“Agasi është i fuqishëm edhe sot nga burgu”. Kështu deklaroi Shemsi Prençi në emisionin “Kjo Javë” në News24, teksa foli për biznesmenin Ergys Agasi dhe lidhjet e tij me nivele të larta të pushtetit.
Prençi ngriti akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ai është i përfshirë në veprimtari kriminale përmes lidhjeve me Agasin. Sipas tij, nëse biznesmeni do të fliste, do të mund të sqaronte këto marrëdhënie.
“Si Vlora Hyseni apo Belinda Balluku te Ministria e Infrastrukturës. Kryeministri është përfshirë në veprimtari kriminale, me Ergys Agasin. Po foli Agasi, do e sqaronte”, tha Prençi.
Ai shtoi se hetimet janë ende paraprake dhe se më tej do të përcaktohet niveli i implikimit dhe veprat penale për të cilat mund të ketë përgjegjësi.
“Këto janë hetime paraprake, ku ka dalë niveli i implikimit, por do e kuptojmë më vonë sa vepra penale ka”, deklaroi Prençi.
