.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për pasojat e kësaj tragjedie dhe hetimin e shkaqeve,” shkroi ai në X, duke thënë se zjarrfikësja kishte dërguar pesë kamionë dhe dhjetëra zjarrfikës në vendngjarje.

Ligjvënësi shtetëror Matheus Gomes akuzoi qeverinë e qytetit për dhënien e fondeve për strehën e të pastrehëve edhe pse ishte përballur me raporte për mospërputhje me rregulloret “për vite me radhë”.

“Duhet të ketë një hetim jo vetëm për zjarrin, por gjithë kronikën e kësaj tragjedie të parashikuar”, shkroi ai në X.

Zjarri vdekjeprurës vjen 11 vjet pas një tjetër në shtetin Rio Grande do Sul.

Në vitin 2013, 242 njerëz u vranë në klubin e natës Kiss në qytetin e Santa Maria , duke bllokuar qindra brenda ndërsa ndërtesa digjej.

Hetuesit zbuluan se klubit i mungonin aparatet e punës të zjarrit dhe nuk kishte dalje të mjaftueshme. Katër persona u dënuan me burgim nga 18 deri në 22 vjet.

 

 (A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa:
©