TIRANE- Ministria e Shëndetësisë reagoi të martën, ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili pretendon se analizat e programit të kontrollit bazë shëndetësor pa pagesë (check-up) për moshat 40-65 vjeç nuk bëhen fare ose abuzohet, duke sjellë shembullin e një qytetareje.

“Ministria e Shëndetësisë hedh poshtë me forcë deklaratat publike tërësisht joprofesionale dhe çoroditëse, me të cilat PD na ka mësuar edhe më herët kur flet qorrazi për rezultate prostate te gratë që kanë kryer check-up. Kur është botërisht e njohur dhe lehtësisht e verifikueshme se kjo paketë nuk përmban teste depistimi për sëmundje të tilla, si p.sh., testin e PSA (Prosthate-Specific Antigen) që përdoret për kancerin e prostatës, apo depistime të tjera, si p.sh., PAP-Test-in ose HPV-në që përdoren për depistimin e kancerit të mitrës, sepse paketa përmban depistime dhe kontroll bazë që janë specifike për këtë grup-moshë”, nënvizon MSH në reagimin e saj.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë i bën thirrje sërish të gjithë shqiptarëve në grupmoshën 40-65 vjeç, të përfitojnë nga programi falas i kontrollit bazë shëndetësor pa pagesë, duke e kryer check-up-in pranë qendrës së tyre shëndetësore.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: