Pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, ka reaguar vëllai i saj, Leonard Ademaj, duke thënë se vendimi konfirmon qëndrimin e familjes që nga fillimi. Ai u shpreh se drejtësia më në fund është vënë në vend për motrën e tij dhe fëmijët e saj. “Sot u vërtetua ajo që kemi thënë që në fillim, se Naim Murseli së bashku me Kushtrim Kokallën, duke zgjedhur Granit Plavën si vrasës kanë realizuar këtë krim”, deklaroi ai.

Ademaj theksoi se vendimi ka një peshë të madhe emocionale jo vetëm për familjen, por për të gjithë shoqërinë.
“Ky vendim nuk është vetëm për ne, por për Liridonën dhe fëmijët e saj, të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre,” u shpreh ai dhe shtoi se aktgjykimi duhet të shërbejë si mesazh i fortë për këdo që mendon të kryejë krime të tilla. “Ky vendim duhet të jetë mësim për të gjithë ata që tentojnë apo krijojnë kushte për një krim të tillë,” tha Ademaj.

Sipas vëllait të Liridonës, vendimi ka sjellë një lehtësim të pjesshëm për familjen, ndonëse dhimbja mbetet. “Na ka lehtësuar sadopak dhimbjen si familje. Është një vendim që e ka pritur i gjithë populli shqiptar”, përfundoi ai.

Më herët, gjykata dënoi me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vjet burgim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: