Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të japë garanci kredie në shumën prej 192 milionë GBP (225 milionë euro) për të forcuar sigurinë energjetike të Ukrainës dhe për të ndihmuar kombin të shpëtojë nga varësia e karburantit bërthamor nga Federata Ruse.

Lajmi u bë i ditur nga Sekretari i Energjisë në Mbretërinë e Bashkuar, Grant Shapps, i cili po viziton Ukrainën.

“Mbretëria e Bashkuar do të japë një garanci 192 milion £ për kompaninë kombëtare bërthamore të Ukrainës, Energoatom nëpërmjet agjencisë së kredisë së eksportit të Mbretërisë së Bashkuar, UK Export Finance”, thuhet në raport.

Si pjesë e marrëveshjes, Urenco e Mbretërisë së Bashkuar do t’i ofrojë operatorit bërthamor kombëtar ukrainas, Energoatom, shërbime të pasurimit të uraniumit që janë jetike për karburantin bërthamor.

Qeveria britanike beson se kjo do të forcojë sigurinë energjetike të Ukrainës dhe do të ndihmojë në përfundimin e varësisë së vendit nga shërbimet bërthamore dhe karburantet bërthamore nga Federata Ruse, si dhe do të izolojë më tej presidentin rus Vladimir Putin.

“Mbështetja jonë për Ukrainën është e palëkundur përballë pushtimit barbar të Putinit – Britania e Madhe vazhdon të qëndrojë me Ukrainën ndërsa zmbrapsin sulmet ruse dhe rindërtojnë vendin e tyre”, tha Shapps.

“Putini ka përdorur energjinë si një armë lufte: veprimi i sotëm për të mbështetur dërgesat e karburantit bërthamor do të ndihmojë Ukrainën t’i japë fund varësisë së saj nga furnizimet ruse dhe të forcojë sigurinë e saj energjetike,” shtoi sekretari i energjisë.

Sipas Departamentit të Sigurisë së Energjisë, kredia e re do të sjellë ndihmën financiare joushtarake të Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën afro 5 miliardë GBP.

Gjatë vizitës së tij në Ukrainë, Grant Shapps u takua me zyrtarë të lartë të qeverisë ukrainase dhe të energjisë dhe vizitoi një termocentral që po riparohet pas dëmeve nga bombardimet ruse.

Më herët, Britania e Madhe do të dërgojë një shtesë prej 60 milionë GBP (77 milionë dollarë) në Fondin e Mbështetjes së Ukrainës të NATO-s.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb