Ish-Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, duke folur për ethnos.gr, deklaroi se Brukseli duhet të marrë gjithashtu përsipër pjesën e përgjegjësive që u janë atribuuar atyre për çështjen e zgjerimit, duke e trajtuar procesin si një moment historik dhe jo si një barrë. Vetëm disa ditë pas njoftimit të Komisionit Evropian për një metodologji të re për procesin e anëtarësimit të vendeve të reja në BE, ish-ministri i jashtëm shqiptar thekson se është e rëndësishme të mbash gjallë procesin e zgjerimit për shtetet e Ballkanit Perëndimor, një përpjekje e cila është ndërthurur me projektin e unifikimit evropian, i cili ka një pikë referimi në 1989, pas rënies së Murit të Berlinit.

Z. Bushati sqaroi për median greke se “Metodologjia mund të përmirësojë potencialisht procesin e zgjerimit dhe se si vendet e Ballkanit Perëndimor do të përgatisin rrugën e kalimit të pragut të BE-së. Por, duhet të jemi të qartë se asnjë metodologji nuk mund të përdoret si zëvendësim i mungesës së vullnetit politik”, duke shtuar se “të gjitha palët duhet ta shohin zgjerimin si një histori win-win, duke e trajtuar atë si një përgjegjësi historike dhe jo si një barrë”.

Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor aktualisht po përballen me tre sfida kryesore, duke u përqendruar në sundimin e ligjit dhe demokracinë, zhvillimin demografik dhe socio-ekonomik. Dhe është e rëndësishme të sigurohet që përmes procesit të ri të transformimit që do të përfshihen qytetarët e Ballkanit Perëndimor, ata të shohin që gjërat po ndryshojnë dhe nuk ngecin.

Duke iu përgjigjur skenarit të mundshëm të ndarjes së dy kandidaturave, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në Samitin e Zagrebit pranverën e ardhshme, siç disa qarqe diplomatike pëshpëritin, z. Bushati theksoi se tashmë nuk ka ndonjë çështje të tillë, duke kujtuar se Shqipëria duhet të kishte filluar negociatat e pranimit në qershor 2018. Ai tha se “Nëse lexoni vendimin që kanë marrë shtetet anëtare, atëherë do të shihni që ata kanë rënë dakord për një plan kohor për vitin 2019. Përsëri, në vitin 2019, BE nuk arriti të plotësojë premtimet e vitit 2018. Tani jemi në vitin 2020 dhe ka ardhur koha që të fillojmë negociatat e pranimit dhe të përqendrojmë të gjitha përpjekjet tona në procesin e zgjerimit”. Z. Bushati shpjegoi se edhe nëse Franca ngre kundërshtime të reja në Zagreb, për Shqipërinë nuk ka asnjë alternative tjetër përtej rrugës së Evropës.

Duke marrë përsipër kryesinë e OSBE-së për herë të parë në historinë e saj, ai theksoi për ethnos.gr se është një nga arritjet më të rëndësishme të politikës së jashtme shqiptare, veçanërisht pas anëtarësimit në NATO, duke marrë parasysh rëndësinë e organizatës, e cila lidh tre kontinente, Evropën, Amerikën e Veriut dhe Azinë.

Çfarë thotë për Nikos Kotzias?

Biseda arrin në periudhën kur ai bashkëpunoi me homologun e tij grek, Nikos Kotzias, dhe në përpjekjet e përbashkëta për të hapur një faqe të re bashkëpunimi. Ai tha se “Me mikun tim, Nikos Kotzias, nxorëm nga tavolina disa nga çështjet bilaterale dhe mosmarrëveshjet që kanë një rëndësi praktike për njerëzit duke hapur një dialog të bazuar në besim. Shpresoj se kjo do të jetë një bazë e fortë për t’u marrë me të gjitha çështjet e tjera që duhet të zgjidhen. Dialogu vazhdon edhe sot në nivelin e Kryeministrave dhe presim të shohim hapat e ardhshëm për zgjidhjen e çështjeve bilaterale”.

Ndër të tjera, gjatë ditëve të Kotzias-Bushati u ra dakord për varrosjen e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë nga Lufta Greko-Italiane në 1940-41, dhe zgjidhja e një numër çështjesh që kishin të bënin me shtetasit shqiptarë që jetojnë në Greqi, siç është heqja e rezervave konsullore nga autoritetet greke dhe njohja e patentave shqiptare të drejtimit në territorin grek.

Ai shtoi se “Nga ana tjetër, ekzistojnë edhe disa çështje të ndjeshme politike siç janë heqja e ligjit të luftës nga Athina, delimitimi i zonave detare dhe çështje të tjera historike që duhet të zgjidhen. Sa i përket Tiranës, Athina nuk është thjesht një fqinj i mirë, as vetëm një aleat brenda NATO-s. Marrëdhënia jonë me Greqinë ka një rëndësi strategjike. Përtej kësaj, dhe mbi të gjitha, duhet të kemi parasysh ndërveprimin njerëzor që kemi midis nesh dhe marrëdhëniet personale që shqiptarët kanë zhvilluar me grekët”. Duke iu referuar minoritetit grek dhe tensioneve të rastit të krijuara, z. Bushati përsëriti që “ata janë një minoritet i respektuar, i njohur në Shqipëri. Do të jemi të lumtur, siç kam thënë edhe në të kaluarën, të eksplorojmë me qeverinë greke, modelin grek dhe modele të tjera evropiane që garantojnë plotësisht të drejtat e tyre në praktikë”.

Duke iu përgjigjur në fund shenjave të mbështetjes që ekzistojnë në Kosovë për një Shqipëri të Madhe, z. Bushati tha se “ky nuk ishte një skenar realist dhe ekzistonte vetëm në mendjet e atyre që do të donin të flisnin për këtë ide”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb