TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe i është përgjigjur ministrit të Bujqësisë Edmond Panariti i cili sot e akuzonte se investimet publike në bujqësi i paraqet si veprat e veta.

Braçe nga ana tjetër i drejton disa pyetje ministrit të LSI-së, duke nisur nga subvencionet në Lushnjë e Divjakë, tek shpërndarja e tokës bujqësore e kategorisë së parë. Deputeti i PS-së i zgjedhur në qarkun e Fierit thotë më tej se ministri nuk ka qenë kurrë të shikojë kanalet, ndërsa kryeministri i tij ka qenë 7 herë. Por gjithsesi Braçe, nuk fajëson ministrin, të cilin e quan ‘profesor’ por siç thotë ai, atë që e drejton vërtetë atë ministri.

Braçe ka dhe një përgjigje për ‘ebolën’, siç e quajti Kreu i Kuvendit Ilir Meta, dje në mitingun në Tiranë, Rilindjen.

Me anë të një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut, Panariti shkroi sot se projekti i ujitjes dhe kullimit në Lushnjë, është meritë e Ministrisë së Bujqësisë dhe jo e Braçes.

Mes të tjerash Panariti ironizon Braçen, ndërsa i sugjeron këtij të fundit që të kujtojë kryetarët e bashkive që të vadisin palmat e thara buzë rrugëve.

REAGIMI I BRAÇES
Ministër, mirëdita!!
Mësova se, më në fund, u zgjuat edhe ju;
Reaguat!
Në fakt, unë prisja një përgjigje për pyetjen e thjeshtë të disa ditëve më parë, gjithnjë lidhur me bujqësinë, asfare me ju:
Cili është një bujk i vetëm në Divjakë e Lushnjë që ka përfituar qoftë edhe një lek të vetëm subvencion të drejtpërdrejtë për punën me tokën?

Duhet një përgjigje!
Janë 47-48 milion euro, ku kanë shkuar?
Si thua? Duhet një përgjigje.
Nuk kalohet nga këtu siç ju dhe kali lumin!
Dhe jo vetëm për këtë;
Edhe për pyetjen tjetër:

Ku kanë shkuar 26 mijë metër katrore tokë bujqësore e kategorisë së parë? Kujt i janë dhënë? Sa nga kjo sipërfaqe është kultivuar? Sa njerëz janë punësuar?

E bën dot?
Një përgjigje e thjesht duhet, duke nisur nga Libofsha, nga ai “bujku” prej Bangladeshi.
Nuk po të akuzoj, thjesht po të kërkoj një përgjigje të thjeshtë, gjithnjë e lidhur me punën tuaj, efektin e kësaj pune tek bujqit, puna e tyre me tokën.

Në anë tjetër, nuk habitem hiç nga statusi juaj për “përvetësimin e kanaleve”!
Patjetër ti, ju, partia juaj, veç kaq mund të bëni.
Ju personalisht, as që mund ta dini ku kam qenë unë, ku jam;
Ka një arsye të thjesht:
Ju nuk keni qenë kurrë atje ku kam qenë unë, kanal më kanal, vaditës e kullues, i parë, i dytë apo i tretë.
Ju nuk vini dot aty;
Ndaj mua më njohin të gjithë, më kanë parë edhe bujqit, edhe punëtorët, edhe manovratorët, siç i njoh dhe unë!
Di emrin e ndonjërit prej tyre ministër?
E kupton që arkiva e “Facebook”, “Instagram” është një provë, për mua e për ty, por arkiva njerëzore e prezencës, kontakteve, punës së përbashkët, është një provë e pacenueshme.
Unë kam qenë, ti, ju, partia juaj JO! Zero!

Pyetje e thjeshtë është ministër, përsëri;
Kur ke qenë për herë të fundit në inspektimin e një kanali, kullues e vaditës për herë të fundit?
Mos u mundo kot me përgjigjen;
Kryeministri yt ka qenë shtatë herë, ti asnjëherë. Zero!
Unë, siç e sheh s’kam ç’të përvetësoj nga ju!

E kupton, projekti i fundit, është vonuar një jetë, nga dhjetori i 2012 në janar 2017!!!
Çfarë kohe e çmuar është humbur?!
Ju jeni përgjegjësit!!

Dhe ti e di fort mirë çfarë ministrie mal kam lëvizur unë, Vali, Oljani e kryeministri për të vënë në lëvizje projektin!!
Ndaj merre pas çfarë ke shkruar!
Edhe për një arsye tjetër;
Unë kam punën, madje edhe punën përtej mundësive, ju llafet më së shumti, madje përtej çdo caku.
E di ç’është një punë e tillë;
Të pastrosh katërfishin e kanaleve me të njëjtat lekë.

Po ta bëj më të thjeshtë;
Me një lek, ju bënit 1 kilometër, ne me bashkitë e reja, bëjmë 4 të tilla.
Ndaj bashkia e Lushnjës ka pastruar 240 km në pak më shumë se një vit, 120 km bashkia e Divjakës; 450 km do arrijnë ketë vit, dy turne pune.

Profesor, ju respektoj pa masë,
gjithçka them s’ka lidhje me ju, por me drejtuesin real të asaj ministrie.
Unë i ndaj, ju e keni pranuar këtë derexhe drejtimi.

Ndaj nuk keni punë!
Ky është problemi!
Prej jush po vuajnë bujqit.
Përpara tyre nuk vë kërrkënd nga ju!
Ditë të mirë!
vo: të lutem thuaju Gimave ç’është ebola, mbetën qofterive duke kërkuar ta blejnë me lekë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: