Ulja e rasteve të infektimit apo vdekjeve nga COVID-19, duket se nuk do të thotë rikthimin në qetësi të njerëzimit dhe për më tepër botës perëndimore.

Një sëmundje e re, e cila ka qenë e padiagnostikuar më parë në Perëndim, së fundmi duket se po përhapet me shpejtësi.

“Monkeypox”, e përkthyer në shqip si Lija e Majmunëve duket se ka prekur kryesisht Britaninë e Madhe, ku ditën e sotme janë zbuluar dy raste të reja të infeksionit, të cilat nuk kanë lidhje me të mëparshmet.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Britani ka deklaruar për mediat se “një nga dy personat, që jetojnë në të njëjtën familje po trajtohet në spital”.

“Një nga rastet më të fundit po kujdeset në njësinë e sëmundjeve infektive në Spitalin St Mary’s, Imperial College Healthcare NHS Trust, në Londër. Personi tjetër është i izoluar dhe aktualisht nuk kërkon trajtim spitalor”, thuhet në deklaratë.

Këto raste, të cilat janë të tetat dhe të nëntat e konfirmuara në total në Britani, nuk janë të lidhura me rastin e konfirmuar më parë në 7 maj.

Ndërkohë raportohet nga Daily Mail se kontakteve të ngushta të dy rasteve të fundit po u ofrohet informacion dhe këshilla shëndetësore si një masë paraprake.

Sa i përket sëmundjes “Lija e majmunëve” është një infeksion i rrallë viral që vret deri një në dhjetë nga të infektuarit, por nuk përhapet lehtësisht midis njerëzve. Sëmundja u zbulua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2018 pasi një udhëtar e solli virusin nga Nigeria dhe u përhap te dy persona të tjerë, duke përfshirë një infermiere të NHS-së.

Drejtuesit e shëndetësisë thanë se është e rëndësishme të theksohet se rreziku i përgjithshëm për publikun e gjerë mbetet shumë i ulët, ndërsa zyrtarët shëndetësorë shtuan se po hetojnë se ku dhe si e kanë marrë dyshja e fundit infeksionin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb