Për herë të parë, para lexuesit shqiptar Gazeta Panorama boton procesverbalin sekret të gjyqit më misterioz të historisë së Shqipërisë komuniste. Ishte pikërisht fillimi i vitit 1982, kur kishte veç disa muaj që kish te vdekur në mënyrë enigmatike ish kryeministri historik dhe i hekurt, Mehmet Shehu. Në atë periudhë një valë e tërë arrestimesh shokoi mbarë popullin.

Në prangat e policisë sekrete ranë njëri pas tjetrit në mënyrë të menjëhershme lideri dhe arkitekti i Sigurimit të Shtetit dhe ish-ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, si dhe Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Ziçishti, Fiqrete Shehu, Gani Kodra, Ali Çeno etj.

U fol dhe u trumbetua me forcë në atë kohë se të gjithë ata ishin anëtarët e një organizate të madhe kunderrevolucionare, e cila ishte drejtuar nga Mehmet Shehu dhe që kishte pasur qëllim kryesor për të eliminuar Enver Hoxhën dhe të kthenin kapitalizmin në Shqipëri. Shumë është folur dhe aluduar për atë gjyq të bërë ndaj ish-figurave më të njohura dhe të respektuara të asaj periudhe. Gjyqi u zhvillua në ambientet e burgut të sigurisë së lartë Nr/313 në kryeqytet, shkruan Panorama.al.

Gjithsesi e vërteta ka qëndruar shumë larg opinionit, i cili për më shumë se 25 vjet ka arritur të njihet veç me disa sekuenca filmike nga seanca pyetësorë e Kadri Hazbiut të dhëna nëpër kanale televizive private. Ndërsa, për herë të parë Panorama.al publikon të rejat dhe të vërtetat e atij procesi historik gjyqësor, i cili renditet nga më misteriozët e historisë shqiptare të shekullit tonë. Çfarë ka ndodhur në prillin e vitit 1983 brenda qelisë së burgut 313, ku pas tre tavolinave të vjetra ishte vendosur trupi gjykues i Gjykatës së Lartë i kryesuar nga Aranit Çela dhe me prokuror të çështjes, vetë prokurorin e përgjithshëm Rrapi Minon.

Si u luajt tragjikomedia e tmerrshme dhe e paskrupullt mbi Kadri Hazbiun, Llambi Peçinin, Feçor Shehun, Mihallaq Ziçishtin, Gani Kodrën, Llambi Ziçishtin, Ali Çenon, etj të cilët të sfilitur dhe të shkatërruar fizikisht nga torturat 17-mujore të hetuesisë detyroheshin të dëgjonin me duar të prangosura lloj-lloj paradoksesh të sajuara në selinë e Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Gjithçka bëhet e mundur sot mes zbardhjes së ditarit më sekret të mbajtur nga Gani Kodra, i cili është njëri prej të pandehurve të atij grupi dhe që ka qenë i ulur në bankën e të akuzuarve në krah të Kadri Hazbiut.

Gani Kodra ka qenë i akuzuar në atë grup si bashkëpunëtori më i afërt i Mehmet Shehut në veprimtarinë e tij kundërrevolucionare dhe agjenturore. Nëpërmjet faqeve të atij ditari, që do të botohet i plotë në numrat në vazhdim të rubrikës sonë, lexuesi do të njihet me historinë e hetuesisë së Kadri Hazbiut. Gjendja e tij e rënduar ku mes torturave ishte gjymtuar dhe sakatuar, aq sa rrinte para trupit gjykues me 6 brinjë të thyera. Qëndrimi i tij në gjyq. Cilët ishin dëshmitarët që dolën në atë gjyq dhe si arriti hetuesia që mes torturave barbare të thyente disa prej dëshmitarëve për të kryqëzuar Kadri Hazbiun.

Çfarë thanë kundër Kadriut, Nesti Kerenxhi, Mihallaq Ziçishti, Halit Bajrami, Ali Çeno, Dhora Leka si dhe ish-sekretarja, shoferi dhe radisti i tij. Kundërpërgjigjet e Kadriut dhe situa ta që ai sillte herë pas here duke mbërthyer me pyetje dëshmitarët. Akuzat që hidhte ndaj trupit gjykues dhe kuraja e bij e jashtëzakonshme për të denoncuar publikisht histori-komedinë, që sajohej nga Enver Hoxha në plazhin e Vlorës që cili jepte përditë udhëzime nëpërmjet Herkuran Isait.

Vendimi përfundimtar i atij gjyqi të tmerrshëm, i cili vendosi dënimin me vdekje për të pandehurit, të cilët deri pak muaj para se të uleshin në atë banke duartrokiteshin nga populli. Reagimi i Kadri Hazbiut kur mësoi vendimin për ekzekutimin e tij dhe fjala e fundit para trupit gjykues.

AKUZA E PROKURORIT RRAPI MINO

Aktakuza e mbajtur nga prokurori i përgjithshëm, Rrapi Mino, ishte e gjatë. Në të flitej dhe shtjellohej në detaje se si ishte krijuar organizata kundërrevolucionare e drejtuar nga poliagjenti Mehmet Shehu dhe e përbërë nga armiq të betuar të partisë, që kishin për qëllim eliminimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës, Enver Hoxhën, duke e zhdukur atë fizikisht dhe rrëzimin e pushtetit popullor për të vendosur kapitalizmin në Shqipëri.

Sipas akuzës, kjo organizatë e kishte shtrirë aktivitetin e saj në të gjithat kyçet e vendit si: në ekonomi, ushtri, kulturë e Sigurimin e Shtetit, duke punuar me të gjitha mjetet për rrëzimin e pushtetit popullor, në procesverbal thuhet gjithashtu se grupet armiqësore që kishin dalë si ai i Fadil Paçramit e Todi Lubonjës në kulturë e ideologji, ai në ushtri i kryesuar nga Beqir Balluku e Petrit Dume dhe ai në ekonomi i e Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, ishin drejtuar nga një dorë e vetme që ish te organizata e kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu me bashkëpunëtorët e tij kryesorë, Kadri Hazbiu, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi e tjerë. Sipas akuzës, kjo organizatë drejtohej nga zbulimet e huaja, sidomos ai amerikan, sovjetik e jugosllav, agjentë të të cilëve kanë qenë edhe pjesëtarët e kësaj organizate.

FANTAZIA E AKTAKUZËS BINDËSE AQ SA
VETËM NE TË AKUZUARIT E KUPTONIM SAJIMIN

Aktakuza ishte përpiluar me një fantazi që ishte për t’u pasur zili nga cilido që do ta dëgjonte. Ajo ishte shkruar në mënyrë të tillë që kushdo që do ta gjente, përveç nesh që e dinim se ishin të sajuara, do të besonte se në të vërtetë ne ishim armiq dhe agjentë të zbulimeve të huaja, që kishim filluar aktivitetin armiqësor që në kohën e luftës, duke punuar mbi bazën e udhëzimeve qe jepnin zbulimet e huaja, dhe se mbas lufte vazhduam po me udhëzimet e direktivat e atyre zbulimeve.

Gani Kodra Ish Shefi I Sigurimit Byroja Ditari Gazeta Panorama
Gani Kodra Ish Shefi I Sigurimit Byroja Ditari 

RRAPI MINO, JASHTË MJESHTËRIVE TË INTRIGANTEVE

Ajo aktakuzë ishte e përpiluar nga njerëz që e njihnin intrigën dhe kishin fantazinë për të lidhur gjërat në mënyrë të tillë që ta besonin njerëzit e thjeshtë. Kuptohej qartë se ajo aktakuzë nuk ishte përpiluar nga Rrapi Mino, që ishte prokuror i përgjithshëm, për faktin se ai nuk e kishte atë kulturë ose inteligjencë që të parashikonte detajet dhe ndërthurjen e fakteve deri në hollësitë e paimagjinueshme. E them këtë se gjatë gjithë atyre ditëve që u zhvillua gjyqi, ai jo vetëm që nuk ishte në gjendje të bënte një pyetje, por në të gjitha rastet e tjera në debatet me Kadri Hazbiun nuk mundej ta thoshte as dy fjalë për t’iu përgjigjur Kadriut, por mbeti i bllokuar prej tij. Në disa raste u desh të ndërhynte kryetari i trupit gjykues, Aranit Çela, që për të shpëtuar Rrapi Minon, i bënte ndonjë pyetje Kadriut. Kështu që gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit, megjithëse me cilësinë e prokurorit të përgjithshëm, Rrapi Mino mbeti spektator.

EDHE NË RADHËN E TË PYETURVE PËRDORËN DJALLËZI

Pas leximit të aktakuzës që ishte mjaft gjatë, filloi procedura e pyetjeve për secilin prej nesh. Radha e pyetjeve për ne ishte përgatitur në mënyrë të djallëzuar, duke pyetur të parët ata persona që ishin thyer nga torturat. Vetëm ata mund t’i pranonin me të parën akuzat e stisura, sidomos ato në drejtim të Kadri Hazbiut, pasi ky ishte ky kryesor që, sipas tyre, duhej të vihej patjetër me shpatulla pas murit. Por si u realizua kjo detyrë që trupi gjykues kishte marrë nga lart? Këtë do të mundohem të radhis më poshtë, duke përshkruar secilit prej nesh si dhe të një morie dëshmi me radhë deponimtarësh të përgatitur për të mbështetur akuzën ndaj nesh.

TE PARIT I JEPET FJALA MIHALLAQ ZIÇISHTIT

I pari që u pyet nga ne ishte Mihallaq Ziçishti, i cili si gjithë të tjerët i ishte nënshtruar torturave më çnjerëzore që mund mendohen. Pas kësaj, ai nuk kishte mundur të rezistonte në hetuesi, por ishte detyruar të pranonte gjithçka që i kishin servirur sipas porosive që kishin marre nga lart. Për ketë arsye, hetuesit e tij në bashkëpunim me prokurorin dhe kryetarin e trupit gjykues, e ishin vënë Mihallaqin të parin në listë për a pyetur. Këtë e bënë jo vetëm se ata kishin bindje se ai do të mund të pranonte edhe para rupit gjykues ato që ishin shënuar në procesverbalin e tij, pra ato që kishte pranuar gjatë hetuesisë, por edhe për faktin se në atë procesverbal ishin shënuar materiale me lere, për të vërtetuar ato që kishte fantazuar Enver Hoxha. Në të vërtetë ashtu ndodhi. Para trupit gjykues Ziçishti deponoi një për një ato që ishin shënuar në procesverbain e parapërgatitur në hetuesi nën efektin e torturave çnjerëzore, madje pa ndryshuar as edhe një presje.

Kush është Gani Kodra dhe si i realizua ditari i gjyqit  ‘horrorr”

Ish-shefi i sigurimit të Byrosë Politike për më se 20 vjet me radhë dhe njeriu më i afërt i familjes së Mehmet Shehut, kur u arrestua në fillim të vitit 1982, nuk e kishte menduar asnjëherë se do të arrinte një ditë dhe ai do të dilte i gjallë prej burgut dhe prej grackës së rrezikshme të diktaturës.

Ai akuzohej si anëtar i organizatës më të rrezikshme kundërrevolucionare të drejtuar nga Mehmet Shehu. Pas kësaj akuze, së bashku me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Peçinin dhe Llambi Ziçishtin të cilët u dënuan me vdekje, Gani Kodra për 17 muaj në hetuesi, do të përballonte lloj-lloj torturash dhe prapaskenash të tmerrshme. Pas hetuesisë, ai për ditë të tëra do të detyrohej në bankën e të akuzuarve të përballej me lloj-lloj dëshmish, të cilat mes intrigave të sajuara nga Prokuroria dhe Hetuesia do ta kalonin ashtu si dhe Kadri Hazbiun shumë herë në gjendje torturuese fizike dhe psikologjike.

Dëshmitarët që hidhnin baltë dhe akuzonin Kadri Hazbiun, Feçorin, madje Mehmetin dhe vetë Gani Kodrën vinin e iknin radhazi në atë sallë të vogël të ambienteve të burgut 313. Ndoshta ata dëshmitarë, madje dhe vetë prokurori dhe të gjyqtari i çështjes nuk mund ta kishin menduar se një ditë do të kthehej pllaka politike dhe dikush si Gani Kodra do të arrinte të dilte i gjallë, dhe puna e parë që do të bënte  do të ishte hedhja në letër e gjithë asaj te tragjedie të ndodhur brenda mureve ku rrinte të i lidhur së bashku me Kadri Hazbiun.

Ai arriti të dilte i gjallë nga burgu vetëm në vitin të 1990 dhe menjëherë filloi të hedhë në letër vuajtjet e tij që i ishin skalitur në kokë si he ditët më të llahtarshme të jetës./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb