Brazili do të luajë ndeshjen e tretë në grup dhe pesë herë kampionët e botës kanë mundësinë për të qenë skuadra perfekte. Ndaj Kamerunit, Seleçao do të kërkojë ta mbyllë me pikë të plota, 9, si dhe pa pësuar gol, si asnjë tjetër në fazën e grupeve. Janë tre mungesa për sfidën e sotme, Neymar, Danilo dhe Alex Sandro.

Nëse këta dy të fundit kanë progres në rikuperim, sulmuesi duket ende në dyshim për ndeshjen e 1/16, që me shumë mundësi Brazili do ta luajë me Australinë. Në fushë pritet të jetë Dani Alves, i cili do të thyejë rekordin e moshës në një kupë bote për kombëtaren.

Vetëm një skenar i zbret të besuarit e Tites në vendin e dytë, të humbin kundër Kamerunit dhe Zvicra të fitojë me mbi 2 gola diferencë ndaj Serbisë. Ndërkohë, edhe Luanët e paepur kanë shanset e tyre, nëse arrijnë të fitojnë sonte dhe të njëjtën gjë të bëjë edhe Serbia, me të njëjtën diferencë golash.

Brazili dhe Kameruni janë ndeshur 2 herë në kupën e botës, më 1994 dhe 2014, në të dy rastet ka fituar Seleçao, njëherë 3-0 dhe në të tjetrën 4-1. Afrikanët mund të krenohen me një fitore në 2003-in në kuadër të kupës së konfederatave. Por nga ana tjetër, në dy dekada, Brazili nuk ka humbur kurrë ndaj skuadrave afrikane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb