Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Çavuşoğlu ka folur në një intervistë për gazetarin Erion Kaçorri në emisionin “Diplomaticus” në News24 edhe për organizatën Feto, një nga armiket e qeverisë dhe pushtetit në Turqi.

Ai theksoi se FETO është një organizatë e rrezikshme dhe se anëtarët e saj janë kudo në botë, ata nuk janë vetëm, pas tyre qëndrojnë forca të tjera.

“Mendoj se të gjithë miqtë tanë shqiptarë e kanë parë se FETO është një organizatë e rrezikshme. Edhe në Turqi ajo ka bërë tentativa të ndryshme. Ne e dimë shumë mirë se çfarë bëri ajo për të shtënë në dorë qeverinë dhe institucionet e zgjedhura me rrugë demokratike. Vëllezërit tanë në Shqipëri i ndjekin zhvillimet në Turqi. Gjatë vitit 2016 kjo organizatë tradhtare bëri një tentativë për grusht shteti, brenda një nate 251 shtetas tanë ranë dëshmorë.
Pjesëtarët e kësaj organizatë sulmuan popullin me tanke, avionë F 16, helikopterë, hapën zjarr kundër banorëve të pambrojtur. Lëshuan tanket mbi trupat e shtetasve tanë. Populli ynë, nën drejtimin e Presidentit tonë, tregoi një shembull të madh guximi dhe heroizmi dhe shpartalloi puçin. Më shumë se 2200 vetë u plagosën rëndë. Mendoni çfarë nuk mund të bëjnë ata që hedhin bomba nga avioni kundër popullit, lëshojnë tanket, bombardojnë parlamentin.
I jap këto shembuj për të theksuar se sa e rrezikshme është kjo organizatë. Anëtarët e saj janë kudo në botë, ata nuk janë vetëm, pas tyre qëndrojnë forca të tjera. Ata përbëjnë një kërcënim shumë serioz kudo ku ndodhen, jo vetëm në Turqi. Ne e përjetuam një situatë të tillë. Ka vende miq dhe vëllezër që po e përjetojnë tani atë proces, njerëzit e FETO-s kanë shtënë në dorë sistemin në ato vende. Duke përdorur institucionet arsimore ata depërtojnë në institucionet shtetërore nëpërmjet fëmijëve që kanë përgatitur në shkollat e tyre. Ashtu siç vepruan në Turqi, ata të njëjtën gjë po bëjnë në Kirgizi, në vendet e Azisë Qendrore, në Pakistan në shumë vende të Afrikës dhe të Azisë. Edhe Ballkani është një objektiv i rëndësishëm për ta”, deklaroi ministri turk.

Prandaj sipas tij prania e FETO-s në këtë rajon është një rrezik shumë serioz jo vetëm për Turqinë, por veçanërisht edhe për Shqipërinë.
“U bëj thirrje të gjithë miqve dhe vëllezërve tanë shqiptarë që të mos u japin shanse atyre, të mos i dërgojnë fëmijët në shkollat e tyre. Mos mendoni se fëmijëve tuaj nuk mund t’u ndodhë gjë prej tyre. Të dërgoni fëmijët në shkollat e kontrollura nga këta terroristë do të thotë të nxini të ardhmen e fëmijëve tuaj. Dëshiroj që nëpërmjet jush këtë thirrje t’ua përcjell të gjithë vëllezërve dhe miqve tanë në Shqipëri”, deklaroi Çavuşoğlu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb