Boston vijon të mbetet skuadra me më shumë fitore në NBA dhe nuk lëshon kreun në Konferencën e Lindjes, duke fituar bindshëm së fundmi 124-97 ndaj Chicago, në një ndeshje të dominuar në fushën e vet.

Për Celtics, të gjithë titullarët realizuan mbi 10 pikë, ku u dallua Brown me 30 pikë dhe Tatum me 21 pikë. Kjo ishte humbja e pestë radhazi për Bulls, që rëshkasin në vendin e 13-të, shumë larg zonës së play-off-it.

Po në Lindje, Milwaukee mposhti 131-124 Miami Heat, një përballje mes dy ekipesh rivale. Antetokounmpo me 33 pikë dhe Lillard me 32 bënë diferencën në fushë për Bucks, duke i bërë të pavlefshme 31 pikët e Adebayo për ekipin nga Florida. Ky sukses, i treti radhazi, ngjit Milawaukee në vend të dytë, ndërsa Miami pësoi humbjen e tretë rresht dhe bie në vend të shtatë.

Në Perëndim, humbje në sekondat e fundit për Golden State, që u mund 124-123 nga Sacramento Kings. Curry dhe Wiggins realizuan nga 29 pikë secili për Warriors, por që nuk mjaftuan, ndërsa për vendasit u dallua Fox me 29 pikë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb