Mbretëria e Bashkuar po përgatitet të ndryshojë ndjeshëm rregullat e emigracionit, duke zgjatur deri në 15 vjet periudhën e pritjes për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm për disa kategori emigrantësh. Reforma e propozuar nga qeveria britanike parashikon ashpërsimin e kritereve për përfitimin e statusit të njohur si Indefinite Leave to Remain (ILR), i cili u jep shtetasve të huaj të drejtën të jetojnë dhe punojnë pa kufizim kohor në vend.
Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, pritet të prezantojë detaje të reja mbi ndryshimet, të cilat mund të prekin mijëra emigrantë që jetojnë dhe punojnë aktualisht në Britani.
Një nga kategoritë që rrezikon të përballet me pritjen më të gjatë është ajo e punonjësve të huaj në sektorin e kujdesit social. Për ta është propozuar zgjatja e afatit nga pesë në 15 vjet. Megjithatë, qeveria po shqyrton mundësinë që emigrantët që kanë mbërritur ligjërisht dhe jetojnë tashmë në Britani të përjashtohen nga disa prej masave të reja.
Debati kryesor lidhet me mundësinë që ndryshimet të zbatohen edhe për personat që kanë hyrë në vend sipas rregullave ekzistuese dhe janë duke plotësuar kushtet për të marrë qëndrimin e përhershëm. Ish-sekretarja e Strehimit, Angela Rayner, e ka kundërshtuar këtë mundësi, duke e cilësuar zbatimin prapaveprues të reformës si “jo britanik”.
Nga ana tjetër, ministrja Mahmood argumenton se rritja e emigracionit të ligjshëm pas Brexit-it kërkon një rishikim të sistemit. Sipas saj, kostot për taksapaguesit britanikë nga përfitimet e mundshme sociale të emigrantëve mund të arrijnë deri në 10 miliardë paund gjatë jetës së tyre.
Mahmood ka deklaruar se gjatë pesë viteve të ardhshme rreth 350 mijë punonjës me kualifikim të ulët dhe familjarët e tyre, të ardhur përmes vizave të sektorëve të shëndetësisë dhe kujdesit social, pritet të plotësojnë kushtet për të aplikuar për qëndrim të përhershëm.
Reforma mund të ketë ndikim edhe te mijëra shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithçka do të varet nga lloji i vizës, statusi aktual i emigrantëve dhe dispozitat kalimtare që do të miratohen nga qeveria.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse personat që kanë mbërritur më herët dhe janë pranë plotësimit të periudhës pesëvjeçare do të përfitojnë nga rregullat ekzistuese apo do të përfshihen në skemën e re.
Propozimet kanë kaluar në një konsultim publik njëvjeçar, gjatë të cilit janë marrë më shumë se 200 mijë përgjigje. Vendimi përfundimtar i qeverisë britanike pritet të përcaktojë kohëzgjatjen e re të pritjes, kategoritë e prekura dhe përjashtimet e mundshme për emigrantët që ndodhen aktualisht në vend.
