TIRANE – Universiteti “Luarasi” çeli sot vitin e ri Akademik. Rektori i këtij Universiteti, Et’hem Ruka u prezantoi studentëve të vitit të parë stafin drejtues duke iu uruar shumë suksese në sezonin e ri akademik.

“Duam që diplomat tuaja të kenë vlerë mbasi të diplomoheni. Vitet kalojnë shumë shpejt, 5 vite do të kalojnë jashtëzakonisht shpejt, dhe do e shihni veten si juristë e ekonomistë.

Ne mundohemi të ofrojmë një mikpritje sa më të ngrohtë, që ta zbusim kalimin nga shkolla e mesme.

Nuk duhet të na shikoni me frikë se kemi në dorë notën, jo, ne do të krijojmë një marrëdhënie profesor-student tepër motivuese që ju të bëni më të mirën.

Mos na shihni si profesorët klasikë. Duhet një punë sistematike. Në këtë universitet ka rregull dhe rregullat duhen respektuar në mënyrë maksimale dhe rigoroze. Derën time e keni të hapur në çdo moment, jo vetëm pedagogët, por edhe studentët dhe prindërit tuaj. Prindërit na i kanë besuar fëmijët e tyre, neve, që do bëjmë më të mirën e mundshme.

Shumica e studentëve që kanë aplikuar tek Luarasi janë me mesataren nga 8-10, prandaj përgjegjësia është e madhe,” tha Ruka.

Këtë vit të ri akademik, Kolegji Universitar Luarasi vjen me një Fakultet të ri, Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit. Në pjesën e programeve master, dy programet janë Master Profesional në siguri kibernetike dhe informacioni, dhe Master Shkencor në teknologji informacioni dhe inovacioni.

Për t’u gjendur sa më pranë studentëve, institucioni elitar i arsimit të lartë ka çelur 3 mastera profesionalë në Fakultetin Ekonomik për vitin e ri akademik 2018-2019. Tre degët e reja në ciklin e dytë të studimeve janë Marketing dhe Reklamë; Financë dhe Menaxhim Risku si dhe Kontabilitet.

(BalkanWeb)

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb