Prej rreth një jave, lëkundjet sizmike kanë qenë të vazhdueshme në Santorini, ku mijëra persona janë larguar nga ishulli. Tregues i fenomenit tektonik që po ndodh në ishull është video 3D e krijuar nga studiuesi dhe i diplomuari i Departamentit të Gjeologjisë dhe Gjeomjedisit të Universitetit Kombëtar të Athinës, Pavlos Krasakis.
Gjeologu Pavlos Krasakis krijoi një video origjinale 3D të tërmeteve e cila po bën xhiron e internetit. Në video shihen tërmetet në Santorini, nga data 25 janar e deri më sot.
Videoja kap “stuhinë” sizmike në ishull në një mjedis 3D, duke u mbështetur në të dhëna nga studimet e Evi Nomiko, profesoreshë e Oqeanografisë Gjeologjike dhe Gjeografisë Fizike, si dhe nga Departamenti i Gjeologjisë i Universitetit të Athinës.
Vihet re se në video rrathët blu paraqesin ngjarje sizmike historike me magnitudë më të vogël se 6 R. Pikat e kuqe shënojnë ngjarje sizmike historike më të mëdha se 6 R, siç është tërmeti i Amorgos i vitit 1956, një nga ngjarjet më të forta në historinë e rajonit.
Gjithashtu, vijat e kuqe përfaqësojnë defekte me rrezik të lartë dhe vijat e verdha defekte me rrezik të mesëm.