BURREL-Një avokat i një të burgosuri është prangosur në burgun e Burrelit pasi i futi një dozë lëndë narkotike brenda në qeli klientit. Në pranga ka rënë Ilirjan Dyzeni nga Lezha, me profesion avokat. Dyzeni ishte caktuar avokat nga i burgosuri, Mariglen Pergjini, i denuar me burg per vrasje. Dyzeni ka përfituar nga pozicioni për t’i futur drogë në qeli klientit. Punonjësit e kontrollit kanë vërejtur veprimet e dyshimta të avokatit deri në momentin që u kap në flagrancë me drogë.
Dyzeni avokat i Pergjinit, (personi ne foto) i denuar me 7 vjet per vrasje
Dyzeni është avokat i Mariglen Përgjinit, një shtetas i njohur në lajmet e kronikës së zezë. Mariglen Përgjini nga fshati Manati e Lezhës ështe dënuar me 7 vite burg vetëm pak ditë më parë për vrasjen e një të riu në janar të vitit 2013.
Mariglen Përgjini akuzohet për vrasjen e Maltin Shtjefnit dhe plagosjen e Ergys Nikës, ngjarje e ndodhur me 10 janar të vitit 2013 në një lokal muzike në superstradën Lezhë-Laç, në afërsi të kryqëzimit të Shën Kollit. Pas shpalljes në kërkim nga policia e Lezhës si autor i ngjarjes, Përgjini u vetëdorëzua në polici 2 javë më pas, kjo sipas tij për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes, pasi nuk ishte ai autor i vrasjes. Ndonëse ai kishte paraqitur prova dhe fakte që nuk e implikonin në vrasjen e Maltin Shtjefnit, duke akuzuar një tjetër person si autor të këtij krimi, kjo nuk është marrë parasysh nga organi i akuzës, duke kërkuar dënimin e tij me 20 vite burg. Pas shumë seancash gjyqësore dhe me shumë tension brenda në sallë, gjykata e ka dënuar Përgjinin me 7 vite burg për ngjarjen e ndodhur.

Në shtator të vitit 2014, Përgjini rrahu me grushte prokurorin e Lezhës. Përgjini u shpreh se ishte hakmarrë ndaj prokurorit Ervin Beqiri, pasi ky i fundit kishte kërkuar dënimin e tij me 20 vite burg pa të drejtë e sipas tij nuk ishte ai autor i vrasjes.
(d.b/BalkanWeb)
