UASHINGTON-Të bindësh Korenë e Veriut të heqë dorë nga programi bërthamor dhe të çarmatosësh gadishullin korean është një dështim, konfirmoi sot koordinatori i shërbimit sekret amerikan, James Clapper. “Mendoj se ideja për të detyruar koreanoveriorët të çarmatosen është me shumë gjasa një kauzë e humbur. Ata nuk do ta bëjnë këtë. Është bileta e tyre e mbijetesës”, theksoi Clapper në një konferencë në Nju Jork të qendrës së kërkimeve Council on Foreign Relations (CFR).

“Kam pasur një qasje të mirë për këtë kur isha atje, mbi pikëpamjen e tyre për botën. Ata janë të rrethuar dhe shumë paranojakë. Pra, ideja që ata mund të braktisin kapacitetin e tyre bërthamor, cilido qoftë ky, është krejtësisht i papranueshëm”, shtoi ai, i cili kontrollon 17 agjencitë e shërbimeve sekrete amerikane duke përfshirë CIA-n dhe NSA-në. Clapper ka qenë në mision sekret në Korenë e Veriut më 7 nëntor 2014 për lirimin e dy të burgosurve amerikanë.

Duke kundërshtuar deklaratat e Clapper, zëdhënësi i departamentit amerikan të SHtetit, John Kirby theksoi se “asgjë nuk ka ndryshuar në politikën tonë ndaj Koresë së Veriut”. “Ne kërkojmë që të ketë një denuklearizim të verifikueshëm të gadishullit. Ne kërkojmë një rifillim të procesit të negociatave me gjashtëshen”, theksoi Kirby duke iu referuar diskutimeve ndërkombëtare të bllokuara që prej disa vitesh mes Koresë së Veriut, Koresë së JUgut, Kinës, SHBA-së, Rusisë dhe Japonisë. “Veriu duhet të tregojë vullnetin dhe kapacitetin e tij për të rifilluar këtë proces, gjë që nuk e kanë bërë ende”, theksoi zëdhënësi i diplomacisë amerikane.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: