Tenori spanjoll i mirënjohur, Placido Domingo, është përballur me akuzat se ka caktuar një takim me një grua nga një kult, i cili i detyronte pjesëtaret të prostituonin.

Autoritetet agjentinase kanë bërë me dije se kanë në zotërim një seri regjistrimesh të telefonatave që tenori ka kryer, në të cilat dëgjohet Domingo duke organizon një takim me një grua nga Shkolla e Jogës” në Buenos Aires.

Policia njofton se grupimi është shpërndarë javën e kaluar, pas akuzave se joshnin njerëz me premtimin për arritjen e lumturisë për tu zhvatur më pas pronat, dhe pas akuzave se pjesëtare femra të kultit detyroheshin të shisnin trupin për burra të pasur ose me pushtet.

Në një nga regjistrimet, zëri i një burri që besohet të jetë i Domingos, mund të dëgjohet duke udhëzuar Susan Mendelievich, e njohur gjithashtu si Mendy, se si mund t’i afrohej duke shmangur truprojat e tij.

“Kur të largohemi nga darka dalim veçmas, do ta bëjmë në këtë mënyrë sepse agjentët e mi do të ngjiten në dhomë kur unë të ngjitem dhe ata do të qëndrojnë në të njëjtin kat”, dëgjohet duke thënë burri.

Në një telefonatë tjetër midis Mendy dhe udhëheqësit të kultit Juan Percoëicz, ajo i referohet një burri të quajtur Placido.

Placido tha se mund të vinte të na vizitonte. Ai më telefonoi dhe më sqaroi se si duhej të veproja në mënyrë që të qëndroj në hotel pa u vënë re nga truprojat”, thotë Mendy.

Është e paqartë se kur kanë ndodhur telefonatat, por tenori spanjoll ka performuar në Teatrin Colon në Buenos Aires në prill.

“Shkolla e Jogës” në Buenos Aires funksiononte në një ndërtesë në periferi të qytetit prejh më shumë se tre dekadash dhe kishte filiale edhe në Nju Jork, Çikago dhe Las Vegas.

Ky kult besohet se ka rekrutuar më shumë se 1700 njerëz.

Udhëheqësi 84-vjeçar i grupit raportohet të ketë krijuar një sistem hierarkik me shtatë nivele në të cilin ai ishte në majë.

Ndjekësit duhet të punonin për tu ngjitur në shkallët më të larta të pushtetit, ndërsa drejtuesi e quante veten “engjëll” ose “mjeshtër”, personat të ciliët arrinin deri në shkallën e gjashtë të piramidës së pushtetit quheshin “apostuj”, ata në nivelin e pestë ishin “gjeni” dhe ndjekësit në nivelin e katërt quheshin “nxënës”.

Anëtarëve dyshohet se iu morën pronat e tyre dhe u detyruan të paguanin një tarifë anëtarësimi midis 250 dhe 10,000 dollarë, në varësi të gjendjes së tyre financiare.

Gratë thuhet se kalonin në një fazë paraprake të ngjashme me “geisha” ku inkurajoheshin të kishin marrëdhënie seksuale me biznesmenë të pasur.

Të ardhurat e përfituara nga prostituimi i tyre, merrej nga grupi ndërsa gratë përfitonin pikë, të nevojshme për tu rritur në shkallët e piramidës së pushtetit.

Policia në një deklaratë për gazetën spanjolle El Pais u shpreh se Domingo nuk ishte nën hetim.

Akuzat e fundit do të dëmtojnë më tej reputacionin e Domingos, i cili është akuzuar tashmë për ngacmim seksual të dhjetëra grave.

Tenori dyshohet se ka puthur dhe “përkëdhelur me forcë” gratë gjatë një periudhe prej më shumë se 30 vjetësh. Pretendimet bënë që ai të futej në listën e zezë nga disa shtëpi prestigjioze të operës, veçanërisht në SHBA.

Një hetim nga Opera e Los Anxhelosit, të cilën Domingo e drejtoi deri në tetor 2019, arriti në përfundimin në mars 2020 se dhjetë akuza për sjellje të papërshtatshme midis 1986 dhe 2019 ishin të besueshme. Disa nga gratë përshkruan një traumë të rëndësishme, tha ai.

Domingo fillimisht u kërkoi falje grave, por më vonë tha: “Unë kurrë nuk jam sjellë në mënyrë agresive ndaj askujt dhe as nuk kam bërë ndonjëherë ndonjë gjë për të penguar ose dëmtuar karrierën e dikujt”.

Përktheu: BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb