‘Bundesliga’ u mbyll këtë fundjavë me Bayern Mynchen që fitoi për herë të 28 titullin kampion, por pothuajse përgjatë gjithë sezonit bavarezët kanë bërë pa një prej pikave më të forta të tyre, portierin Emanuel Neuer.

Gjermani në muajin shtator pësoi një tjetër frakturë në këmbën e tij dhe që në momentin që kjo ndodhi ka patur frikë për prezencën në Botëror me kombëtaren.

Vetëm pak ditë më parë gardiani 32-vjeçar pohoi se kishte frikë se nuk do të grumbullohet nga Gjermania për shkak të formës së tij. Kjo nuk ndodhi pasi Loë ka ende shpresa te Neuer, shpresa të cilat janë rritur tashmë me lajmin se portieri është grumbulluar për herë të parë me ekipin e Bayern Mynchen pas 8 muajsh.

Skuadra e drejtuar nga Heynckes do të luajë ndeshjen finale të Kupës së Gjermanisë kundër Frankfurt përpara se të mbyllet përfundimisht sezoni.

Ndërkohë Gjermania e nis fushën e Botërorit më 17 qershor kundër Meksikës në Moskë, por Neuer do të ketë mundësinë të tregojë se është gati në fazën përgatitore që ‘panzerat’ do të nisin në Itali nga e marta e ardhshme.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb