Tentativat për të fituar azil në shtete të BE duket se i kalojnë ndonjëherë edhe skenarët e filamve. Kështu ka ndodhur me një djalë vetëm 9 vjeç, i cili është braktisur në Francë nga babai i tij, për qëllim që të fitonte azil në këtë shtet.

Sipas policisë shtetasin H. F., 50 vjeç, nga Vlora është proceduar penalisht pasi akuzohet për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

50-vjeçari më datë 22.01.2020, ka kaluar kufirin në PKK Muriqan, bashkë me djalin e tij të mitur, me autorizimin përkatës nga nëna e djalit, dhe më datë 09.01.2023, është kthyer në Shqipëri, pa djalin e tyre. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas e ka braktisur djalin e tij 9 vjeç, në Francë, me qëllim azilkërkimin.

Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjitha pikat e kalimit, për dokumentacionin, si dhe intervistimet për përmbushjen e kushteve për lëvizjen drejt vendeve të BE-së apo vendeve të tjera, për të gjithë qytetarët.

Gjithashtu, do të vijojë bashkëpunimi i ngushtë me homologët e të gjitha vendeve të hapësirës SCHENGEN e më gjerë, për verifikimin, identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të të gjithë atyre që braktisin të miturit, për qëllime azilkërkimi.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët të mos ndërmarrin asnjë veprim që ka si qëllim azilkërkimin, pasi shanset për të fituar atë janë zero. Policia e Shtetit është e vendosur për të ndëshkuar ligjërisht të gjitha rastet e braktisjes së fëmijëve të mitur, jashtë vendit, me qëllim azilkërkimin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb