TIRANE- Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, është një ndër emrat që i është bashkuar tryezës së partive opozitare në vend, në përpjekje për të luftuar krimin dhe lidhjet e tij me politikën. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, Shehi tha se situata me bandat dhe krimin në vendin tonë është në nivele alarmante, duke u shprehur se ndërgjegjësimi për t’i dhënë fund kësaj, është mjaft i rëndësishëm.

Shehi tha se përgjegjësia kryesore për këtë situatë të krijuar në vend bie mbi qeverinë Rama, ndërsa shtoi se tryeza e përbashkët e opozitës, erdhi si një hap i detyrueshëm për të luftuar fenomene të tilla.

“Kjo tryezë ka qenë një hap i detyrueshëm për opozitën. Ajo çka ka ndodhur është mjaft e rëndë. Ndaj lufta ndaj krimit të organizuar është temë e ditës. Peshën kryesore të fajit për situatën në të cilën ndodhet vendi, e ka qeveria e sotme. Jo se nuk ka pasur fenomene të tilla më parë, por ta çosh në këtë nivel që ka ardhur sot ku vriten dy-tre persona në ditë, apo në qytete të ndryshme dihet kush janë bandat, kjo është shumë e rrezikshme. Të flasësh për reforma në këtë situatë që ndodhet vendi është shumë. Nuk ka sens të flasësh për TVSH në ekonomi, kur krimi e bandat po tentojnë të marrin në dorë qytetet”, tha Shehi.

Duke folur për aksionin opozitar, Shehi tha se strategjia që pritet të ndiqet do të jetë ajo klasike. Fillimisht do të denoncohen bandat që veprojnë në vend, e më pas do të vijohet me ndërgjegjësimin e organeve të drejtësisë. Kreu i LZHK tha se pjesë e aksionit kundër krimit do të jenë edhe protestat popullore.

“Strategjia që do të ndjekë koalicioni opozitar është klasike. Do të fillohet me denoncimin e bandave. Janë gjëra që i dinë të gjithë qytetarët, por që kanë frikë t’i denoncojnë. Pra bëhet fjalë për një denoncim në mënyrë kolegjiale. Do të bëhet edhe një denoncim i të gjithë këtyre që janë në pushtet, nëpërmjet Parlamentit. Do të nxisim Prokurorinë dhe gjykatat që të mos bëjnë rolin e budallait sikur nuk i dinë. Po kështu do të kërkohet edhe vëmendja e ndërkombëtarëve. Më pas do të kalohet edhe në protesta popullore. Nuk është vendosur ende për këtë, por do të ketë edhe protesta”, u shpreh ai.

Sakaq, Shehi tha se në momentin kur e vërteta për çështjen “Habilaj” do të zbardhet, do të dalin në dritë edhe emra të tjerë të rëndësishëm të politikës shqiptare.

“Është e vërtetë që edhe në krahun tonë nuk janë të gjithë të besueshëm në këtë nismë. Ka disa që koha do t’i filtrojë. Pritet që kjo tryezë bashkëpunimi të vijojë edhe më tej. Është tepër e rëndë që ministri i Brendshëm i një vendi, ai që duhet të garantojë rendin e sigurinë, është i implikuar në këtë çështje. Kur të vijë koha e zbardhjes së çështjes do të jetë edhe më e rëndë. Do të dalin emra të tjerë, ndoshta edhe më të rëndësishëm se ish-ministri i Brendshëm. Populli duhet të jetë i përgatitur për këtë”, u shpreh Dashamir Shehi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb