Hamasi është pengesa kryesore për kalimin në fazën e dytë të armëpushimit në Gaza, thuhet në raportin e parë të Bordit të  Paqes, e krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Në raportin që do t’i paraqitet sot Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, grupimi  vlerëson se shkeljet e përsëritura të armëpushimit po vazhdojnë dhe po pengojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes.

”Në këtë fazë, pengesa kryesore për zbatimin e plotë mbetet refuzimi i Hamasit për të pranuar çarmatimin e verifikuar, për të hequr dorë nga kontrolli detyrues dhe për të lejuar një tranzicion të vërtetë civil në Gaza”, thuhet në raport.

Përfaqësuesi i lartë i nismës për Gazën, Nickolay Mladenov, pritet ta prezantojë dokumentin para Këshillit të Sigurimit.

Sipas raportit, “institucionet, burimet dhe planet janë tashmë në vend për të ndërmarrë hapat e ardhshëm”, por mënyra dhe renditja e tyre do të varen nga vendimet që palët do të marrin tani.

Megjithëse një armëpushim hyri në fuqi në tetor, Gaza vazhdon të përballet me dhunë të përditshme. Sulmet izraelite vazhdojnë, ndërsa si ushtria izraelite ashtu edhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

Raporti thekson se shkeljet ndodhin pothuajse çdo ditë dhe se pasojat e tyre humanitare janë të rënda, me civilë të vrarë, familje që jetojnë në frikë dhe pengesa të vazhdueshme për qasjen e ndihmave humanitare.

Administrata Trump, së bashku me Katarrin dhe Egjiptin, ndërmjetësoi armëpushimin me synimin për t’i dhënë fund dy viteve të luftës shkatërrimtare në Gaza.

Në janar, Uashingtoni njoftoi fillimin e fazës së dytë të planit të paqes, e cila parashikon çarmatimin e Hamasit, organizatë që kreu sulmin e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, ngjarje që çoi në ofensivën masive izraelite në Gaza.

Plani përfshin gjithashtu tërheqjen graduale të forcave izraelite dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizuese.

Faza e parë e armëpushimit mundësoi lirimin e pengjeve të fundit të kapura gjatë sulmeve të tetorit 2023, në këmbim të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.

Megjithatë, kalimi në fazën e dytë , që përfshin çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite, e cila ende kontrollon më shumë se 50 për qind të territorit të Gazës. ka mbetur i bllokuar prej javësh, ndërsa vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te tensionet me Iranin dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit.

Raporti nënvizon se çarmatimi i Hamasit është thelbësor për fillimin e rindërtimit të Gazës, për të mundësuar një tërheqje të forcave izraelite brenda një afati të përcaktuar dhe për të krijuar një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze./ata/

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb