KORCE– “Ka vende në Bashkimin Europian që bonusin për të porsalindurit nuk e japin për të gjithë fëmijët, por vetëm për shtresat në nevojë, ndërkohë që në Shqipëri do të aplikohet për të gjithë fëmijët”.

Kështu deklaroi sot nga Korça, Kryeministri Edi Rama duke shprehur bindjen se “pas disa kohësh do të hapet debati për ta shtrirë këtë bonus në të gjitha vitet”. “Por ne duhet të krijojmë mundësi të reja që të ndodhë kjo”, – tha Kryeministri.

Duke bërë reformat, tha Rama u krijuan këto mundësi. Kryeministri kujtoi se qeveria realizoi një reformë për energjinë që ishte shumë e dhimbshme, por falë faktit që kemi më pak borxhe, tani kemi më shumë mundësi.

Para pak ditësh, shtoi Rama, ne lançuan një politikë të re sociale që nuk mendohej se mund të ndodhte, sepse nuk ishin dhe nuk dukej se mund të krijoheshin mundësitë që për çdo fëmijë që lind të jepej një mbështetje financiare.

Ai theksoi edhe një herë se për fëmijën e parë të lindur ky bonus është 8-fishuar në 400 mijë lekë, për të dytin është 16-fishuar në 800 mijë lekë dhe për të tretin është 24-fishuar në 1.2 milionë lekë.

“Kur isha në bashkinë e Tiranës futa çekun e bebes 50 mijë lekë të vjetra dhe mbeti aq. Qeveria e mëparshme e mori në dorë për ta bërë për të gjithë fëmijët e porsalindur në vend dhe ajo që ne gjetëm ishte mbi 5 milionë dollarë borxh, sepse nuk u ishte dhënë prindërve çeku”, – tha Rama.

Ndërsa kjo politikë e re sociale e ndërmarrë tani, sipas tij, nuk u realizua, sepse hapëm një thes që e mbanim mbyllur, por sepse gjithë reformat, përpjekjet e sakrificat kanë krijuar disa mundësi të reja.

Kjo është sfida në fund të ditës, tha Rama, “të krijojmë mundësi të reja për të pasur mundësi që të kemi më shumë për qytetarët”. Shtëpia e përbashkët e shtetit, sipas tij, është njësoj si shtëpia e secilit.

Kryeministri iu përgjigj edhe atyre që ngrenë pretendimin se përse ky bonus nuk bëhet si në Gjermani, ku fondi shpërndahet për fëmijët deri në moshën 18-vjeçare.

“Gjermania për çdo fëmijë të porsalindur nuk paguan vetëm vitin e parë, por paguan shumë vite më tepër. Por ne nuk jemi Gjermania, ndaj s’e bëjmë dot aq sa Gjermania, por e bëjmë si Gjermania dhe vende të tjera që e shpërndajnë këtë bonus.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb