Për Ilirjan Celibashin data 13 tetor e dekretuar nga Presidenti Ilir Meta si datë për zgjedhjet vendore, nuk është në të vërtetë një datë zgjedhjesh. I ftuar në studion e emisionit ‘Kjo javë’, Celibashi kritikoi edhe bojkotin e mbledhjeve nga kreu aktual i KQZ-së, Klement Zguri.


“Në 4 vjet, KQZ dhe presidenti rrinë afër njëri tjetrit, ose KQZ rri pas derës së presidentit vetëm një herë. Momentin kur pret nga Presidenti caktimin e datës së zgjedhjeve. Momentin që Presidenti cakton datën e zgjedhjeve, KQZ merr këtë dekret dhe vazhdon punën nuk rri më pas derës së Presidentit për të pritur dhe për të menduar dhe nuk ka asnjë arsye të mendojë që mundet që Presidenti të ketë ndonjë akt tjetër apo një veprim tjetër.



Nuk ka asnjë arsye për të parë se çfarë do prodhojë dera e presidencës më, ka mbaruar punë me këtë çështje, gjë që do të thotë se procesi zgjedhor, ka një fillim dhe një mbarim dhe nuk ka asnjë autoritet përjashto KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor, që të disponojnë mbi procesin zgjedhor dhe atë përgatitor më tej. Kështu që nga pikëpamja formale juridike procesi zgjedhor për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore për këtë vit ka përfunduar në 30 qershor. 13 tetori nuk është datë zgjedhjesh, dhe këtë e them me bindje të plotë.” – theksoi Celibashi, ndërsa komentoi edhe pozicionin e kreut aktual të KQZ-së, Klement Zguri.

“Ai është në të drejtën e vet, të prezantojë qëndrimet dhe opinionet e veta në lidhje me cështje të ndryshme të procesit zgjedhor. Padiskutim ka cështje e vendimmarrje për të cilat edhe unë mund të them që shiko, ajo cfarë ai tha nuk është ajo që përcakton ligji, por gjithmonë ky mbetet një opinion subjektiv. Ajo për të cilën me bindje e them, ka të bëjë qëndrimin e tij në lidhje me pjesëmarrjen në mbledhjet e KQZ, për më tepër që ai është edhe kryetar i KQZ-së, nuk do të ishte mirë, se tani e ka korrigjuar këtë, edhe merr pjesë në mbledhje, nuk do të ishte mirë që të braktisë mbledhjen e KQZ-së. Ai ka gjithë të drejtën e tij ligjore që të shprehet dhe të japë opinionin e vet për gjithë sa diskutohet aty dhe në fund të konkludojë me votë. Të qenit në pakicë nuk të vendos në pozitë të vështirë. ” – tha Celibashi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb