Kryeministri britanik Andy Burnham do të zhvillojë të hënën vizitën e tij të parë jashtë vendit që prej marrjes së detyrës, duke udhëtuar në Kiev për të shprehur mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën dhe për të marrë pjesë në ceremonitë e 35-vjetorit të pavarësisë së vendit.

Gjatë vizitës, Burnham pritet të kryesojë takimin e tij të parë të “koalicionit të të vullnetshmëve”, të krijuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca nën drejtimin e paraardhësit të tij, Sir Keir Starmer.

Kryeministri britanik do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe do të marrë pjesë në aktivitetet e Ditës së Pavarësisë. Ai pritet gjithashtu të pranojë një çmim në emër të popullit britanik, në shenjë vlerësimi për mbështetjen e Londrës ndaj Ukrainës.

Vizita zhvillohet në një moment tensioni të shtuar, pas përshkallëzimit të sulmeve ruse në Ukrainë gjatë javëve të fundit. Një sulm ndaj një qendre tregtare të premten shkaktoi të paktën 16 viktima.

“Populli ukrainas nuk duhet të ketë asnjë dyshim: Mbretëria e Bashkuar është me ju sot dhe për aq kohë sa të duhet”, deklaroi Burnham përpara vizitës.

Ai theksoi se mbështetja britanike për Ukrainën nuk do të zbehet dhe se siguria e Ukrainës lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar.

Ndërkohë, Moska ka paralajmëruar Londrën për “pasoja” lidhur me përdorimin e dronëve britanikë nga Ukraina në sulmet e fundit ndaj objektivave në territorin rus. Kievi ka intensifikuar sulmet me rreze të gjatë veprimi, duke goditur ndër të tjera rafineri nafte dhe depo në Rusi.

Burnham pritet gjithashtu të njoftojë se qeveria britanike ka rënë dakord t’i lejojë kompanisë së mbrojtjes MBDA të deklasifikojë informacion mbi komponentët britanikë të raketës me rreze të gjatë veprimi Scalp, ekuivalente me Storm Shadow.

Vizita e Burnham vjen gjithashtu në një periudhë tensionesh diplomatike mes Londrës dhe Moskës. Rusia ka konfirmuar largimin nga Londra të ambasadorit të saj Andrei Kelin, ndërsa Kremlini ende nuk ka propozuar një pasues.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: