Ka vijuar sot në Këshillin e Lartë Gjyqësor seanca për shkarkimin e gjyqtarit të Korçës Markelian Kuqo, e kërkuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Gjyqtari Kuqo liroi në mënyrë të dyshimtë Gerd Gjinararin (Gjenerali), i dënuar për vrasjen e Naim Zyberit n në Itali më ’97. Në seancën e sotme ka raportuar Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, i cili deklaroi se gjyqtari Kuqo ka cenuar imazhin e gjyqësorit. Sipas ILD, nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarit përsëritës pasi i dënuari përbën rrezik për komunitetin.

Metani evidentoi shkelje disiplinore me dashje nga gjyqtari Kuqo duke kërkuar shkarkimin e tij. “Gjyqtari Markelian Kuqo është i padenjë për të vijuar detyrën. Të jepet shkarkimi nga KLGJ për gjyqtarin Kuqo”, deklaroi Metani.

Por KLGJ u tërhoq për vendimin përfundimtar, duke e shtyrë atë për në datë 21 tetor ora 11:00.

Nga ana e tij gjyqtari Kuqo e cilësoi procesin e metë, me qëllime të paracaktuara.

“Administrova raportin e IEVP Drenovë. Në raport thuhej se rehabilitimi i tij ishte i mundshëm. Administrova edhe raportin e zyrës së provës dhe sipas këtij raporti, ishte i mundshëm integrimi i tij në shoqëri. Apeli s’administroi aktin burimor, shmangu konstatimet. Shkeljet që me drejtohen nuk janë të vërtetuara”, deklaroi gjyqtari.

Pas kërkesës së tij, KLGJ u tërhoq për të administruar provat që kërkon gjyqtari. Kuqo tha se nga ana tjetër se ILD po vepron njëanshmërisht nga një presion politik

“Ankuesi, Ministria e Drejtësisë nuk propozon masën disiplinore. Veprimtarisë time nuk i kanë gjetur shkelje. Qëndrimi i ministres ndaj meje është politik”, tha Kuqo, duke deklaruar më tej se e kanë kërcënuar me jetë nga burgu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb