Mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste në Gjirokastër është shoqëruar me debate dhe tone të ashpra mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tepelenë, Tërmet Peçi.

Takimi, i zhvilluar me dyer të mbyllura në ambientet e teatrit të qytetit, kishte në fokus organizimin e strukturave socialiste në jug të vendit, por sipas raportimeve mediatike, diskutimet janë përqendruar edhe te situata politike në disa bashki të qarkut.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Rama ka shprehur pakënaqësi për konfliktet e brendshme dhe mënyrën e funksionimit të strukturave lokale në Tepelenë dhe Përmet.
Kryeministri ka kritikuar përfshirjen e figurave lokale në debate dhe përplasje që, sipas tij, dëmtojnë imazhin e partisë në qarkun e Gjirokastër.

Gjatë mbledhjes ka pasur edhe një shkëmbim të drejtpërdrejtë replikash mes Ramës dhe Peçit, ndërsa të pranishmit e kanë përshkruar atmosferën si të tensionuar.

Peçi akuzohet se ka orkestruar sulme personale dhe shpifje (përfshirë përhapjen e lajmeve të rreme për gjendjen shëndetësore/SIDA) ndaj kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Golemi.
Rama e ka cilësuar Peçin si pengesë për punën e Gramos Sakos në Tepelenë, duke e akuzuar se ka instaluar “klanin” e tij (kunatin dhe njerëzit e afërt) në administratë për të ruajtur kontrollin.

Akuzat u shtrinë edhe më gjerë, ku Peçi u bë përgjegjës për përdorimin e njerëzve të tij për të sabotuar strukturat e PS-së në Përmet.
Tërmet Peçi ka tentuar të mbrohet duke përdorur tone servilizmi politik, duke i thënë Ramës: “Komandant, unë jam ushtari yt!”
Mirëpo, kjo deklaratë nuk e ka zbutur kryeministrin, i cili i ka prerë fjalën menjëherë me një gjuhë brutale:

“Nuk ka fjalë për ty sot. Ka njerëz shumë më të mirë se ty në këtë sallë. Thashethemet që nisin nga kalaja e Ali Pashait nuk ndikojnë në punën e qeverisë sime.”. Në mbyllje të takimit, Rama ka përdorur një fjalor të ashpër ndaj Peçit, duke i thënë: “O Tërmet, mos na çaj by*en”, dhe është larguar menjëherë nga takimi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb