Aktori Bryan Cranston ka reaguar me krenari ndaj vlerësimit që mori seriali “Breaking Bad”, i renditur në vendin e parë në listën e 100 serialeve më të mira televizive të shekullit të 21-të, të publikuar nga “The New York Times”. Në një intervistë për revistën “People”, aktori 70-vjeçar, i njohur për rolin e Walter White, tha se ndihet jashtëzakonisht krenar për këtë arritje, duke theksuar se vlerësimi është një nder për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e serialit.
“Jam jashtëzakonisht krenar për të”, u shpreh Cranston, duke shtuar se bëhet fjalë për një vlerësim të bazuar në votim, që u takon të gjithë pjesëmarrësve në krijimin e këtij produksioni. “Breaking Bad” tregon historinë e Walter White, një mësues kimie në shkollë të mesme, i cili pasi diagnostikohet me kancer në mushkëri në stadin e tretë, nis të prodhojë dhe shesë metamfetaminë së bashku me ish-nxënësin e tij, Jesse Pinkman, të luajtur nga Aaron Paul.
Seriali u transmetua për pesë sezone, nga janari i vitit 2008 deri në shtator të vitit 2013, duke u shndërruar në një prej produksioneve më të njohura televizive. Krahas Cranston dhe Paul, në kastin e aktorëve ishin edhe Anna Gunn, Giancarlo Esposito, Bob Odenkirk, Dean Norris, Betsy Brandt, RJ Mitte dhe Jonathan Banks. Suksesi i serialit u pasua nga prodhime të tjera të lidhura me të njëjtin univers. “Better Call Saul”, me protagonist Bob Odenkirk, nisi transmetimin në vitin 2015 dhe përfundoi në vitin 2022. Ndërsa filmi “El Camino: A Breaking Bad Movie”, me Aaron Paul, vijoi historinë e Jesse Pinkman pas ngjarjeve të serialit origjinal.
Gjatë transmetimit, “Breaking Bad” fitoi 16 çmime Emmy, dy çmime Golden Globe, dy çmime Peabody dhe një çmim BAFTA. Bryan Cranston u vlerësua katër herë me çmimin Emmy për aktorin më të mirë protagonist në një serial dramatik, ndërsa Aaron Paul fitoi tri herë çmimin për aktorin më të mirë në rol dytësor. Anna Gunn u nderua dy herë me çmimin Emmy për aktoren më të mirë në rol dytësor.
Lista e “The New York Times” u hartua bazuar në votat e 516 profesionistëve të industrisë televizive, mes tyre aktorë, skenaristë, krijues serialesh dhe producentë. Në renditje u përfshinë vetëm produksionet që nisën transmetimin pas 1 janarit të vitit 2000. Pas “Breaking Bad”, në listë u renditën “The Wire”, “Mad Men”, “Succession” dhe “Fleabag”, duke plotësuar pesëshen e parë.
