TIRANË- Vijon paraqitja e dëshmive nga personazhet “Vip” në Gjykatë për çështjen e Emiljano Shullazit.

Sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda kanë dëshmuar rektori i UT Mynyr Koni, ish-rektori Dhori Kule dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla. Mësohet se në dëshminë e tij para togave të zeza, rektori Koni ka rrëfyer si ka ndodhur kërcënimi.

“Në momentin e kërcënimit kam qenë para Fakultetit të Shkencave. Më thirrën nga një makinë e zezë. Më thanë që të futesha në makinë. U futa në makinë dhe u ula pas. Më kërkuan të hiqja dorë nga gara. Kërkesa ishte në mënyrë ultimative. Në momentin e parë nuk e kuptova se çfarë ndodhi. Isha i tronditur. Anulova garën zgjedhore. Kontaktova vetëm me Dhori Kulen dhe i tregova ngjarjen. Kam paraqitur dhe dorëheqjen pastaj iu riktheva garës”, deklaroi Koni.

Ai po ashtu ka deklaruar në seancë se Ministri i Brendshëm i ka garantuar sigurinë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb