Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje të re që parashikon uljen e tarifave për mallra me vlerë rreth 30 miliardë dollarë, pas takimeve mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij kinez Xi Jinping në Uashington. Sipas Ministrisë së Jashtme kineze, marrëveshja përfshin tetë pika dhe parashikon gjithashtu nisjen e një dialogu të posaçëm për inteligjencën artificiale. Të dyja palët kanë rënë dakord të krijojnë edhe një këshill tregtar, ndërsa rezultatet e bisedimeve të zhvilluara më herët në Kuala Lumpur do të zgjerohen.
Marrëveshja vjen pasi dy ekonomitë më të mëdha në botë vendosën të zgjasin me dy muaj armëpushimin tregtar, i cili pritej të përfundonte më 10 nëntor. Zgjatja u dha palëve më shumë kohë për të negociuar një marrëveshje më të gjerë tregtare. Në fokus të bisedimeve ishte edhe inteligjenca artificiale. Sipas palës kineze, SHBA dhe Kina do të zhvillojnë diskutime mbi rreziqet dhe përfitimet e kësaj teknologjie. Raundi i ardhshëm i bisedimeve është planifikuar për në nëntor, ndërsa është rënë dakord edhe për krijimin e një kanali komunikimi për incidentet që lidhen me inteligjencën artificiale.
Takimi tre-ditor mes Trump dhe Xi përfundoi të dielën dhe, sipas Reuters, u karakterizua kryesisht nga diplomacia personale mes dy liderëve, pa njoftime të shumta publike për marrëveshje të mëdha. Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi e cilësoi vizitën si një zhvillim që ka forcuar marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe që, sipas tij, hap një kapitull të ri në raportet mes dy vendeve. Përveç tregtisë, dy liderët kanë rënë dakord të bashkëpunojnë për organizimin e takimeve të APEC dhe G20. Në aspektin e politikës së jashtme, palët kanë deklaruar gjithashtu se Irani duhet të respektojë angazhimin për të mos zhvilluar armë bërthamore dhe se nuk duhet të vendosen tarifa tranziti në korridoret ndërkombëtare detare.
