Ergys Kaçe nuk po ak tivizohet te PAOK-u dhe kjo vjen si vendim i klubit për ta shitur gjatë merkatos së verës.
Kontrata e mesfushorit të Kombëtares së Shqipërisë përfundon vitin e ardhshëm dhe presidenti i klubit grek është munduar që të gjejë një ekip të ri për 23-vjeçarin, por duke i plotësuar kërkesat financiare sa i përket kartonit.
Pas një mungese informacioni se çfarë po ndodhte me lojtarin, media greke ka zbuluar të gjitha prapaskenat e deritanishme, madje edhe planin që do ndjekë PAOK-u.
Ofertat
Klubi kishte nxjerrë në shitje lojtarin, duke përfituar nga fakti që vetëm një vit më parë ishin disa skuadra prestigjioze që kishin shfaqur interes. Çmimi i vendosur për kartonin ishte prej së paku 2 milionë eurosh.
Në fakt, ka pasur një “bum” ofertash dhe numërohen plot gjashtë të tilla që kanë shkuar zyrtarisht në adresën e PAOK-ut.
Gjithsesi, asnjëra nuk ka qenë në nivelin që pretendonte presidenti, pasi merrej në konsideratë edhe fakti që vetëm pas një viti, mesfushori mund të largohet me parametër zero.
Dy ditë më parë ka qenë oferta e fundit për Ergys Kaçen, e cila ishte rreth 500 mijë euro dhe ka qenë më e larta, por është refuzuar.
Të dorëzuar nga fakti që mund të marrin ofertën e duhur, por duke qenë të bindur se futbollisti vlen shumë, atëherë krerët e klubit grek kanë vendosur që të ndjekin një tjetër plan.
Rinovimi
PAOK-u do rinovojë kontratën me Kaçen edhe për tre vite të tjera, duke i plotësuar lojtarit të gjitha pretendimet financiare që ka. Pritet një rritje e ndjeshme e rrogës që përfiton aktualisht. Por, kjo nuk do nënkuptojë se futbollisti kuqezi do qëndrojë në Greqi.
Sapo të rinovojë, ai do huazohet në një klub prestigjioz të kontinentit, me të drejtë blerje në fund të edicionit.
Pritet të jetë një skuadër cilësore, ku edhe Kaçe do ketë mundësi që të reklamojë sa më mirë potencialin e tij, duke i dhënë mundësi PAOK-ut që në verën e 2017-ës të sigurojë sasinë e synuar për kartonin.
Ofertat
Sa u përket gjashtë ofertave të ardhura në zyrat e PAOK-ut për kartonin e Ergys Kaçes, nuk janë bërë të ditur emrat e klubeve, por vetëm fakti që janë nga Bundesliga gjermane, Kroacia dhe Zvicra.
(Panorama Sport/BalkanWeb)
