Qindra mijëra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së shtunës në qendër të Tiranës në protestën e radhës kundër qeverisë, ku krahas thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, vëmendje të veçantë tërhoqën edhe pankartat me mesazhe prekëse dhe ironike të mbajtura nga pjesëmarrësit.
Në tubim morën pjesë rreth 250 mijë qytetarë, ndërsa ishte e lartë edhe prania e shqiptarëve të ardhur nga diaspora për t’iu bashkuar protestës. Qytetarët kërkuan largimin e kryeministrit dhe të qeverisë së tij, duke deklaruar se Shqipëria ka nevojë për ndryshim.
Mes pankartave që tërhoqën më shumë vëmendje ishin mesazhe që lidhen me emigracionin, të rinjtë dhe vështirësitë ekonomike në vend. Një prej tyre shkruante: “Jam këtu sepse çdo lamtumirë në aeroport ma copëtoi zemrën”, një referencë ndaj largimit të vazhdueshëm të shqiptarëve drejt emigracionit.
Po ashtu, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si:
• “Rama ik, Shqipëria s’pret më”;
• “Më thanë se fëmijët nuk merren me politikë, por pse politika po luan me të ardhmen time?”;
• “Nga Zvërneci deri në Rrjoll, Shqipëria thotë boll”;
• “Bijtë e nënës në kurbet, tradhtarët në pushtet”;
• “Rinia nuk është për eksport”;
• “Sot një pankartë, nesër një valixhe, zgjidheni vetë”;
• “Sot protestoj për mbesën time që e puth një herë në vit, kur mund ta puthja çdo ditë”;
• “E di Europa që rroga minimale është 500 euro dhe qeraja 450?”;
• “Kush është burrë, kush është djalë, Zotit dhe Atdheut me i dalë”;
• “Partitë nuk janë pronë private dhe as populli dekor”.
